Shpikja e emergjencës për administratën

Postuar në 10 Korrik, 2017 13:25

Kryeministri shpalli prioritet administratën dhe populli e votoi mu për këtë arsye. Apo më mirë për këtë hall. Jo vetëm kaq. Kryeministri pyeti popullin në Facebook se çfarë halli kanë? Administrata u përgjigj “populli”.

treta e vërteta: Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, e ka paketuar këtë shqetësim mbarëpopullor me një deklaratë të vetën.

Reforma e administratës publike është nga më të vështirat. Puna në administratë mendohet për gjithë jetën, por duhet të ndryshohet kjo mendësi. Reforma në drejtësi, në administratë, në arsim, janë kyçe për integrimin. BE jep 32 mln euro suport për këtë reformë. Në muajt e fundit ka patur përmirësim dhe arritje. Qeveria e ardhshme të punojë fort në këtë drejtim në mënyrë që administrata të jetë gati kur të nisin negociatat për anëtarësim. Më vjen mirë që në këto vite kam parë zhvillim. Dhe Reforma në administratë do të jetë edhe një tregues për Shqipërinë, por duhet bashkëpunim edhe nga qytetarët”, tha ajo gjatë konferencës “Dialogu i nivelit të lartë mbi progresin e reformës në Shërbimin Civil dhe mbeshtetjen e BE”.

Pas reformës në drejtësi që na dilte në ëndërr të gjithëve, rrezikojmë që të kalojmë te reforma në administratë. Mirëpo nëse për të parën ka një dakordësi që duhet një operacion i thellë, për të dytën, kjo emergjencë nuk përligjet.

Së pari që nga viti 2000-2001 e më pas, presioni mbi administratën ka ardhur duke rënë për një sërë arsyesh. Sektori privat është zgjeruar dhe strukturuar. Disa kompani të mëdha kanë hyrë në Shqipëri dhe kompani të vogla, kanë shtuar shërbimet. Duhet thënë se sektori privat ka ofruar pagesa të mira që në fillim krahasuar me sektorin shtetëror, pra administratën, e cila mbetet një alternativë që nuk ofron ndonjë gjë të madhe.

Së dyti, që në kohën e qeverisë së Fatos Nanos dhe sidomos me ardhjen në pushtet të Berishës, praktikat e prokurimeve kanë ndryshuar rrënjësisht, duke përqendruar autoritetin e prokuorimit dhe centralizimin e vendimmarrjes në këtë drejtim. Në këtë kuadër presioni mbi administratën është jo për postet e specialistëve, por për drejtuesit. Dhe duhet të dimë se drejtorët “mes të cilëve edhe ata që të nxjerrin bojën”, janë tagër direkt i politikës, i pazarit të saj. Çka do të thotë se një drejtor agjencie, apo një drejtor drejtorie në ministri, lidhet drejpërdrejt me vendimet e politikës. Pra nuk ka patur një sistem karriere që të garantojë ecuri të qetë dhe logjike. Rasti më i mirë për të kuptuar këtë është jo vetëm ndarja e famshme 80/20 në qeverinë Berisha-Meta, por edhe caktimi nga kryeministri aktual i personave të besuar dhe krejtësisht pa përvojë në Dogana dhe në Tatime. Madje siç bëhet e ditur, sektori i Tatimeve është goditur shumë keq nga eksperimenti “Shehaj”.

Së treti, qeveria aktuale ka ndërhyrë pranë gjykatave që të mos japin më vendime në favor të të larguarve nga puna, të cilët zakonisht fitojnë gjyqet dhe shpërblimet përkatëse, për shkak se ligji në fuqi i mbron shumë dhe për arsye se shkarkimet e tyre janë arbitrare. Më tej akoma, me nismë të kësaj qeverie u sanksionuar shpërblim deri në 3 muaj dhe jo një vit siç ishte deri më tani. Pra edhe këtë drejtim, kostot e lojërave me administratën janë gjeneruar edhe nga kjo qeveri që sapo ka zbuluar armiqtë. Të kujtojmë këtu listat e publikuara në media për deputetë që ndërhynin për militantë të PS, apo edhe faktin sesi merrej përsipër instruktimi i militantëve përpara hyrjes në konkurse.

Nga çdo pikëpamje që ta shikosh, kur flitet për reformën në administratë, kemi të bëjmë në teori me një gjë komplekse dhe që kërkon punë. Por nervi i politikës së kryeministri ka të bëjë me drejtorët dhe ndarjen e drejtorive me partitë në koalicion, çka në fakt nuk ka të bëjë me reformën. Dhe edhe sikur ky problem të eliminohet, ai nuk garanton cilësi të re të administratës. Ajo që thotë zonja Vlahutin është jo dhe aq e vërtetë. Qeveria shqiptare ka nisur punën dhe ka ecur jo keq në dixhitalizimin e shërbimeve publike. Dhe sa më shumë që ecën ky proces, aq më pak interes ka dikush që të konkurojë dhe të kalojë jetën në administratë. Korrupsioni që gjenerohet në administratë është në një farë mënyre edhe kompensim i asaj që nuk ta jep rroga, por me thjeshtimin e procedurave dhe kalimin drejt një sporteli këto mundësi zbehen. Mbetet vetëm rritja thelbësore e rrogave në administratë, që sidoqoftë nuk e konkuron dot sektorin privat. Dhe nuk e konkuron edhe në faktin se nuk tërheq dot profesionistë.

Kemi parë se çfarë përfaqësimi ka patur administrata socialiste edhe në Komisionin e Ligjeve dhe për këtë nuk e ka fajin kush, pos atyre që kryeministri sot i ka caktuar në Grupe Pune. Sigurisht që duhet ndërhyrë dhe sa më shpejt. Por në asnjë mënyrë kjo çështje nuk meriton këtë lloj emfatizimi politik që po i bëhet. Nga ana tjetër flitet për administratë profesionale, por vendimet e imponuara nga politika janë absurde. Mund të pyetet se mbi çfarë logjike u pezulluan procedurat e prokurimit nga kryeministri për periudhën e tanishme, se mbi ç’bazë u hoq e drejta për garë në koalicione gjatë zgjedhjeve, apo mbi cilën argument kryeministri deklaronte se ministrat tekninë janë vetëm rojtarë? Këto janë disa hollësi, por ato reflektojnë sa arrogancën e politikës, aq edhe faktin se nga pas mungon një administratë profesionale në nivelin e lartë, e mbrojtur. apo këshilltarë që mund të japin këshilla të tjera.

Shikoni sesi fatura e ujit apo e dritave pasurohet përherë e më shumë me taksa të reja, duke e kthyer atë në një titull që shërben si agjent për shumë tarifa që duhen mbledhur veças. Në një rast të vetëm kur kryeministrit iu sugjerua diçka e arsyetuar, ai e shpërfilli. Është fjala për aksionin kundër informalitetit, që u pa si operacion policor mbi biznesin.  

Ambicia për administratën profesionale duhet të jetë në proporcion me aftësinë për të dëgjuar edhe hollësi, për të rregulluar sa më mirë, për të kapur hiletë dhe për të korrigjjuar rregulla absurde që janë të tilla edhe kur nuk zbatohen asnjëherë. Gjë që nuk është rasti në Shqipëri

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.