Reagimi pa vlerë përfaqësimi i Lulzim Bashës

Postuar në 12 Korrik, 2017 22:55

Publikimi nga kryeministri Edi Rama i një liste nëpunësish për të cilët ka patur akuza online është padyshim një gabim dhe përgjegjësi jo e vogël. Personi në fjalë ka instrumentet e duhura që të veprojë, apo më mirë të adresojë shqetësimet të kësaj natyre në rrugë institucionale dhe të mos lejojë që rrjetet sociale të kthehen në tabelë pretence popullore. Do të shihet në vijim nëse ky ishte një tatim pulsi, një gabim nga nxitimi, apo një strategji e mirëmenduar për të asgjësuar çdo institucion dhe ekranizuar kryeministrin si deus ex machina për drejtësinë që kërkon populli. 

Në një situatë normale zëdhënien politike të kësaj shkeljeje të paprecedentë dhe fare të pagdhendur do ta bënin organizatat e grupeve, sindikatat, apo edhe opozita. Në Shqipëri nuk kemi situatë normale, as sindikata, por ca më keq as opozitë. Me instinktin e një skuthi - kjo pa dashur të fyejmë, por është përcaktimi më adapt për sjelljen në fjalë kryetari i ngrirë i PD - pasi lexoi të gjitha reagimet ndaj listës së Ramës, Lulzim Basha doli vetë me një status në Facebook për të kapur mikrofonim e preferuar të tribunit. 

Lista e turpshme e publikuar nga Edi Rama dëshmon atë që Partia Demokratike dhe unë kemi thënë katër vjet rresht: për Edi Ramën drejtësia është ai vetë, shteti është ai vetë. Për të nuk ka ligj, nuk ka të drejta njerëzore, nuk ka llogaridhënie.
Ai vendos se kush është fajtor e kush jo, kush duhet dënuar e kush jo. Ai nuk e ka problem të përlyejë, akuzojë dhe turpërojë publikisht si në kohën e Enver Hoxhës.
Jo rastësisht në listën e tij nuk janë hajdutët dhe kriminelët e vërtetë shtetërorë: mungon ai vetë, mungojnë Ilir Beqaj, Sajmir Tahiri, Damian Gjiknuri dhe gjithë ministrat dhe drejtuesit kryesorë shtetërorë që kanë privatizuar qeverinë për vete, për kriminelët dhe për klientët e tyre.
Ai që dhunoi zgjedhjet, tani ka filluar të dhunojë të drejtat e njerëzve. Ndaj duhet bashkimi i çdokujt për një përballje popullore të fortë dhe të vërtetë për ta ndalur dhe për t’u kthyer pushtetin qytetarëve

E thënë pas tradhëtisë së Çadrës dhe atyre pak vlerave që ajo përfaqësoi në lumin e madh të mosbesimit, kjo deklaratë është as më shumë e as më pak një hingëllimë e lodhur e një Rosinanti. Nuk po shtyhemi të në sqarimin e etimologjisë që jep Noli për Rosinantin, por padyshim që z. Basha nuk meriton as epitetin Don Kishot. Pasi Don Kishoti ka ëndrra dhe vegime të mëdha, ai në emër të këtyre ëndrrave prrallis edhe Sançon e gjorë barkëkaush, por edhe lufton me mullinjtë e erës. Askush nuk vështron dhe mendon për Rosinantin që mban mbi kurriz këtë kalorës, por ja që kali është aty deri në fundin e groteskut më të qëlluar në letërsinë botërore. Pa zë, periferik dhe dëshmitar i pandërgjegjshëm i bëmave të të zot, mundet vallë që edhe ai, në një version alternativ të ketë dashur të thotë se në fakt bëmat pa të nuk mund të kuptohen. 

Fatkeqësisht ky është sot kreu i opozitës, ai po përpiqet të rifitojë vokalin e tij që me aq mund e krijoi dhe iu pranua. Ai sot po shan një çikë kryeministrin pasi kundërshtarët e tij po denoncojnë marrëveshjen e majit. Një politikan që orientohet me instinkt dhe sillet si kambist, nuk është në fakt në krye të asgjëje. As të vetes së vet. Atë e kalëron situata me dinamikën e vet, ai shfaqet e rishfaqet si kunati i shokut Xhemal, një i bezdisshëm në kulm me pavlerën e vet dhe sidomos me cilësinë e shkruar në ballë të atij që nuk ka respekt për asgjë, veç interesit të vet. Duhet të jemi të qartë: zotin Basha nuk e vendosi kush në këtë pozitë për shkak të paragjykimit apo mosbesimit, i cili nuk është se ka munguar për të. Ai ka vendosur veten aty me atë që vendosi duke pagëzuar karrierën e vet politike, me një akt që nuk ka lidhje me politikën dhe misionin e një opozite. Qoftë ky edhe një mision i adoptuar formalisht. 

Për tu kthyer te çështja e listës, sigurisht që rruga më e mirë që kanë sot të cenuarit e shakasë së kryeministrit, është Gjykata dhe në asnjë rrethanë kjo opozitë. Do të ishte budallallëk që ata njerëz të fyenin veten duke i besuar diçka për mbrojtjen e tyre individit Lulzim Basha.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.