Droga, patentë (pu)shtetërore e Republikës së Shqipërisë

Postuar në 05 Gusht, 2017 10:42

Zëri i Amerikës raporton sot për një rritje të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Media në fjalë, e imunizuar ndaj rromuzeve të sforcuara dhe nga halli të qeverisë në Tiranë, i referohet raporteve të Antidrogës italiane që “bllokoi gjatë muajit qershor rreth 6 tonë lëndë narkotike kanabis”. Shkruan ZA: 

Sipas të dhënave zyrtare të antidrogës, të sapopublikuara për muajin qershor, nga 6 tonë kanabis të sekuestruara gjithësejt rreth 5,2 tonë ishin marijuanë, rreth 700 kilogramë hashish dhe rreth 37 mijë ishin bimë narkotike të asgjësuara në brendësi të territorit italian. Policia italiane tha se vetëm gjatë qershorit të këtij viti arrestoi 1.604 persona në 1705 operacione nga të cilët 798 të huaj, pjesa më e madhe e të cilëve nga Shqipëria. Në qershor të vitit 2016 ishte bllokuar vetëm 1,3 tonë Kanabis nga e cila vetëm 382 kilogramë ishte marijuanë. Policia kishte arrestuar 1.370 persona në qershor të vitit 2016 në 1.351 operacione të zhvilluara. Ndërkohë të dhënat më të fundit nga antidroga italiane flasin dhe për një rritje të ndjeshme të trafikut të heroinës krahasur me një vit më parë.Sipas të dhënave zyrtare në qershor të vitit 2017 u bllokuan 44kg heroine nga 19 kg heroinë që ishin bllokuar qershorin e vitit 2016.

Ka pra një rritje të verifikuar të trafikimit dhe llojeve të drogave që Shqipëria eksporton drejt BE-së. Siç mund të merret me mend, ky aktivitet kërkon infrastrukturë të konsoliduar, sipërfaqe mbjelljeje, kultivim, mbledhje, magazinim, përpunim, paketik, transport. Këtu duhet mbajtur parasysh se transporti kalon nga deti dhe trafikantëve iu duhet të thyejnë barriera të mëdha siç janë kalimi me gomone, ose përmes trageteve. Në çdo rast, sasia e shtuar dëshmon për aktivitet të shtuar dhe për rrjedhojë për dështim të policisë. E cila nga ana e fundit ka raportuar se “për periudhën nga Janari deri në Korrik sekuestroi rreth 60 tonë marijuanë dhe asgjësoi mbi 50 mijë bimë marijuane të mbjella në disa qarqe të vendit”. 

Kur thuhet që policia ka dështuar nënkuptohet se kemi të bëjmë me një drejtim pune që nuk ka ecur mirë në kushtet kur vullneti politik dhe angazhimi institucional është i tillë që kërkon mbylljen e aktivitetit. Mirëpo kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Kanë kaluar 25 vjet që nga dita e themelimit të Republikës Shqiptare të Drogës dhe deri më sot nuk është verifikuar asnjë rast i strukturave të organizuara kriminale si në rastin e Italisë, të cilat krahas aktiviteti kriminal ekonomik vijnë e konstituojnë rreziqe të reja duke penetruar në shkallët e poshtme të pushtetit. Në Shqipëri droga është ekonomi e sponsorizuar nga politika dhe fytyra e saj më e qartë ishte parlamenti që lamë pas, ku njerëz me precedentë gjithëfarësh depërtuan deri në vendimmarrjen më të lartë. Ndaj të akuzosh sot policinë për drogën është një qëndrim më së paku i paqaë. Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi dikur se Lazarati ishte vendim i tij, pra nuk është se policia e kishte të pamundur ndërhyrjen në atë fshat. 

E njëjta situatë edhe sot. Kryeministri i tanishëm ka vetëm disa muaj që është kujtuar të flasë për drogën, kanabisin, për strategji etj.. Dhe këto vetëm në funksion të një shprese për disa negociata nga BE-ja. Asgjë më shumë. Sepse ndihet fare mirë shkalla e kriminalizimit të ekonomisë, stabiliteti i rremë i saj që ngrihet pikërisht mbi këtë “bamirësi” të pushtetit. Sot, kur BE-ja po kthen krahët, ne mund të marrim me mend se parimi qeverisës në një vend si ky yni, do të jetë sërish lejimi i aktiviteteve të këtilla që mbajnë të angazhuar kategori problematike dhe gjenerojnë të ardhura sa për të mos fermentuar një situatë tensioni, apo edhe emigrimi masiv. Është pra një dukuri që ka bekimin e pushtetit dhe të kërkosh te policia fajin bie në kurth. Policia është për të gjobitur rrugëve, apo për të rrahur ndonjë tregëtar ambulant, xhandare tipike e një kohe që mendohej se ishte lënë pas. Sa për drogën, ajo është një markë shtetërore. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.