PD-ja nis avazin/Qeveri pa Edi Ramën: Teknike, ose me një intelektual në krye

Postuar në 21 Gusht, 2017 08:40

Partia Demokratike humbi thellë në zgjedhje. Për këtë arsye ajo organizoi edhe farsën elektorale brenda duke rizgjedhur Lulzim Bashën si kryetar. Pra humbje zgjedhjesh, proces zgjedhor në parti. Këtu duhet të mbyllej diskutimi. Por PD-ja mendon ndryshe. Ajo i cilëson zgjedhjet të vjedhura dhe tani kërkon kompromis me socialistët.

Në një opinion të publikuar në gazetën “Panorama”, deputeti i Shkodrës, Romeo Gurakuqi, shtron për diskutim opsionet e marrëveshjes. Ndonëse pranon se marrëveshja e 18 majit nuk u respektua nga Rama, ai bën thirrje për një qeveri pa Ramën kryeministër.

Ja opsionet e Gurakuqit:

1. Zgjidhja më e pranueshme për Opozitën dhe për të mirën publike, do të ishte rënia dakord për largimin nga skena e drejtimit të Qeverisë, e Kryeministrit të rrëmujës antiliberale dhe sjellja e “një Qeverie të të gjithë talenteve”, d.m.th. të teknicienëve më të mirë të kombit, që do të merrnin në dorë, me mandat të përkohshëm dhe me konsensus nacional politik, misionin e Reformimit të Republikës, për një qeverisje të re, që i trajton qytetarët të gjithë njëlloj dhe krijon një administratë të mirëfilltë shtetërore. (harrojeni se bëj fjalë për një bashkëqeverisje të Pozitës me Opozitën. Nuk do ta ketë kush asnjë mundësi për të krijuar alibitë e një koalicioni me bazë të gjerë me këtë rast, mbasi përjashtohet në fillesë të këtij diskutimi)…Populli i vendit tim, kam përshtypjen, se nuk mund të durojë më një mandat të ri katërvjecar tallës të Edi Ramës, pavarësisht se dikush mund të thotë se ai i fitoi zgjedhjet: doni të dini se kush janë luogotenentet e tij, vetëm në një qark, që administruan kontrollin dhe shpërndarjen e votave për se paku dy mandate?! Shumë e thjeshtë: filloni dhe lexoni një herë raportet në terren të organizmave ndërkombëtare.

2. Skenari i dytë, është ai që po përgatit Edi Rama: një Qeveri socialiste e re, një opozitë që futet vetvetiu në Parlamentin (sipas mendjes së tij) e fiksuar me numrat e kanabisit, që formulon strukturën e pluralizmit fasadë. Është ky vijimi i lojës pararendëse, me një kupolë të drejtimit të Shtetit, Qeverisë dhe Parlamentit, që projektohet sërish nën darën e ngushtë të një krahine, tre fshatrave të thella malore, nga të cilat do të vazhdojnë të burojnë, përmes “betimit të besnikërisë”: të gjithë ministrat, drejtorët e policisë, drejtorët e ndërmarrjeve të prodhimit të naftës, kontrollit financiar shtetërore, doganave dhe tatimeve, drejtorët e drejtorive të MPJ-së dhe ambasadorët, drejtuesit e të gjithë departamenteve të ministrive dhe degëve të administratës së lartë. Prej tyre do vijojnë të shpërndahen fondet e buxhetit, projektet, me të njëjtën “metodologji”, sikurse në katër vitet e shkuara, diskriminuese dhe shkatërrimtare për Shqipërinë e Veriut. Dhe kjo që donë të bëjë Edi Rama, nuk është Shteti shqiptar që duam, mbasi nuk përngjason me Shtetin e lënë amanet nga themelonjësit; madje është përkundër konventave kushtetuese, që imponojnë respektimin e balancës krahinore në drejtimin e pushteteve, të administratës dhe të shpërndarjes së të ardhurave drejtë dhe logjikshëm në territor.

3. Skenari i tretë, që do ta quaja një opsion kompromisi, është një Qeveri socialiste pa Edi Ramën Kryeministër, por me një figurë të mirëfilltë intelektuale, progresiste dhe reformatore, të palidhur me lobet dhe lobistët e netëve të vona periferike, që kanë peshuar aq shumë mbi jetën e shqiptarëve në katër vitet e shkuara, për shkak të turbullimit që i kanë bërë mendjes së kryeqeveritarit të paditur dhe të pamësuar me administrim. Mandati kohor i kësaj Qeverie do të ishte në varësi të implementimit të reformave konstitucionale dhe politike të parashikuara në skenarin 1, dhe që kanë të bëjnë me kthimin e qeverisjes në Shqipëri, nga një qeverisje tavash, në një strukturë serioze administrative të qytetarëve. Por ky skenar i tretë, do të kërkonte vendosjen e kontrollit të Parlamentit në dorën e një Speaker-i të paanshëm, të palidhur me militantizmin e së majtës komuniste, tek i cili Opozita beson. Po ashtu, për garantimin e vijimit të besueshëm të Reformës në Drejtësi, nga komisionet e vettingut duhet të largohen të gjithë anëtarët e mazhorancës së majtë, që kanë bërë në katër vitet e shkuara, spastrime dhe prozhmime politike në administratë.

http://www.gsh.al/2017/08/20/deputeti-i-pd-zgjedhjet-u-blene-ja-opsionet...

Nuk është e qartë nëse këto janë sugjerime personale, apo të dakordësuara në PD. Fakt është se PD-ja nuk përfaqëson në fakt as opozitën e vërtetë pasi atë e braktisën 200 mijë njerëz. Ajo është opozitë vetëm për hir të faktit se ka më pak numra në Parlament sesa Edi Rama dhe PS-ja. Të tjerat janë llafe boshe.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Kete, po. Kete. duhet ta degjojme.
Jo per Gurakuqllekun apo per profesorllekun, po thjeshte se eshte rrote ka.i. E ne nje vend kar..sh. rrota e ka.it duhet degjuar pasi sic ka thene ............shpikja e rrotes eshte shpikje e madhe

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.