Heqja e makiazhit “teknik” të qeverisë, truku i radhës që ndihmon Bashën

Postuar në 19 Gusht, 2017 17:02

Një ditë pas komenteve të kryeministrit për një raport të njënashëm politik të prodhuar nga Grupi i Task Forcës së udhëhequr nga zv/kryeministrja e dorëhequr tashmë Ledina Mandia, kjo e fundit ka deklaruar se i gjithë operacioni që pati si detyrë të pengonte ndikimin e qeverisë në zgjedhje nuk del dot me një përfundim të qartë nëse u garantua ose jo vota e shqiptarëve nga pjesëmarrja në qeveri e ministrave teknikë.

“A kemi dështuar? Në një kohë 20 ditore ministrat arritën që të merrnin masa me ato kapacitete që kishin, me atë infrastrukturë që kishin që të realizonin këtë proces të monitorimit. A u garantua vota e qytetarëve shqiptarë? Nuk mund ta them këtë”

Mandia thotë se u arrtit që të frenohej angazhimi i administratës në zgjedhje dhe mospërdorimi i posterave elektoralë. Me pak fjalë ekipi teknik i PD-së shërbeu si shtojcë e qeverisë për të bërë një lloj makiazhi të zgjedhjeve, të cilat kryeministri i quan më të mirat e zhvilluara ndonjëherë.

Në fund dokumenti nuk ka asnjë pasojë politike dhe bashkëqeverisja me të ashtuquajtur ministra teknikë mbetet një eksperiment pa substancë që ka si autorë dyshen Edi Rama dhe Lulzim Basha. Ata kanë rënë dakord sipas marrëveshjes së 18 Majit që të prekin kushtetutën për të ndryshuar sistemin politik dhe atë zgjedhor ndoshta me formula të ngjashme.

Edhe dorëheqja e ministrave duket se u krye për të shuar dyshimet se mes të dyve ka një marrëveshje jotransparente. Kjo pasi zv/kryeministrja Mandia thotë se pavarësisht dorëheqjes ajo dhe ministrat teknikë do qëndrojnë në detyrë deri në shtator kur të zëvendësohen nga parlamenti i ri. "Ministrat dhe zv/kryeministri kanë përgjegjësi për detyrat që ushtrojnë dhe nuk mund të braktisin zyrën. Do qëndrojmë në detyrë deri sa të përmbushen të gjitha kërkesat sipas kushtetutës. Do të thotë që duhet të bëhet propozimi nga kryeministri, duhet të dekretohet nga presidenti dhe të votohet në parlament”- thekson zv/kryeministrja në detyrë. Në këtë mënyrë mbyllen edhe gojët që shqetësonin Lulzim Bashën për mbajtjen në qeveri të ministrave teknikë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.