PD, propozohet nen statutor që sanksionon largimin e Bashës më 2021

Postuar në 31 Korrik, 2017 12:16

Kundërshtarët e linjës politike të Lulzim Bashës në Partinë Demokratike, kanë dalë sot me një propozim konkret përmes të cilit kërkojnë ndryshime statutore që synojnë rivendosjen e balancës politike përmes disa rregullave. Grupi I përbërë nga Astrit Patozi, Jozefina Topalli, Arben Imami dhe Besnik Mustafaj vë në dukje se kapërcimi pa asnjë reflektim dhe përgjegjësi I humbjes së 25 qershorit ka sjellë faturë të shtuar për opozitën, vështirëson rrugën e saj drejt pushtetit dhe ka krijuar situatë jolegjitimiteti në lidershipin e PD-së.

“Partia Demokratike ka nevojë më shumë se kurrë për një platformë të qartë politike dhe për rivendosjen e saj në shina ideologjike të djathta. Partia Demkratike duhet të rikthehet sa më parë tek shtyllat e saj: anti-komunizmi, liria e individit dhe fjala e lirë, e drejta e pronës dhe tregu i lirë, familja. Ne duhet të luftojmë fort për të mposhtur qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit që është përfaqësuese e vetëm 20% të shtetasve shqiptarë, krimin, drogën, kanabizimin e vendit, korrupsionin marramendës, varfërimin e vendit, oligarkinë, abuzimin me anë të populizmit të shfrenuar, largimin e shqiptarëve të pashpresë për një jetë të re larg vendit.

Humbja e mbi 230.000 votuesve tanë kërkon një analizë të thellë dhe serioze që duhet të kalojë nga forumet tona të ngritura me kaq mund ndër vite. Këto forume duhet të mblidhen dhe të nisin në çdo degë të partisë anembanë vendit analizën e humbjes dhe rikthimin e besimit tek votuesit tanë e më tej.

Për këtë ne do të punojmë si një lëvizje e strukturuar brenda partisë me një platformë të qartë politike dhe në muajin shtator do të paraqesim një projekt-statut të ri për t'u vendosur më pas nga Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Demokratike jo më vonë se fundi i vjeshtës së këtij viti.

Projekt statutit i ri do të duhet të përmbajë:

a) Rregulloren, procedurën, kriteret dhe standartet për zgjedhjen e kryetarit të PDSH.

b) Rregulla të qarta mbi sistemin e karrierës dhe meritës në të gjitha nivelet e organizimit dhe hierarkisë së Partisë.

c) Përcaktimin e procedurës, kritereve e modaliteteve në miratimin e kandidaturave për deputetë dhe kandidaturave të tjera elektorale nga organet vendimmarrëse kolegjiale të partisë dhe shqyrtimin e propozimin e tyre nga anëtarësia.

d) Ndalimin e çdo marrëveshjeje për bashkëqeverisje me kundërshtarin politik pa vendimmarrjen e organit më të lartë të partisë, Kuvendit Kombëtar.

e) Krijimin e gjykatës së partisë me përbërje edhe të figurave historike të partisë, për kontrollin formal të vendimarrjes së organeve të të gjitha niveleve të Partisë.

f) Këshillin e të Urtëve të Partisë Demokratike, i cili duhet të jetë një organ i përhershëm këshillimor dhe me autoritet moral i PDSH-së, i përbërë nga personalitete të Partisë Demokratike ndër vite.

g) Këshilli Kombëtar duhet të zgjedhë mes anëtarëve të tij kryetarin e Këshillit Kombëtar, me kompetenca për thirrjen dhe drejtimin e Këshillit Kombëtar.

gj) Përcaktimin e detyrimit statutor për mbledhjen e Këshillit Kombëtar rregullisht dhe periodikisht.

h) Në rast të humbjes së zgjedhjeve parlamentare kryetari i PD-së të japë dorëheqjen e menjëherëshme;

i) Në rast të humbjes së dy palëve zgjedhjeve, kryetari i Partisë Demokratike të japë dorëheqje të parevokueshme.

j) Në rast se Partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare më tepër se herën parardhëse, kryetari i saj të japë dorëheqje të parevokueshme.

Pas paraqitjes së projekt propozimit për statutin e ri të Partisë, do të duhet të ngrihet menjëherë një komision i posaçëm për përgatitjen e projektit final të Statutit të ri. Ky statut do të duhet të diskutohet më pas në një Kuvend të Jashtëzakonshëm të Partisë”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

http://shqiptarja.com/Politike/2732/grupi-anti-basha-platforme-per-ndrys...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.