Një faltore për t'u lutur/falur për zgjidhjen e problemeve

Postuar në 20 Gusht, 2017 11:51

Legjislatura e re parlamentare e bashkë me të edhe mandati i dytë qeverisës i Edi Ramës po afron me disa qartësi më të mëdha sesa koha e zgjedhjeve. 

Presioni i opinionit publik dhe kujetsa e vazhdueshme për dështimin poshtërues në zgjedhje, detyruan kryetarin e vetëshpallur të PD-së të tërheqë ministrat e vet nga qeveria. Bashkë me raportin e tyre ra edhe ideja e qeverive teknike në prag të zgjedhjeve si garanci për to. Raporti na thotë se marrëveshja nuk u respektua, se zgjedhjet u manipuluan dhe këtu autosugjestionimi i opozitës me një gënjeshtër, gjeneron gënjeshtra të reja nga shumica. 

Bashkëqeverisja siç u konceptua më 18 maj nuk është e mundur më, edhe pse në Shqipëri askush nuk dëshiron të luajë më rolin e opozitës. Nuk është fitimprurëse. 

PD-ja ka goditur rëndë kohezionin e sistemit, ku secili ka një rol. Ky priret të krijojë një problem themelor, të cilin mund ta konstatojmë qysh sot me sjelljen e kryeministrit. Vera që po lëmë pas nuk ishte pozitive: zjarret e shumtë provuan paaftësinë e strukturave përkatëse për t’iu përgjigjur situatës. Mungesën e kapaciteteve dhe mbi të gjitha mungesën e vullnetit për të penalzuar shkaktarët. 

Situata me mbetjet urbane rikonfirmon një kulturë të keqe, por edhe dështimin e reformës administrative. Njësitë administrative nuk lëvizin as gishtin për të menaxhuar hapësirat e tyre dhe rastet e mbytjeve në plazhe, apo derdhjes së ujërave të zeza, i vënë notën e duhur të gjithë eksperimentit virtual të rilindjes. I cili mund të pranohet se ka qëllime të mira, por ai refuzon të pranojë të dëgjojë problemet.

Kryeministri i Shqipërisë që është virtuozi i vetëm i termit rilindje dhe çka mbetur prej tij, prej javësh është shndërruar në një agjent marketingu për malet dhe fushat e Shqipërisë, plazhet e saj. Këtu një shkrim i një reviste, këtu një foto, tani së fundmi edhe intervista me turistë holandezë, suedezë e të të gjitha kombësive që mburrin Shqipërinë. 
Sigurisht që përvoja në një vend është personale, dikush mund të kalojë mirë edhe në Sirinë e sotme. Por kjo nuk duhet ngatërruar qëllimisht me përgjegjësitë që dikush ka përpara qytetarëve. Zotëria në fjalë mund të shesë si tregues objektiv përshtypjet e turistëve për Shqipërinë, por ato nuk vlejnë për shqiptarët. Ato vlejnë për të huajt. Ndaj ky Pazar mbresash me këta konsuj të rinj të shekullit të 21-të është fyerje dhe çka është më keq: ikje nga problemet. 
Kryeministri i Shqipërisë i ka bezdi problemet. Nuk do t’i dëgjojë ato probleme që nuk quhen të tilla në rrezen e tij të perceptimit dhe që dalin jashtë axhendës personale të shqyrtimit të problemeve. Përvojat pozitive janë ato që duhen përcjellë, ai është kryeministër i arritjeve, jo përgjegjës për dështimet dhe mangësitë. 

Loja e dalë boje e dëgjesave është pa kuptim në kontekstin e një sjelljeje të tillë që kultivon bindjen te militantët se është e kushtëzuar nga injorimi i mediave të kazanit, kur në fakt ngjarjet nuk janë artikuluar nga gazetarët, ato kanë jetuar gjithë verës me zë dhe me figurë. E madje me erë dhe temperaturë anembanë Shqipërisë. 

Ky është modeli që do të kemi këto 4 vjet; lajme të mira nga timonieri. Poshtë reve të tyre do të gëlojnë lajmet e këqija, Shqipëria e vërtetë që përmbytet prej tyre, por xhanëm duhet një faltore, a një tempull ku njerëzit të ulen e të luten, të ndezin qirinj se dikush Lart do t’i dëgjojë. Niseni nga Facebook si fillim

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.