Veliaj “argumenton” rritjen e çmimit të ujit në Tiranë. Një vit më parë u përfol konçesioni për ujësjellësin

Postuar në 24 Korrik, 2017 09:01

Erjon Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës ka dalë sot në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në “News24” për të sqaruar arsyen e rritjes së çmimit të ujit të pijshëm. Njësoj si në vendosjen e takës së arsimit që është antikushtetuese, kryebashkiaku e ka jusitifikuar çmimin e ri me nevojën e Bashkisë për të marrë kredi në funksion të investimeve për të sjellë 24 orë ujë te konsumatorët.

Çmimi do të rritet të paktën sa për banorët e Kamzës. S’mund të paguhet uji më shtrenjtë në Bathore se sa në Kamëz. Sigurisht ai që ka pishinë të matet mirë dhe ai që vadit tokën me ujin e pijshëm. Në Paskuqan e Babrru iu intereson më mirë ta lidhin zorrën e ujit në Tiranë, uji këtu është aq lirë sa iu leverdis. Ne po flasim për 20 lekë. Kur pati deficit financiar Berisha i tha Bankës së Shqipërisë bli hotel “Dajtin”, ndërsa Bashkisë së Lulzim Bashës i tha bli Lana Bregasin. Që të mbushte defiçitin, Basha e la peng ujësjellësin në një bankë të nivelit të dytë. Ne na duhet të marrim një kredi në rastin e një reforme që do sillte ujë 24 orë. Duhen 220 milionë euro, e pamundur të të financojë njeri kur nuk ke të ardhura”, tha ai.

Argumenti që Bashkia do të marrë kredi mund të jetë i vërtetë, ndonëse kjo bashki u mburr me 12 milionë euro të hedhura për sheshin “Skënderbej” para të cilat i gjeti. Nga ana tjetër, propozimi ka ardhur pas zgjedhjeve dhe kjo është një sjellje që nuk lë shije të mirë. Veliaj luan shpesh lojën e shfaqjes si njeri që drejton me politika që orientohen kundër abuzimit dhe kanë sens progresiv: pra goditen fiskalisht të pasurit. Por çështja është se ata që kanë pishina në Tiranë, nuk tremben nga 20 lekëshi apo 55 lekëshi i shtuar për një m3 ujë.

Ndaj është e qartë se këto “argumente” sillen në vëmendje për të njëjtin efekt që sillet politika e Berishës dhe e Bashës: për të justifikuar një rritje çmimi e cila është politikë e qëndrueshme e kësaj qeverie. Mund të ketë shumë arsye që çojnë në nevojën e rritjes së çmimit të ujit, por nuk ka pse të përjashtojmë këtu faktin se tarifimi I ri bëhet edhe për të përmirësuar ofertën e shitjes apo dhënies me konçesion të Ujësjellësit të Tiranës, përderisa një gjë e tillë u paralajmëruar në gushtin e vitit të kaluar.

Sipas propozimit të Bashkisë, çmimi i ujit në Tiranë do të rritet nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.