“Trump dhe ‘korrektesa politike’ po vrasin humorin në SHBA

Postuar në 08 Gusht, 2017 09:48
Intervistoi: Luca Mastrantonio

Më poshtë një intervistë e Charles Simic, poet amerikan me origjinë serbe, i cili ka fituar çmimin “Pulitzer”. Dhënë për gazetën “Corriere della Sera”, intervista prek tema të aktualitetit, të së shkuarës për të cilat Simic shfaqet shumë i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë. Njësoj si fillimet e tij në poezi, që siç thotë morën shkas nga dëshira për t’u bërë përshtypje femrave.

Kënaqësinë e parë të gjuhës e zbuluat nga fjalët e pista. I vogël, shkruani në libër, morët një shuplakë nga mamaja sepse zutë në gojë seksin femër.

Isha 5 vjeç, e dëgjova atë fjalë nga motra e gjyshes time. Jetonte vetëm në Beograd, i shoqi, i moshuar ishte në fushë, ajo ishte një grua e bukur, mbi të 50-tat, e emancipuar, e veshur me kujdes, edhe gjatë luftës. Më ka mësuar të gjitha fjalët e pista, më pëlqente shumë.

Poezitë duhet të mbanin gjallë atë lloj kënaqësie

Për mua është kështu, në familjen time kishte shumë shkujdesje. Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Beograd, qëndronim ulur duke qarë, të mërzitur, të pushtuar, të bombarduar nga aleatët, me një luftë civile, një gjë absurd, por sërish, njerëzit e gjenin mënyrën për të qeshur. Kujtoj njëherë që ishim në një bodrum qymyri të një pallati me katër kate. Papritur një grua nisi të bërtiste emrin e djalit që nuk ishte aty: nja dy djem dolën ta kërkonin. Ndërkohë bombat vazhdonin të binin, ishte e frikshme. Kur u kthyen bashkë me të, u mor vesh se kishte shkuar në lart, në rrugë për të parë gjithçka. Nëna nisi ta qëllonte me dacka dhe bërtiste: “Nëse e bën prapë do të të vras”. Ishte serioze, e dëshpëruar, por më pas edhe ajo, si ne, shpërtheu në të qeshura. Si mund t’i thuash dikujt “Nëse nuk fshihesh nga bombat do të të vras?”

Në vitet ’90 ishin “bomba inteligjente”. Sureale apo jo?

Propagandë. Kur më etiketonin si poet surrealist, u përgjigjesha se jam realist, sepse jam rritur në Beograd mes bombave. Nuk ishin bomba imagjinare, por reale. Duhet të isha realist. Por pavarësisht shakave, lojërave, në poezi ka diçka themelore që është reale, origjinale, që mund të dallohet: është kjo që meriton lexuesi.

Për dikë që ka ditur të qeshë në kohë bombash, si është të qeshëh në paqe: më e lehtë? Më e vështirë?

Sot nuk gjej shumë që të jetë me të vërtetë argëtuese. Për shkak të Trump dhe të frymës së të qenit politikisht korrekt. Nuk shkruan dot një pjesë komike mbi të, sepse nuk ka asgjë mbi të cilën të bësh satirë: Trump nuk është komik, si të gjithë ne, është një krijesë qysh tani groteske. Dhe nuk e rëndon dot dorën sepse duhet të respektosh korrektesën politike. Humori sot has shumë probleme në SHBA, sepse është bazuar përherë mbi stereotipet dhe pasurinë etnike: 30 vjet më parë komedianët talleshin lirisht me hebrejtë, italianët dhe polakët. Sot nëse thua “si ta dallosh një laps polak? Ka gomë nga të dyja anët”, nuk mund ta dish asnjëherë nëse do të qeshë dikush sepse do thonë: është racist.

Është e vërtetë që iu dedikuat poezisë për të bërë përshtypje te vajzat?

Doja të bëhesha piktor, kisha talent, por jo mjaftueshëm. Poezinë e zbulova sepse dy djem me të cilët isha shumë mik, lexonin dhe shkruanin poezi. E provova edhe unë, por nuk ja thosha. Atëherë nis atë lexoj në bibliotekë, shumë dhe pastaj një ditë vura re se disa vajzave u pëlqenin poezitë e dy miqve të mi dhe mendoja “ah –ah!”

Keni menduar ndonjëherë të shkruani në gjuhën serbe, gjuhën tuaj të nënës?

Jo. Nëse doja të bëja përshtypje mbi një vajzë në Çikago dhe do t’i tregoja një poezi, do të duhet t’i thosha: Linda, është një poezi shumë e bukur, do të ta lexoja, por është në serbisht, nuk do kuptoje gjë.

Duket si një skenë e Woody Allen.

Po do kishte qenë idiote.

Ju ndodh të flisni serbisht?

Rrallë, vetëm kur prindërit e mi më shfaqen në ëndërr.

Si ishte Neë York, po (Greenwich)Village?

Isha vetëm, nuk njihja njeri, gjatë ditës punoja, natën shkoja në shkollë. Jetoja në një apertament studio. Një periudhë shumë e bukur: kur je vetëm i kushton më shumë vëmendje asaj që të rrethon, jetës së rrugës, të rrugëve. Ishtë një qytet etnik, lagje të ndara, shumë kontraste. Nga Park Avenue, 5th Avenue në Midtoën, deri në 2nd Avenue, kishte blloqe banimi, ndërtesa të vjetra me daljet e emergjencës kundër zjarrit, ku jetonin të varfrit, djem që luanin bejzboll rrugëve dhe nëna që bërtisnin: “Mario, do të të vras”. Çmenduri! Pastaj arrije në Plaza, luks i shfrenuar, dyqane, gra shumë të bukura dhe elegante, limuzina, tjetër jetë. Në Village ishin Philip Guston, Franz Klein, De Koning, ishte një baar ku takoheshim.

Çfarë mendon për Nobelin për Bob Dylan?

Më pëlqen Dylan, disa nga tekstet e tij janë shumë të bukur, të paktën disa. Por për muzikën, performanca është pjesë e pandarë, tekstet më vete janë përherë shumë më inferiorë nga përvoja e përgjithshme. Nga ky këndvështrim nuk duhet ta merrte, një lloj fyerjeje ndaj letërsisë amerikane, është si të thuash:  kjo është më e mira e letërsisë amerikane, të harrojmë shkrimtarë si Philip Roth. Sigurisht zgjedhjet shpesh janë të çuditshme. Njësoj si kur ka fituar italiani Dario Fo, apo jo? Më pëlqejnë veprat e tij, por e meritonte me të vërtetë Nobelin?

Ju shkruani se “fjalët bëjnë dashuri mbi faqet njësoj si mizat në të nxehtë”. Ti si i josh?

Nuk jam nga ata që e dinë tashmë se çfarë do të shkruajnë. Çdo gjë merr fill nga e folura, një frazë, ndonjëherë një copëz përvoje, diçka që të mbetet në kokë. I hedh fjalët në faqe, sipas asocimeve, imagjinatës, i shikon, luan dhe ato nisin të zhvillohen në një farë mënyre, derisa mbaron dhe e lë aty, duhet të ndalosh, të tërhiqesh, pastaj kthehesh, mendoje të shkoje në Romë kur në fakt ke përfunduar në Berlin. Isha duke ngrënë njëherë, vetëm në shtëpinë time. Pashë pirunin, duhet ta kisha vjedhur në ndonjë restorant: ishte shumë interesant, shumë i përdorur, u bë për mua një subjekt, kërkova fjalët që përcillnin përvojën time vizive, historinë e tij”.

Botohet me shkurtime

*Titulli dhe përkthimi nga ResPublica 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.