Refuzimi nga vendet Shengen nuk zgjidhet me masa policore

Postuar në 08 Gusht, 2017 13:58
Pëllumb Nako

Përsëri gjatë vitit 2016, qytetarët shqiptarë  hasën vështirësi dhe u ndëshkuan në kuadrin e lëvizjes së tyre në vendet e hapësirës Shengen. Gjatë vitit për të cilin po flasim, disa tregues të këtij aspekti u përkeqësuan sërish. Më konkretisht bëhet fjalë për 18.468 shtetas shqiptarë, të cilët nuk janë lejuar të hyjnë në vendet Shengen. Sikur të marrim për mesatare shumën 200 euro të shpenzuar nga secili për udhëtimin e papërfunduar, do të rezultonte se shtetasit e vendit më të varfër në Europë gjatë vitit 2016 kanë humbur rreth 3.5 milionë euro për mungesë informacioni.

Problemi është i njohur dhe i trajtuar disa herë në media dhe në forma të ndryshme. Në bazë të klasifikimit të vendeve të cilët kanë më shumë refuzime, vendi ynë rezulton i treti, pas Rusisë dhe Ukrainës. Por nëse llogaritë bëhen për frymë, nuk ka njësi që ta masë problemin. Nga rajoni ynë Serbia renditet e pesta dhe Bosnje-Hercegovina e nënta. Gjatë vitit 2012, ky numër ishte 12.932, pra rreth 6 mijë më pak. Refuzimi i hyrjes në një vend të caktuar të zonës Shengen ka të klasifikuara dhjetë arsye dhe secila prej tyre paraqitet me një germë alfabeti.

Shtetasit shqiptarë më të shumtë në numër janë: Në germën E (6279) – kur personi nuk ka dokumentet e duhura për të justifikuar qëllimin e udhëtimit. Në germën G (4378) – Kur personi nuk ka financat e mjaftueshme për të justifikuar qëndrimin. Në germën H (5264) – kur për personin ka një alarm në sistemin SIS (Sistemi Informativ Shengen), që ndër të tjera do të thotë se ai ka shkelur rregullat e qëndrimit një herë apo më shumë në zonën Shengen dhe si i tillë është dëbuar nga kjo zonë duke u konsideruar i padëshirueshëm nga 5 deri në 10 vjet.

Natyrshëm gjithkush mund të mendojë se përgjegjësia është e çdo individi, i cili duhet të jetë i mirinformuar për rregullat e hyrjes dhe të qëndrimit në këto vende. E drejtë. Por kur numri i tyre afrohet në 20 mijë, çështja nuk mund të ngelet në dorën e individit. U duhet strukturave shtetërore të marrin situatën në dorë dhe të rregullojnë gjendjen. Minimalisht shteti për këtë punë është. Kohët e fundit është folur për disa masa shtrënguese në këtë drejtim.

Por, për fat të keq, jo si reagim ndaj statistikave të mësipërme dhe domethënies së tyre, por si rezultat i presionit të autoriteteve franceze, të cilat janë alarmuar për shkak të rritjes përsëri ndjeshëm të kërkesave për azil gjatë vitit 2016 (4601) krahasuar me 2245 në vitin 2015. (OFPRA) Në rast se për statistikat e dhëna më sipër nga raporti i FRONTEX-it këtë vit do të gjendej koha dhe autoritetet t’i lexonin mirë, do të identifikoheshin dy probleme të mëdha për të cilat duhet punuar.

Refuzimet sipas germave E dhe G që në total shkojnë mbi 15.000, tregojnë qartë se qytetarët shqiptarë ose i nënvleftësojnë ose akoma më keq nuk i dinë rregullat bazë mbi të cilat është fituar liberalizimi i vizave. Nuk jemi në kushtet e një lëvizjeje të lirë, por bëhet fjalë për lëvizje të liberalizuar, që do të thotë se çdo shtetas shqiptar duhet të justifikojë motivin e udhëtimit dhe të ketë financat e duhura për këtë udhëtim. Lidhur me këto dy pika dhe të tjerat, vite më parë është bërë një punë e madhe informuese, së cilës i ka ardhur koha të ripërdoret masivisht.

Nuk zgjidhet problemi vetëm me masa shtrënguese policore. Rruga më e mirë është ajo e sqarimit përsëri të rregullave të lëvizjes në zonën Shengen nëpërmjet medias. Më konkretisht nëpërmjet spoteve televizive. Por këto spote ndoshta kushtojnë shumë dhe mendja menjëherë të shkon te marrëveshja për të detyruar median të paraqesë falas spotet e partive. Falas apo me pagesë, sensibilizimi i njerëzve duhet bërë. Për sa i përket pikës tjetër (G), ajo tregon se gjatë vitit 2016, 5264 shqiptarë e kanë djegur për disa vite shansin e tyre për të udhëtuar në vendet e BE-së.

Kjo kategori duhet sqaruar mirë, pasi nuk kanë asnjë shans të hyjnë në mënyrë të rregullt në vendet Shengen. Ndalimi i hyrjes së tyre në këtë zonë me statusin “pa pranueshëm” (inadmissible), gjë që nuk duhet ngatërruar me konceptin “i padëshiruar” (non gratta), ka një datë fillimi dhe një datë skadimi. Por këto afate vendet e Bashkimit Europian, në kuadrin e mbrojtjes së të dhënave me karakter personal, nuk ua transmetojnë as vendeve amtarë të këtyre personave (në rastin konkret Shqipërisë).

Pra, duke qenë se këto të dhëna janë regjistruar në baza elektronike të dhënash (SIS), çdo individ ka të drejtën e tij të informohet se çfarë është shkruar në arkivat elektronike lidhur me të. Pra, të gjithë personat objekt i germës D kanë të drejtë të informohen se kur u fillon dhe kur u mbaron afati i ndalimit të hyrjes në zonën Shengen. Adresimi duhet vërtet individual, por autoritetet kompetente kanë për detyrë të publikojnë, (madje të ngrenë edhe ndonjë zyrë për të asistuar qytetarët) adresat e të gjitha autoriteteve që kanë për kompetencë njoftimin në raste të tilla të të gjithë vendeve anëtare të zonës Shengen.

Tërë adresat e tyre janë publike dhe gjenden edhe një guidë e bërë publike për kodin Shengen. (Edhe PAMECA munda ta bëjë thjesht këtë punë, ta gjejë dhe të ndihmojë administratën shqiptare) Autoritetishqiptar më i natyrshëm për këtë punë është Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e cila mjafton ti drejtohet zyrtarisht gjithë ambasadave te vendeve Shengen (edhe të atyre që nuk janë në Shengen, por kanë pranuar liberalizimin e vizave) për të marrë gjithë informacionin e duhur.

Kjo agjenci në këtë rast mund dhe duhet të ndërhyjë që t’i ndihmojë shtetasit e vendit të saj të varfër të mos humbasin paratë kot dhe të interesohen nëse kanë apo jo probleme me zonën Shengen para se të nisen. Sipas nenit 106 të Kodit Shengen, vetëm vendi i origjinës së regjistrimit në SIS mund të modifikojë ose fshijë regjistrimin. Me fjalë të tjera, personi i cili ka qenë subjekt i një dëbimi (ekspulsi), duhet t’i drejtohet me një kërkesë personale autoritetit kompetent të vendit Shengen, i cili ka marrë masën për dëbimin e tij.

Konkretisht, sa për ilustrim, nëse një shtetas shqiptar është dëbuar nga Belgjika, duhet t’i drejtohet autoritetit konkret të shtetit belg në adresën e mëposhtme: Commission de la protection de la vie privee Boulevard dë Vaterloo, 115 B-1000 Bruksel Tel. 0032 2542 72 00 Email: commissionëprivacy.fgov.be

Po kështu në kodin Shengen janë publikuar edhe adresat e duhura të Austrisë, Belgjikës, Holandës, Luksemburgut, Francës, Gjermanisë, Italisë, Portugalisë, Greqisë, Danimarkës, Suedisë, Spanjës, Finlandës, Norvegjisë dhe Islandës. Këto janë vetëm disa sugjerime, pasi mënyra se si të rregullohet kjo gjendje, mund dhe ka plot të tjera. Vetëm përgjegjshmëri dhe jo demagogji karshi qytetarëve duhet. Asgjë më shumë.

*Titulli origjinal: Refuzimi i vendeve Shengen për shtetasit shqiptarë

"Panorama" 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.