Vojsava, Vladan Gjorgjeviçi dhe Mutari

Postuar në 23 Korrik, 2017 15:17

Këto ditë është shpikur një “debat” mbi kombësinë e Vojsavës, nënës së Skënderbeut. Debati është i shpikur për disa qëllime, dhe quhet i tillë, pasi nuk ka sgjë reale, përveç garës për klikime. Sigurisht pozën më qesharake e kanë marrë ata që mbrojnë pastërtinë arbërore Vojsavës teksa me këtë vetëshpallin patriotizëm të kulluar.

Edhe pse nuk është çudi që shumë prej këtyre po të cytësh pak biografinë, mund të dalë gjëkundi ndonjë vllah, ndonjë migrim nga jashtë, apo ndonjë shartim i “papëlqyer”. Ky është stadiumi ku ushtrohen “intelektualët” tanë, që sillen si tribunë dhe si profetë. Mirë është që të mos ua varësh këmborën, përderisa nuk dihet se çfarë garancie jep origjina për devotshmërinë e një njeriu. Ta zëmë vëllezërit Frashëri nuk i quan kush antishqiptarë, përkundrazi. Por nëna e tyre mesa dimë ishte me origjinë turke. Ndërkohë që edhe vetë vepra e Skënderbeut duhet parë me sy kritik dhe analizues, ka shumë që jo vetëm e quajnë këtë mëkat, por dalin si gjenetistë të sprovuar të historisë për të na thënë se ishte arbër dhe pikë nga të gjitha drejtimet.

Kjo e origjinës infekton të gjithë ligjërimin pasi ngrihet mbi një premisë që synon të deformojë një të vërtetë shumë komplekse në një rajon si Ballkani, ku asnjë popull nuk ka arritur të krijojë një kulturë që tejkalon kërkesën e vazhdueshme për të sanksionuar origjinën nacionale si kufi “botësh”.

Meqenëse argumentet nuk kanë vlerë në këtë tifozeri psikotike, shembujt mund të rezultojnë më argëtues në këtë drejtim, por edhe më instruktivë për të rrokur ndërlikimin e gjërave që sot synohet të thjeshtohen.

Ja një shembull i parë:

Letër e Martin Camajt dërguar Mustafa Krujës datuar më 12 maj 1954.

...

Para do ditësh pashë nji përkthim t’Uejin të librit të Gjorgjeviqit mbi ne. Un njof shumë mirë të nipin, nji djalë shum inteligjent me mendime kryekëput kozmpolite. Qesh dhe e ven në lojë gjyshin për naivitetin e tij. Ma ka provue me fakte se familja e tyne asht origjinë shqiptare dhe se llagypi i tyne nuk asht Gjorgjeviq, por FURKA.  I pari i tyne ka pasë shum dele, asht martue me nji vllahe dhe ka fillue me u marrë me tregti, tue lanë kështu blegtorin dhe bjeshkët e Namuna. I nipi habitet si ka mujtë me folë ashtu kundra vehtes Vladani. Ai merret me psykologji dhe fillon me e spjegue n’at mënyrë.

Marrë me shkurtime nga Hylli i Dritës numri 3, viti 2010, fq. 172.

Është e qartë fare mirë se një njeri si Vladan Gjorgjeviçi që njeh fshatrat e Shqipërisë dhe njerëzit e saj, patjetër që e njeh edhe origjinën e vet dhe këtu letra e Camajt, një poet dhe dikush që ka dhënë si rrallë të tjerë për letërsinë shqipe dhe imunizimin e saj nga flama e letërsisë me normë, është garanci se ky episod kaq grotesk, shembullizon fare mirë atë që është Ballkani.

Një shembull i dytë na vjen disi më larg, në kohë dhe në hapësirë. Ja se çfarë thotë gazetari dhe publicisti polak Ryszard Kapuscinski në librin e tij “Imperium” që është një përmbledhje reportazhesh nga Bashkimi Sovjetik në dy kohë. Në vizitën e tij në fund të viteve ’80 të shekullit të 20-të, na vjen përpara një pasazh që zbulon problemin nacional në këtë vend gjigand. Autori është në Baku të Azerbajxhanit. Ja refleksioni i tij:

Ashtu si të gjithë fshatarët kudo në botë që muhabetin e nisin nga të korrat, ashtu si anglezët që fjalë të parë në bisedë kanë diskutimin mbi motin, po kështu në Perandori hap i parë në vendosjen e kontakteve midis njerëzve është përcaktimi i ndërsjellë i kombësisë. Sepse nga kjo do të varet shumë.

Në shumicën e rasteve kriteret janë të qarta dhe të lexueshme. Ja kështu, këtu kemi rusin, këtu kazakun, ky është tatar, kurse ky uzbek. Mirëpo një përqindjeje të madhe të qytetarëve të këtij shteti autoidentifikimi u shkakton vështirësi serioze, ata – thënë ndryshe – nuk ndjehen pjesë e asnjë kombi. Kemi shembullin e mikut tim, Rusllanit, inxhinierit nga Çeliabinsku. Gjyshi i tij ka qenë rus, gjyshja – gjeorgjiane. Djali i tyre, d.m.th babai i Rusllanit, vendosi të jetë gjeorgjian. U martua me një tatare. Nga dashuria për t’ëmën  Rusllani pranoi të njihej si tatar. Gjatë studimeve në Omsk u martua me një kolege – uzbeke. Tani kanë një djalë, Mutarin. Ç’kombësi ka Mutari?

Imperium, fq. 119 – përkthimi i Astrit Beqirit.

Janë vetëm dy shembuj të vegjël në një det shembujsh historikë. Pa harruar këtu se janë po këta “intelektualë” që kur duan të ndihmojnë veten nuk mungojnë që në çështje të kombësisë të rrëmojnë një nënë apo gjyshe shqiptare të dikujt dhe kaq mjafton për ta shpallur tjetrin si lëndë të parë të predikimit. Sigurisht në rastin e tanishëm kemi teatër asgjë më shumë, kush për të provokuar apo për qëllime më të vogla, kush për të mos lënë vendin bosh në llogoren e vetëpunësimit si nacionalist me një barrë mend.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.