“Gjeli këndoi vezën e raportit”, Basha axhendën personale

Postuar në 18 Gusht, 2017 11:51

Lulzim Basha e komentoi me një postim në fejsbuk raportin ende të pazyrtarizuar të ministrave teknikë të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 25 Qershorit. Duke iu shmangur një ballafaqimi me mediat për pikëpyetjet që ngrihen mbi axhendën politike të opozitës pas hartimit të këtij raporti, Basha pranon në postimin e tij dy gjëra:

E para se formula e bashkëqeverisjes me gardianë të opozitës në zgjedhje dështoi dhe e dyta se bashkëpunimi me Edi Ramën ishte së paku një moment joserioz, pasi Edi Rama sipas tij as nuk kishte vullnetin për të përmbushur angazhimet e marra dhe për më tepër shpërfilli një marrëveshje si ajo e 18 Majit që u raportua si një hap i madh në demokracinë politike të vendit.

Basha shkruan se “Ministrat teknikë u sabotuan, u lanë pa fonde dhe pa burime; drejtuesit e lartë refuzuan bashkëpunimin dhe nuk ju bindën udhëzimeve të tyre; institucionet përgjegjëse vepruan sa për sy e faqe ose nuk u angazhuan fare. E gjitha kjo ndodhi për mungesë totale të vullnetit politik nga Edi Rama për të përmbushur detyrimet që mori përsipër përpara shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar”.

Më e pakta që do bënte një opozoitë përballë fakteve ku thuhet se pati shitblerje masive të votës dhe ku u përdorën grupe kriminale për zgjedhjet, do ishte të mos i njihte ato. Paradoksalisht Lulzim Basha jo vetëm që bën manarin e urtë në këtë drejtim, po merr përsipër të ndryshojë sistemin politik me të njëjtin personazh që thotë se nuk pati vullnetin të përmbushë detyrimet e marrëveshjes me opozitën.

“Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe një demokracie funksionale kërkojnë përfshirjen e gjithë shoqërisë, duke filluar me vetëdijësimin se shkelja dhe manipulimi i vullnetit të zgjedhësve është jo vetëm dhunim i një të drejte themelore njerëzore dhe politike, por edhe shkaku kryesor i keqqeverisjes dhe arrogancës politike që vuan vendi ynë prej kohësh”- shkruan Basha, duke përligjur teorikisht çdo ulje tjetër në tavolinë me kryeministrin Rama.

Për cilat arsye? Sipas tij “vendi ka nevojë për një reformë të thellë të sistemit politik, për të risjellë ndarjen, kontrollin dhe balancimin e pushteteve; për të garantuar të drejtat e individit dhe kontrollin demokratik të pushtetit nga opozita; për ta vënë politikën në shërbim të njerëzve dhe jo anasjelltas”. Ai thotë se demokratët janë të vendosur për përmbushjen e këtyre qëllimeve jetike për të ardhmen e vendit edhe pse deklaroi se demokratët nuk patën asgjë në dorë për të ndaluar manipulimin e zgjedhjeve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.