Nuk duroi dot. Kryeministri i Shqipërisë ndërhyn në dialogun e brendshëm të Serbisë

Postuar në 15 Gusht, 2017 10:14

Edi Rama ka gjetur një mënyrë për protagonizëm në diskutimin që presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka nisur brenda Serbisë për çështjen e Kosovës. Me anë të një interviste për gazetën serbe “Blic”, kryeministri I Shqipërisë ka ndërhyrë në një çështje që vetë Beogradi e trajton si “Dialog të brendshëm për Kosovën dhe Metohinë” për të dhënë “mendimin e tij”.

Ajo që është e domosdoshme në këtë fazë është vërtet ajo që presidenti juaj e ka nisur si dialog të brendshëm, i cili, meqë ra fjala, nuk do të ishte i parëndësishëm të ndodhte edhe në Kosovë e edhe në Shqipëri… Të gjithë duhet të kemi në mendje se gjetja e një zgjidhjeje për këtë çështje është në interes të të gjithëve, jo vetëm në të shqiptarëve. Sa më parë, aq më mirë”, citon gazeta kosovare “Zëri” intervistën e Edi Ramës.

Nuk është sekret që kryeministri shqiptar dhe presidenti serb komunikojnë rregullisht me njëri-tjetrin, madje kanë një miqësi personale. Dhe nga ky fakt ndoshta do kuptuar edhe prezenca e Edi Ramës në median serbe me disa ide që nuk dihet se çfarë mesazhesh mund të përcjellin. Ndërkohë që vetë pala kosovare nuk ka një protagonizëm të tillë, përderisa ajo është e angazhuar në dialogun me Serbinë në kontekstin e mekanizmave që janë ngritur nga komuniteti ndërkombëtar. 

Serbët mund të zhvillojnë çdo lloj dialogu dhe kjo është gjë e mirë, por kryeministri i Shqipërisë që sot propozon një dialog edhe në Shqipëri për atë që po ndodh në Serbi, ndoshta nuk do të duhej të sillej si analist i çështjeve rajonale, apo si shkrimtar. Aq më tepër kur në shkrimin e Vuçiç para disa javëve, të cilën z. Rama e përktheu dhe e publikoi në profilin e vet në Facebook, nuk përmendej në asnjë rresht Shqipëria.

Në çdo rast nocioni i një paqeje mes serbëve dhe shqiptarëve është i rremë dhe anashkalon më kot Kosovën. Pasi është e qartë fare mirë se serbët kanë vetëm një fërkim me shqiptarët: Kosovën. E cila është aty ku është falë vetes dhe komunitetit ndërkombëtar, Perëndimit. Pozicioni I Shqipërisë ka ndryshuar ndjeshëm dhe ai nuk mund t’i mbivendoset me paternalizëm një statusi të Kosovës që po konsolidohet.

Është po kështu një e papritur e pakëndshme dalldisja pas idesë për t’u dukur në Serbi si aktor rajonal, ndërkohë që fyerjet janë ekskluzivitet shqiptar i z. Rama në çdo dalje mediatike të vetën në shqip.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.