Koalicioni me qytetarët, populizëm mbi një politikë që zbatohet prej kohësh

Postuar në 30 Korrik, 2017 23:06

Ndërmarrja e kryeminisrit Edi Rama që po zhvillohet në okelion e bashkëqeverisjes me qytetarët nuk është ndonjë risi, as në planin e dokumenteve politike dhe qeveritarë dhe as në qasje. Për më tepër ajo është konfirmim i dështimeve të njëpasnjëshme në përmbushjen e objektivave që vetë qeveritë i kanë vënë vetes, duke investuar para, adoptuar koncepte dhe dokumente dhe duke kërkuar ndryshime strukturore. Dështime të cilat në fakt rrezikojnë të vënë në diskutim edhe suksesin e metodave të reja që ndihmohen nga teknologjia. 

Në thelb Edi Rama po sugjeron dy gjëra: pjesëmarrje të qytetarëve përmes denoncimeve, ankesave, votimit, opinionit, kërkesave dhe së dyti, pëmrirëism i ndjeshëm i cilësisë së administratës në ofrimin e shërbimit publik. 

Të dyja këto elementë përfshihen në atë që njihet si Open Government Parntnership, një iniciativë ndërkombëtare në të cilën Shqipëria është pjesë që në vitin 2011. 
https://www.opengovpartnership.org/countries/albania

Kjo iniciativë shërbehet me instrumentet e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit(TIK) për të rritur cilësinë e shërbimeve publike, duke e orientuar punën e administratës drejt qytetarit. Në këtë kontekst vijnë e marrin kuptim shërbimet e dixhitalizuara për të cilat sot shkruhet jo rrallë. Vendi që është në krye të zhvillimeve transformuese në këtë drejtim është Estonia. 

Shqipëria ka ecur jo pak në këtë drejtim. Portali ealbania është pika zyrtare e ndërfaqësimit të shërbimeve të institucioneve të ndryshme, mes të cilave janë ato për makinat, pronat e paluajtshme apo edhe të shëndetit dhe e-lejet. Mirëpo siç po na e konfirmon edhe vetë kjo nismë e Edi Ramës, ndikimi i punës së bërë nuk ka qenë i tillë që të flitet për një transformim. Shqipëria ka normë të lartë dhe në përshpejtim të penetrimit të internetit, fiks dhe mobile, por marrja e shërbimeve në rrugë elektronike qëndron poshtë formës tradicionale. 

Po kështu një tjetër arritje që u trumbetua shumë ishte aplikacioni “Shko”, ose konsullata online, e cila lehtëson shumë marrjen e shërbimeve për emigrantët, por sërish mbetemi në fazën e një suksesi të izoluar. 

Kur kryeministri flet për marrjen e hipotekës në 30 minuta dhe për bashkimin e ALUIZNI me ZRPP ai aty nënkupton pikërisht një unifikim që mundësohet nga dixhitalizmi i zonave kadastrale dhe kapaciteteve që janë ngritur tashmë për të shërbyer duke eliminuar me lloj lloj marifetesh në terren. Këtë e trumbetoi z. Rama edhe me ADISA, qendër e shërbimeve të integruara, por sa sukses pati?

Ai po flet për procese, skema ekzistuese, funksionale, por që ndoshta duan një sintezë të re. Kryeministri po e ngre në nivel politik një punë dhe metodë që është në zbatim prej disa kohësh, por kalimi në këtë fazë do të kërkonte një bazë të mirë të dhënash statistikore, studime se ku çalon puna, çfarë duhet bërë etj.. 

Këtu: https://www.opengovpartnership.org/sites/default/files/Albania_EoTR_2014..., një raport i pavarur. 

Në fakt Rama po kërkon mendime nga populli duke dhënë si adresë një platformë të re, të personalizuar, çka na thotë se arkitekturat e krijuara deri më tani, ku parashikohet teorikisht përfshirja me tjetër rol e qytetarit, nuk kanë dhënë efekt. Se përse kryeministri duhet ta dijë e nëse nuk e di, duhet të pyesë. 

Së dyti është ajo që z. Rama e quan njeriu i duhur në punën e duhur. Kjo është e vërtetë në një vend që ka probleme të thella të burimeve njerëzore, mirëpo edhe këtu lind pyetja sesi vallë vijmë në këtë pikë kur kjo qeveri ndër aktet e para që kreu në vitin 2013 ishte ndërhyrja në ligjin për nëpunësin civil. Z. Rama po na thotë se Shërbimi Civil shqiptar është bërnut, por sesi do të zgjidhet kjo situatë, në terma konkretë, nuk dihet ende gjë. Takimi i tij me nëpunës të dalluar ishte thuajse një nonsens logjik: të kërkosh frymë ekipi apo sens iniciative nga nëpunës që janë të lidhur me punën e tyre vetëm me rrogën, kjo kërkon së paku një premtim për tjetër skemë financimi. Pak kohë më parë z. Rama ofroi për mjekët e QSUT mundësinë e aktiviteteve private në mjediset publike pas orarit të punës. Çfarë mund t’i ofrohet një nëpunësi që aftësohet në shtet, ndjek kontrata milionëshe dhe në fund tërheq rrogën që nuk kalon 70 mijë lekë? Dhe që mund ta heqin në çdo ndryshim politik? Janë pyetje që duan përgjigje të qarta dhe jo personale. 

Në fund duhet thënë se nismave të tilla u mungon baza studimore. Sot në Fier kryeministri pranoi (shiko videon në Facebook minuta 26) se reforma territoriale administrative kishte dështuar në uljen e kostove të personelit, madje me kalimin nga komuna drejt njësive administrative, ishte shtuar numri i punësimeve. Këtu verifikohet një paradoks: nga njëra anë duam të punësuar që shërbejnë mirë, pra inkurajojmë rekrutimin, nga ana tjetër duam dekurajimin e punësimeve. Cilësia është një kriter, por këtë në kohën e sotme atë e mat jo me fjalë dhe mitingje dhe letra anonime dixhitale, por me shifra. Pa folur këtu për sigurinë me të cilën u mbrojtën përfitimet teorike prej aj para dy vjetësh. Këto mungojnë dhe patjetër që ndërhyrjet që do të bëhen kanë pak shanse të ecin dhe funksionojnë. Jo vetëm Shqipëria, por shumë vende nuk e kanë kulturën e shërbimit në administratë si privilegj dhe detyrë qytetare apo formë angazhimi. Ky është një aspekt kulturor i cili është i thellë. Operacione lokale si këto të z. Rama mund të shtojnë një patericë, por jo të kurojnë atë që kanë arritur ta bëjnë shoqëri të tjera. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.