SHBA dhe BE në Ballkan

Postuar në 03 Gusht, 2017 10:02

Samiti i Podgoricës mbajtur me iniciativën amerikane, rikonfirmoi angazhimin e SHBA-së në çështje të sigurisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Nuk është e rastit që vizita e Pence në Mal të Zi formalisht u realizua nën ombrellën e Kartës së Adriatikut, një krijim amerikan për promovimin e anëtarësimit në NATO të vendeve të Ballkanit. Karta e Adriatikut u nënshkrua në Tiranë në vitin 2003  dhe që prej themelimit, nismës i janë shtuar edhe dy anëtarë, Mali i Zi dhe Bosnja, si dhe Kosova e Serbia në cilësinë e vendeve vëzhguese. Që prej vitit 2014, Kosova ka shprehur dëshirën për të qenë anëtare me të drejta të plota e Kartës së Adriatikut.

Që nga themelimi e deri më tani Karta e Adriatikut ka përmbushur shumë mirë synimet e veta duke u kthyer në një instrument efektiv i politikës amerikane në këtë zonë. Mjafton të kujtohet se anëtarësimi i Shqipërisë dhe i Malit të Zi në NATO, u bë me vendim direkt të amerikanëve; në rastin e Shqipërisë në vitin 2008, ndonëse kriteret dhe standardet nuk ishin përmbushur dhe për Malin e Zi në vitin 2016, me procedurë të përshpejtuar.

Nuk ka asnjë dyshim se përpara se të jetë çështje e sigurimit kolektiv, Karta e Adriatikut me bashkimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në një angazhim prej të cilit vështirë se mund të shkëputen, konfirmon synimet amerikane dhe ndikimin e SHBA. Me një format që tashmë është analog me Nismën e Berlinit në planin ekonomik, Karta në vetvete sugjeron dualitetin e vazhdueshëm SHBA-BE në Ballkan. Në të dyja rastet kemi investim të madh nga Perëndimi për të ruajtur Ballkanin nga rrëshqitja në ndikime të tjera, por duke u qasur nga dy drejtime. SHBA nuk ka shprehur ndonjë ambicie ekonomike në këtë zonë, përveç ndërtimit të disa rrugëve. Gjermania dhe vende të BE-së po përpiqen të mbajnë gjallë iluzionin e integrimit pa hequr dorë nga kriteret dhe standardet dhe të mbajnë të lidhur ekonomikisht rajonin.

Ka një dallim jo të vogël në këtë drejtim: anëtarësimi në NATO është shumë më i thjeshtë për vendet e Ballkanit sesa anëtarësimi në BE. Shqipëria dhe Mali i Zi e dëshmojnë këtë. Po kështu traktati i Miqësisë Bullgari – Maqedoni është një tjetër sinjal që Shkupi zyrtar do të jetë së shpejti në Aleancë, ndërkohë që shenjat për lëshime për çështjen e emrit e bëjnë të qartë këtë gjë. Nuk mund të kalojë pa u vënë re edhe qëndrimi i Shqipërisë zyrtare; ajo luajti me Platformën e Gjuhës për të presuar dhe neutralizuar çdo mundësi për aleancë me Nikolla Gruevskin, duke e lënë atë pa asnjë shans për krijimin e qeverisë. Kjo i hapi rrugën Zoran Zaevit që sot po vepron shpejt për të eliminuar problemet që mbartin tensionet në Maqedoni.

Përkundrejt këtyre lehtësive kërkohet një sigurim partnerësh dhe angazhim kundër ndikimit rus. Zyrtari i lartë amerikan Hoyt Brian Yee ka disa muaj që përsërit rrezikun rus në Ballkanin Perëndimor. Dhe ai është vetëm një ndër zyrtarët që e bëjnë këtë gjë. Mike Pence në Podgoricë theksoi pikërisht këtë gjë duke përshëndetur “kurajon e malazezëve për të përballur presionin rus”. Vizita e tij në Mal të Zi është vetëm një aspekt simbolik ndaj miqve të rinj sllavë në Ballkan dhe Karta e Adriatikut është formati më i përshtatshëm. Në këtë kuadër jashtë suazës së ndikimit amerikan mbetet ende vetëm Serbia dhe Bosnja.

Serbia mori një sinjal pozitiv pak muaj më parë kur SHBA bllokoi krijimin e ushtrisë së Kosovës. Presidenti Vuçiç u ftua në SHBA ku u takua me zv. Presidentin Pence dhe ndonëse ka rezistencë, sërish serbët ranë dakord që të marrin parasysh kërkesat e SHBA për statusin e punonjësve të Qendrës ruse në Nish. Edhe referendumi i Republikës Srpska i parashikuar për vitin 2018 nuk duket se mbështetet më nga Beogradi. Ose të pakën nuk mbështetet më me atë zell si më parë. Nuk duhet harruar se pa SHBA avancimi I pavarësisë dhe shteformimit të Kosovës nuk do të ishte I mundur. Pence ka lënë të kuptohet se në SHBA nuk përkrah ndryshime kufitare në Ballkan, janë rusët ata që e kërkojnë këtë gjë sipas tij. Kjo do të thotë se edhe Kosova nuk preket, pavarësisht propozimeve të fundit.

Qasjes amerikane që është praktike dhe që u vjen përshtat ballkanasve me shtetet e tyre të dështuara, i qëndron parballë një model europian, i mbrojtur nga Gjermania, që është konsistent në procedurë. Shumëkush e ka të lehtë të imagjinojë që edhe Kosova mund të jetë anëtare e NATO-s, por pakkush e ka të lehtë të imagjinojë anëtarësim në BE edhe të Shqipërisë. Kërkesat praktike ushtrojnë presion të madh dhe ndikojnë në perceptim dhe është paradoks por e vërtetë që sot mund të flitet për një Europë të vjetër e cila nuk arrin të përshpejtojë zgjerimin e kufijve të vet. Kjo ka pasoja, pasi lëvizjet e Pence së fundmi po shpjegohen vetëm sipas një aspekti të Politikës së Jashtme amerikane dhe të sigurisë dhe asgjë më tepër. Ky aspekt është tensionimi me Rusinë dhe potenciali destabilizues i saj në kufijtë lindorë të NATO-s. Revista “Foreign Policy” shkruante dje se turi europian i Pence lidhet me stërvitjen e shtatorit organizuar nga Rusia afër Balltikut, ku pritet të marrin pjesë 100 mijë trupa. Partnerët e SHBA në Balltik kanë kërkuar sigurime të forta ndaj kësaj që po ndodh dhe në këtë kuadër Shtëpia e Bardhë është vënë në lëvizje. Por nuk është e qartë sa është dakord BE-ja dhe sidomos Gjermania me këtë transferim të tensioneve SHBA-Rusi në territorin europian. Është një hollësi me rëndësi të vihet re se zv.presidenti amerikan i kushtoi shumë rëndësi mikpritësve malazezë dhe dha garanci për anëtarësimin e Maqedonisë, të tjerët mesa dukeet ishin dekor.

Dhe është një hollësi që meriton një vëmendje në Shqipëri, trajtimi që mediat e pushtetit në Tiranë i bënë aktivitetit në Podgoricë. Kryeministri e përcolli thatë takimin duke zgjedhur si tekst njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Ndërkohë sot në mëngjes përcolli një shkrim të Deënis McShane, në të cilin Edi Rama dhe Zoran Zaev mburreshin si socialdemokratë të Ballkanit. Madje McShane sugjeronte që Merkel dhe Macron të ftojnë Edi Ramën në debatet për Europën. Duket se kryeministri shqiptar po vazhdon lojën e vet personale në kërkim të show, që në Podgoricë nuk ju mundësua për arsye që kuptohen vetiu. Nuk ka asgjë të llogaritur në këtë drejtim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.