Përpjekja për të riaktivizuar 18 majin si program bashkëqeverisjeje

Postuar në 10 Korrik, 2017 09:08

Situata paszgjedhore në Shqipëri është edhe më paradoksale sesa ajo parazgjedhore. Kemi një parti politike që ka fituaar bindshëm zgjedhjet, që ka 74 mandate dhe ka arritur maksimalisht objektivin e shpallur elektoral: ka marrë timonin e vetme. E megjitthatë nisma e parë politike pas fitores së zgjedhjeve nuk është përgatitja për qeverinë e re që do të niste nga shkarkimi i ministrave teknikë, por vendosja e një komunikimi me “popullin” për të qartësuar platformën e bashkëqeverisjes.

Nëse do të sjellim në mendje atë që PS-ja dhe kryeministri deklaronin gjatë fushatës elektorale, mund të na kujtohet fare mirë se propoganda kryesore përqendrohej te fakti se “nëse ndalemi tani, kjo do të jetë fatale për Shqipërinë”. Pra nëse populli votonte të tjerët dhe jo PS-në, atëhëre ecuria e reformave do të vihej në diskutim. Çka do të thotë se qeveria aktuale dhe drejtuesit e saj e kanë të qartë se çfarë reformash duhen dhe si duhet ecur më tej.

Në fakt, sjellja pas zgjedhjeve dëshmon të kundërtën. Kryeministri Edi Rama, nuk po e heq nga goja fjalën bashkëqeversje, pavarësisht se çfarë do të thotë ajo apo kë ka ndërmend ai. Dhe fushata e komunikimit me qytetarët, online, për këtë Platformë, “çuditërisht” përkon me përballjen elektorale, “farsë” në Partinë Demokratike. 30 ditë do të zgjasë komunikimi i PS-së me qytetarët, më pak zgjat procesi zgjedhor në PD, prej nga ku Edi Rama po pret Lulzim Bashën të rikonfirmohet

Në një mënyrë apo në një tjetër, qeveria e PS-së po kërkon të nisë qeverisjen me zbatimin e Pazarit të 18 majit, për arsye që po bëhen të qarta përherë e më shumë. Shqipëria hyn në fazën më kyçe të procesit të integrimit, ku kërkohen reforma të vërteta dhe jo gjobitje njerëzish fatkeqë që sot mund të kenë shpresë te Facebook i kryeministrit. Kërkon ndërhyrje në disa drejtime për të rregulluar tregun, për të vënë në funksionim zbatimin e të drejtave. Kjo do të thotë se liria për të abuzuar ngushtohet dhe kostot e reformave vijnë duke u rritur. Është normale të parashikohet sesi shtrëngimet që vijnë nga reformat mund të kapitalizohen si frymë opozitare nga krahu tjetër dhe këtu këmbëngulja për bashkëqeverisje është as më shumë e as më pak një mënyrë për të eliminuar këtë perspektivë me kosto. Të kujtojmë se një nga arsyet pse pakënaqësia ndaj qeverisë së tanishme u amortizua është lejmi thuajse gjysmë zyrat I kultivimit të kanabisit, që u kthye në alternativë kryesore ekonomike për një pjesë të madhe të popullsisë për katër vjet. Dhe kur arrin të penetrosh në këtë ekonomi, sigurisht që fatura e dritave apo edhe gjobnat dhe taksat e makinës, nuk të duken ndonjë gjë shqetësuese.

Këtij skenari të zi do t’i vijë fundi. Dhe këtu përpjekja për të bashkuar PS-në dhe PD-në në një tepsi është rruga për të ndarë përgjegjësitë, duke zbuluar sërish tepsinë. Mund të merret me mend, dhe kjo u pa edhe nga fjala e parë e Ramës me deputetët e zgjedhur, se PS-ja nuk priste këtë rezultat. Një numër prej 71 mandatesh do të mjaftonte për të siguruar pavarësinë, por edhe për ta bërë të logjikshme thirrjen për koalicion me ndonjë parti të vogël, ndërkohë që me të siguruar këtë bashkëpunimi për reformat do të merrte vlerën e një “politike të mençur”. Sot me 74 mandate, me një ekip që duket ashiqare që nuk ka asnjë plan, e që po pyet miletin se çfarë duhet bërë, përgjegjësia e timonit vetëm, transferohet në duart e një njeriu, e disa njerëzve. I cili nuk ka më alibinë e tepsisë dhe sinisë.

74 mandate e bëjnë krejt pa kuptim këtë përpjekjen për t’u lidhur me PD-në, për disa reformat ë cilat mund të rakordohen në Parlament, përmes komisioneve apo marrëveshjeve që nuk lidhen natën mes dy njerëzve. Nuk ka pra asgjë të strukturuar në këtë gjoja politikë që qan hallet me popullin. Ka thjesht kapje në befasi dhe përpjekje për të rikthyer 18 majin, ndonëse vota e 25 qershorit, e bëri atë të pavlefshme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.