Dekalogu i Presidentit/Memoja konfidenciale e PS-së për zgjedhjen e kreut të shtetit

Postuar në 24 Prill, 2017 12:00

Afrimi i zgjedhjeve për presidentin e ri të vendit ka vënë në lëvizje një pjesë të deputetëve të Partisë Socialiste të cilët përmes një Memoje, i kanë sugjeruar kreut të PS-së dhe qeverisë, piketat kryesore të “formatit që duhet të ketë presidenti i ri”. Kjo qasje parimisht vjen në pëputhje me qëndrimin e PS-së për këtë çështje në vitin 2012, kur në vend të referimit kushtetues, u artikulua “dakordërsimi për identikitin”.

Burimet nga kati i parë i selisë së PS-së bëjnë me dije se pas kësaj nisme qëndron Pandeli Majko, aspirant i njohur për karrigen e presidentit, i cili është asistuar – ndoshta për gallatë – nga Taulant Balla dhe Ilir Beqja.

Në dokumentin që mbahet ende në zyrën e Gramoz Ruçit, sugjerohet që përveç kërkesave kushtetuese, si 40 vjeç, me qëndrim në Shqipëri, mosdënim etj., të shtohen edhe disa kërkesa me natyrë politike dhe njerëzore që janë kaq të afërta me njeriun socialist. Për aq sa jemi në dijeni disa prej këtyre pikave përfshijnë:

  1. Të jetë njeri që nuk di të prishë qejf
  2. Të ketë dhënë prova se ka ditur të jetë protagonist përmes heshtjes
  3. Të ketë dhënë prova të respektit për pakicat(term ky që Majko këmbënguli të vendosej në vend të termit opozitë)
  4. Të ketë një dëshmi se ka ngrënë të paktën njëherë mish derri(Pikë e sugjeruar nga Taulant Balla që e mbron atë me faktin se askush nuk ka pse të ketë të tilla komplekse që nga Presidenca e qofteve të Bamir Topit)
  5. Të mos jetë i divorcuar më parë(pikë kundër Nanos)
  6. Të ketë kaluar me notë mbi 8 provimin e brendshëm të gjuhës shqipe  që zhvillohet në PS nën mbikëqyrjen e Ledi Shamku Shkrelit
  7. Të mos ketë asnjë fotografi të dokumentuar me drejtuesit e Byrosë Politike.
  8. Të ketë një njollë pozitive në biografi(ose lidhje të vjetra me Ballin, ose të paktën një kushëri I parë të ketë qenë pjesë e hyrjes në ambasada në vitin ’90)
  9. Të mos ketë folur asnjëherë për fajdet
  10. Konfidenciale(të jetë më i gjatë se 1:70)

Siç shihet janë pika që sanksionojnë një diskriminim pozitiv për figurën e Presidentit të ri, duke mbajtur parasysh se PS-ja kërkon të shmangë imazhin se përherë gjeneron në krye figura nga Jugu. Kërkesat e vëna i përgjigjen një shqiptari mesatar, jo detyrimisht nga Shqipëria e Mesme. Ato reflektojnë socialistin e post-’90-ës çka na bën të mendojmë se përpjekja është që në krye të shtetit shqiptar të vijë një figurë që ka përfituar pa bërë ndonjë gjë të madhe, meqenëse ky është edhe presidenti i Shqipërisë.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, thuhet se ka propozuar që ndryshime të behen edhe në betimin e presidentit. Në pikën ku presidentit të ri i lejohet të shtojë “Zoti më ndihmoftë!”, Beqja mendon të bëhet: “Zoti më ndihmoftë! Suksese në jetë shokëve deputetë”.

Taulant Balla ka bërë një poshtëshënim në aneksin e Memos me titullin: “Për dijeni vetëm sh. Rama dhe shokut Gramoz”.

Teksti: Lutem që Memoja të gjejë trajtim sa më të shpejtë pasi nga të dhënat e mia, Majko po e përjeton me depresion këtë garë. Prej ditësh vjen në zyrë me pistoletat antike në brez, nga ato të koleksionit personal që mban në shtëpi. Po kështu shoku Majko ka bërë të ditur se ka ndërmend të lërë mustaqe, diçka e paprecedentë kjo për PS-në si dhe bërtet si me shaka në zyrë duke cituar nenin kushtetues:

Ej Taulant, si thotë Kushtetuta? Presidenti nuk mban përgjegjësi për veprimet e kryera në detyrë? Hahaha”

Kjo është shqetësuese”, mbyll shënimin Balla.

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.