Një presidencë normale e një "presidenti realist"

Postuar në 24 Korrik, 2017 22:24

Bujar Nishani ka dorëzuar sot detyrën e Presidentit të Republikës. Pas 27 vite pluralizëm dhe 19 vjetësh me Kushtetutën që sanksionon Republikën Parlamentare, është koha që të nisë e të shkruhet një historik i këtij institucioni që edhe sot e kësaj dite vuan mungesën e një ligji organik dhe traumën e linçimeve juridike të vazhdueshme.

Nishani ka preferuar ta mbyllë detyrën me një fjalë ku dominonte në përmbajtje fryma e realizmit.

“Nuk bëmë heroizma si nëpër epe dhe balada. U munduam të jemi realistë. Puna dhe kontributet tona ishin thjesht punë dhe kontribut njerëzish të përkushtuar. Përtej zhurmave, apo si e thotë Populli, përtej zilkave që pengojnë të dëgjohen këmborët, punuam sa mundëm”, tha ndër të tjera ish-presidenti.

Në këtë mënyrë ai ka zgjedhur të përshkruajë me tone modeste por objektive punën në krye të shtetit shqiptar. Politika në Shqipëri na polarizon të gjithëve emocionalisht, herë për shkak të trazimeve të saj, herë për shkak të akteve që burojnë nga institucionet shqiptare. Por kjo nuk mund të shërbejë si metër vlerësimi për institucionet.

Sigurisht që dekorimet e tepruara të Bujar Nishanit janë një pikë e dobët e presidencës së tij, simbolike, por presidenca është edhe simbolikë. Sagës së çmimeve dhe titujve duhet t’i jepet fund bashkë me nënkulturën që i shoqëron dhe i frymëzon.

Nishani u përpoq t’i jepte një dimension antikomunist presidencës së tij, me përpjekje për të rehabilituar figura të caktuara të historisë. Nuk është e thënë të jesh dakord me të, por as edhe ata që e kundërshtuan nuk ditën dhe as nuk deshën që të zhvillonin një debat për interes të publikut për këto çështje. Lufta mediatike ndaj Presidentit në këtë drejtim mbeti në grazhdin e partive politike.

Nuk duhet të kemi asnjë iluzion për faktin se Nishani duhet të vlerësohet në marrëdhënie me realitetin politik: ai erdhi në presidencë me një detyrim ndaj Sali Berishës, të cilit i qëndroi korrekt, por deri në kufijtë kushtetues të kompetencave të veta. Dhe këtu duhet të njohim faktin se kjo u bë e mundur edhe sepse Partia Demokratike luajti jo keq në jetën parlamentare duke zgjedhur kundërshtimin përmes procedurave. Ne nuk mund të supozojmë se çfarë do të bënte Nishani në kushtet që u ndodh Bamir Topi, i cili pavarësisht fryrjes dhe vetëlavdërimit që kultivonte, diti të lëshonte pe te çështja Sollaku dhe të heshtte për vrasjen e Skerdilajd Konomit. Për më tepër që qëndrimi i tij më 21 janar dhe krijimi i një partie nga presidenca janë precedentë të zinj të institucionit në fjalë.

Ka një zakon të keq në median shqiptare, në një pjesë të saj, që reflekton provincializmin e thekur të atyre që popullojnë “elitën” e saj. Ky është gjykimi dhe krijimi i opinioneve mbi njohjet personale dhe mbi personin. Ata që kanë dëgjuar fjalime të ndryshme të Nishanit, mesazhe të tij, mund të kuptojnë kufizimet në kulturën e ish-presidentit, ardhur në krye të shtetit nga një karrierë e qetë dhe e shtruar e një zyrtari partiak që u qëndron larg brrylave dhe i bindet kryetarit. Por këto janë pjesë e libërthave argëtues të tipit Konica, që mund të mbeten si pjesë e repertorit gazetaresk. Ato pak i interesojnë publikut dhe historisë, që krijohet përmes akteve zyrtare. Ndaj edhe Nishani do gjykuar përmes akteve të tij zyrtare që variojnë, por në to nuk ka asnjë njollë. Sigurisht nuk pretendon kush, as vetë personi në fjalë, shkëlqim.

Një precedent pozitiv ky i një presidence normale, me të mirat dhe minuset e veta, që iu qas publikut me një normë etike jo për t’u sharë e që të paktën pati në krye një person që nuk vuante nga deliret e paraardhësve. Për më tepër një njeri që kurorëzon me sukses një karrierë nga politika, për t’i dhënë fund eksperimenteve me “figura të shquara” të botës akademike etj., dhe për ta futur presidencën në qerthullin e institucioneve ku politika dhe politkanët nuk kanë pse të përjashtohen.

Meriton vëmendje këtu një pjesë nga fjala e Nishanit në mbyllje të mandatit:

“Kemi bërë aktivitete në ndihmë të fëmijëve në nevojë dhe të sëmurë. Jo si shpëtimtarë. Si faktor ndihme që ata të ndihen sa më mirë”.

Kjo i duhet në fakt këtij vendi që po përmbytet nga shpëtimtarët e Facebook-ut. Pak modesti, edhe një sens autokritike – qoftë edhe formal – dhe disa rregulla që zbatohen. Që të mos katandiset edhe presidenca me konkurs apo me referendum dixhital.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.