Ushtria, sërish në pastrim territori

Postuar në 10 Korrik, 2017 14:24

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli poston sot në profilin e vet në Facebook, disa foto përmes të cilave tregohet angazhimi i ushtrisë në pastrimin e zonave bregdetare. Ministrja shoqëron fotot me këtë shënim:

Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë në terren në këto ditë të nxehta në çdo segmet rrugor kufitar dhe bregdetar pasi ndotja e mjedisit është në emergjencë kombëtare. Që nga Hani i Hotit, Velipoja, Shëngjini, Qafë Thana, Qafë Bota, dhe përgjatë gjithë rivierës, nga Llogoraja deri në Ksamil po pastrohet çdo cm rrugë, me qëllim ndërgjegjësimin e çdo qytetari”.

Ky nuk është viti i parë që forca të ushtrisë përdoren për këtë detyrë. Kjo nuk është normale dhe as i jep dinjitet ushtrisë që përdoret për punë për të cilat paguhet tjetër kush. Mund të mirëkuptohet ndërtimi i urave, apo edhe hapja e ndonjë rruge, por jo pastrami i mbetjeve. Ndërgjegjësimi për të cilin flet këtu ministrja nuk duket se mund të vijë pa sanksione, pasi ka 3 vjet që ushtria ndërmerr këtë punë dhe asnjë shenjë përmirësimi nuk duket. Duke përshëndetur gjithësesi këtë veprim, duhet thënë se përfshirja e ushtrisë ka tre momente që meritojnë vëmendje:

Së pari, pastrimi nga mbetjet urbane i zonave jashtë vijës së verdhë të qyteteve dëshmon dështimin e reformës territorial administrative. Nëse njësitë vendore që sot janë zgjeruar territorialisht shumë, vijojnë të sillen me mendësinë e hapësirave të mëparëshme, për territore të cilat sot i kanë përgjegjësi ligjore, atëherë ato duhen gjobitur. Dhe gjobitur sa të thyhen në mes. Është e vërtetë që Erjon Veliaj është bërë shpesh qesharak dhe akuzuar për abuzime për pastrimin e kryeqytetit, ama është ndër të vetmit që e ka vënë përparësi pastrimin. Abuzimet janë hesap më vete.

Së dyti, kur ministrja na thotë se “ndotja e mjedisit është emergjencë kombëtare”, ajo na tregon se argumenti se industria e mbetjeve në Shqipëri nuk ka lëndë të parë të mjaftueshme, nuk qëndron edhe aq. Pasi përtej vlerësimeve teknike të procesit, për një qytetar që dëgjon se do të importohen mbetje, gjëja e parë që vjen ndërmend është nevoja për të pastruar njëherë vendin tonë, e mandej importimi i mbetjeve.

Së treti duhet thënë se njësitë kryesore vendore në Shqipëri kontrollohen nga partia që është në pushtet, ndaj nuk ka asnjë justifik që të përligjë këtë që po ndodh. Sigurisht, le të shpresojmë që lufta kundër mbetjeve, apo lufta për pastrimin të shpallet prioritet elektorla në vitin 2021, pasi do të duhej që të fajësohej populli si pisanjos.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.