“Mbreti nuk është Perëndi”, Maroku në kërcënimin e trazirave

Postuar në 15 Gusht, 2017 21:57

6 vjet pas Pranverës Arabe, Maroku tronditet nga protestat që kërcënojnë stabilitetin e Mbretërisë. Ato nisën në vitin 2016 pas një incidenti me një peshkatar të quajtur Mouhcine Fikri, 31 vjeç, nga qyteti i Al Hoceima në Detin Mesdhe. Inspektorët i konfiskuan peshqit, sepse ishte jashtë sezonit dhe ia hodhën në një kamion plehrash. Fikri nxitoi për të shpëtuar mallin por kompaktori filloi të vepronte dhe ai u bllokua në kamion deri sa gjeti vdekjen.

Banorët e Al Hoceima, një qytet prej rreth 100 000 banorësh të  goditur nga dy tërmete në dekadat e fundit ku u vranë qindra vetë, akuzuan autoritetet se nuk e lanë biznesmenin e vogël të jetonte në një kohë kur i gjithë rajoni vuan nga varfëria e egër dhe diskriminimi i rëndë me financimet e qeverisë. Diçka e ngjashme me Tunizinë dhe Egjiptin, ku shkëndija e revolucionit shpërtheu për shkak të vdekjes së dy të rinjve, Mohamed Bouazizi në Tunizi dhe Khaled Mohamed Saeed në Egjipt. Që nga tetori, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare, Maroku nuk po gjen qetësi.

Në fillim, autoritetet menduan se orvatjet, represioni i protestave, prania e policisë dhe ushtrisë do të ishin të mjaftueshme për të qetësuar gjakrat. Por banorët e qytetit, dhe më vonë ato të rajoneve fqinje, e bënë të qartë se qeveria kishte keqkuptuar zemërimin e tyre. Demonstratat u përhapën në qytete të tjera, dhe ushtria arrestoi qindra protestues. Ndërkohë, gazetarëve iu  ndalua të mbulonin ngjarjet, dhe çdo gazetar që kishte marrë pjesë në protesta u arrestua dhe u rrah. Muajin e kaluar, teksa protestat u rritën, dikush u plagos rëndë dhe vdiq këtë javë.

Një zhvillim i tillë është  gjëja e fundit që i nevojitet mbreti Mohammed VI, i cili në korrik shënoi 18 vjet në fron në korrik. Në një fjalim për festimin e përvjetorit, mbreti nuk mundi më të shmangte përmendjen e incidenteve, por ai u mjaftu me një vërejtje për zyrtarët që nuk i zbatuan planet e tij të zhvillimit për rajonin Rif afër ngushticës së Gjibraltarit.

Rajoni i trazuar

Banorët e Rifit, shumica prej të cilëve janë berberë, kanë parë përmirësime të mëdha në të drejtat e tyre kulturore gjatë sundimit të mbretit, por ata ende janë të diskriminuar ekonomikisht, dhe fjalimi i mbretit ishte një zhgënjim për ta. Jo vetëm që inspektorët përgjegjës për vdekjen e Fikrit  u dënuan  me burg vetëm disa muaj, por premtimet për zhvillimin e rajonit mbetën të zbrazëta. Qeveria i dha 650 milionë euro rajonit, por pasi mbreti urdhëroi një hetim pse nuk ishin përdorur fondet njerëzit e kuptuan me shumë për korrupsionin e rëndë burokratik.

"Liria, dinjiteti dhe drejtësia sociale", slogani i ;ëshuar në Sheshin Tahrir të Kajros, tani dëgjohet edhe në Al Hoceima dhe qytete të tjera, me qeverinë që është në dilemë  nëse më shumë para janë të mjaftueshme për të qetësuar udhëheqjen joformale të Lëvizjes Popullore (el-Hirak el- Shaabi), siç e quajnë protestuesit. Kreu i lëvizjes Nasser Zefzafi, i cili është nën arrest,  39 vjeçar, i papunë ka premtuar se protestat do të vazhdojnë derisa kërkesat e protestuesve të përmbushen.

Banorët e rajonit, të cilët janë krenarë për suksesin e tyre në luftën kundër forcave spanjolle në fillim të shekullit të 20-të, kërkojnë jo vetëm dinjitet, por dhe drejtësi. Prania e rëndë ushtarake në rajon ka krijuar përshtypjen se qeveria e sheh Rifin si një rajon në revoltë që duhet të shtypet. Trafikimi i drogës është i zakonshëm në këtë zonë dhe shumë të rinj nga Ref hynë në Shtetin Islamik në Siri dhe Irak  si një alternativë ndaj papunësisë. Në çdo rast, qeveria tani është e ndarë në dy fraksione: një që mbështet një shtypje të kryengritjes, tjetra në favor të dialogut me demonstruesit.

http://www.haaretz.com/world-news/1.806306

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.