As në pushtet, as në opozitë. Thjesht në Pazar

Postuar në 26 Korrik, 2017 23:19

Ajo që ndodhi sot në mbrëmje në Këshillin Bashkiak të Tiranës na rikonfirmon shijen e hidhur të poshtërimit që buron nga një klasë politike që është aty për të bërë biznes. Si fillim duhet të pranojmë se propozimi për rritjen e çmimit të ujit nuk është absurd në vetvete, as edhe nuk i mungon objektiviteti.

Në Strategjinë Kombëtare 2011-2017 për këtë temë, që është e hartuar disa vite më parë dhe që lexohet këtu: http://ujesjellesitirane.al/rreth-nesh/strategjia-kombetare/, pranohet se tarifimi i ulët i ujit është një ndër faktorët që nuk lejon ringritjen e sektorit.

Por ai është i ndërlidhur me faktorë të tjerë, si prodhimi me teprisë, faturimi i ulët, kostot e personelit, të energjisë etj., të gjitha që plotësojnë kompkleksitetin e situatës. Vetë publikimi i Strategjisë presupozon nevojën e politikave për ndryshimin e situatës, e cila është absurde në raportin kontraktual Ujësjellës – konsumator, sa kohë që furnizuesi nuk plotëson detyrimet për furnizim me ujë. Sipas këtij dokumenti mesataraja e furnizimit është 11.1 orë. Ka nevojë pra për ndërhyrje. Por në vend se të hidhet për diskutim kjo çështje, kryebashkiaku vepron ndryshe: së pari flet për një konçesion, pastaj merret me thatësirën dhe me disa aksione për lidhjet e paligjshme gjatë verës, për të vepruar me një “plan biznesi” depozituar natën në Këshillin Bashkiak. Argumentet e tij mandej që u përdorën për këtë ndërhyrje ofeondojnë gjithkënd, edhe atë që është i bindur se kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu. Erjon Veliaj e prezantoi pra nismën në një mënyrë që e vendosi atë kundër interesit publik që sigurisht nuk mund të pranojë kaq lehtë nisma të tilla tinzare, pavarësisht motivimeve.

Kjo situatë krijoi koniunkturën e duhur që forca të tjera të shpreheshin dhe të merrnin një pozicion. Partia Demokratike, që qëndron e dyta në Këshill doli a priori kundër, sa kohë që tarifimi i rritur nuk mund të aplikohet pa përmirësim shërbimi. Një bashki që harxhon 12 milionë euro për një shesh, mund të gjejë para që të ndërhyjë e mandej të kërkojë çmim të ri. Por PD-ja që është në krizë e ka opozitarizmin si refleksin e vetëm politik në këtë situatë.

Interes specifik këtu ka qëndrimi qesharak i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pas pozave për mbrojtjen e konsumatorëve, publikimit të kushteve etj., sot kjo forcë si me magji gjeti gjuhën me kryebashkiakun, mori pjesë në diskutim dhe votim dhe më pas, doli dhe mohoi që këshilltarët e saj kishin qenë aty në emër të saj. Kjo mungesë serioziteti justifikohet vetëm nga një gjë: përpjekja për të mos marrë faturën për këtë vendim, meqenëse ai perceptohet se krijon pakënaqësi. Kjo është lojë imazhi që nuk ka asnjë pasojë mbi votën e dy këshilltarëve të “nëmur” të LSI-së, për një çështje që do të harrohet.

Vjen këtu në shqyrtim pra qëndrimi i kësaj force e cila në zgjedhjet e 25 qershorit doli me tone luftarake, në emër të rinisë, bënte thirrje për armatosje, paralajmëronte fundin e Rilindjes dhe Petrit Vasilin kryeministër, ndërkohë që nuk përmbushi asnjë nga këto objektiva. Megjithatë ajo mori 70 mijë vota më shumë se në vitin 2013 dhe katër mandete më tepër, një president dhe rifitimin e qetësisë.

Nuk ka asgjë të re në këtë që po ndodh. Të kuptosh qëndrime si këto të LSI-së, kapërcime të tilla pindarike bëhet e thjeshtë nëse e sheh atë si forcë politike që nuk është as në opozitë, por as në pushtet. Ajo është një organizatë që është përherë në Pazar. Kjo premisë shpjegon atë që ndodhi sot, qetësinë e fituar të LSI-së dhe sidomos shpejtësinë me të cilën kjo forcë e fiton atë.

Opozitarizmi kur je pakicë bllokuese është teknikisht shantazh dhe nga shantazhi vijnë të mira materiale. Nëse hedhim sytë pas në këtë vite që ikën, mund të shohim sesi LSI-ja dhe Ilir Meta kalëruan Prokurorinë për të çliruar nga problemet e mëdha ministra si Gjiknuri, Tahiri, apo edhe vetë Erjon Veliajn. Më tej akoma, qëndrimi dhe heshtja për çështjen e kanabisit, ishte në fakt bashkëfajësia e mirëmenduar me kundërvlefta që ne nuk i dimë. Heshtja për konçesionet e shumta, miratimi i çdo nisme, votimi pro, pas një zhurme të vockël sa për të kujtuar nevojën e dorovitjes, janë shenjat tipologjike të kësaj partie. Po kështu askush nuk di sot të thotë se për cilat arsye u larguan ministra si Nasip Naço, apo Edmond Haxhinasto, edhe pse motoja “Të ecim më shpejt” mëton të shpjegojë se kjo u bë në të mirë të Shqipërisë.

Kjo e çmimit të ujit në Tiranës ishte një mundësi e mirë jo për të rendur me një votë domosdoshmërisht kundër, por për të hapur një debat publik që do të shteronte argumentet se pse ky propozim, anët e mira dhe të këqija të tij dhe sidomos për të zbardhur nëse pas tij, qëndrojnë apo jo interesa të tjera të cilat me siguri do të zbulohen rrugës. Jo. LSI-ja zgjodhi atë që di të bëjë më mirë dhe ja doli me sa duket të gjejë fjalën me kryebashkiakun e Tiranës. Pas kësaj sjelljeje prej batakçiu politik janë formalisht 250 mijë vota, që medoemos mund të rigjenerohen falë kësaj lloj politike që është as më shumë e as më pak, një nekrotizim i interesit publik dhe mekanizmave mbrojtës të tij. Nëse do të shohim vertikalisht nga Presidenti aktual drejt veprimeve në terren si këto, do të kuptojmë se qetësia e vërtetë konsiston në konsolidimin propagandistik të një imazhi që pajton racionalitetin me prakticitetin në emër të interesit të përgjithshëm, por që në fakt mbulon këtë skemë operimi biznesi që mjel paranë publike. Këto janë gjëra që dihen fare mirë. Askush nuk ka iluzione se çfarë përfaqëson Ilir Meta dhe partia e tij. Por shqetësuese është se efikasiteti i kësaj politike nuk është cenuar aspak. Madje gjasat janë që të rritet, sa kohë që vota për timonin vetëm,  nuk e shmangu dot tepsinë, e cila u leverdis të gjithëve. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.