“Kumbari” i dy mandateve qeverisëse në Tiranë

Postuar në 10 Korrik, 2017 23:04

Socialistët erdhën në pushtet në vitin 2013 për shumë faktorë që lidheshin me qeverinë e Sali Berishës, por edhe me disa koniunktura ndërkombëtare. Pak përpara se të zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare, në nëntor të vitit 2013, në Tiranë erdhi ish-sekretarja amerikane Clinton, e cila i rezervoi një mundësi takimi Ramës në hollin e një hoteli. Ky ishte një mesazh jo pa rëndësi. Nga janari i vitit 2013, sidomos gjatë muajit prill të atij viti, Edi Rama nisi një tur diplomatik në disa vende për të dhënë garanci dhe për të krijuar një njohje me disa kancelari që nuk dinin gjë për njeriun që mund të merrte detyrën e kryeministrit të Shqipërisë.

Ndonëse propaganda socialiste i bënte jehonë sidomos takimeve në Itali apo në Danimarkë, takimi më i rëndësishëm ishte ai me ish-kryeministrin turk, Reccep Tayyip Erdogan. Të cilit Rama i dhuroi edhe librin e vet “Kurban”.

Nis që nga ajo kohë një marrëdhënie e çuditshme për të cilën askush nuk di gjë nga cilat interesa buron dhe më tej akoma, cilat interesa përfaqëson. Në politikë nuk ka kimi personale që të përshfaqet në këtë formë si komunikimi Edi Rama – Erdogan. Përveç disproporcioneve te të dyja vendet, Shqipëria është përcaktuar për drejtimin europian dhe ndonëse miqësia me miq përtej Europës nuk ka ndonjë gjë të keqe në vetvete, rasti i Turqisë është disi specifik. Për krahasim miqësia me Kinën ka shumë peshë, por në finale Kina përbën një konkurencë ekonomike për BE-në në Europën Lindore, deri diku strategjike përmes projekteve infrastrukturore dhe ngulitjes me investime dhe ofertën tregëtare, por thuajse asnjëherë nuk përbën kërcënim gjeopolitik. Turqia është përherë rivali gjeopolitik i Europës në Ballkan, rivalitet të cilin ajo tanimë e konsideron zyrtarisht të mundshëm përmes evokimit të historisë së përbashkët dhe fesë.

Në këtë dritë raporti i cilësuar personal mes Ramës dhe Erdogan kërkon një shqyrtim nga afër. Pas fitores në zgjedhjet e vitit 2013, vizita e parë e rëndësishme e kryeministrit jashtë ishte sërish në Turqi në krye të një ekipi ministrash. Pak më vonë u nënshkrua Traktati i Partneritetit Strategjik që synonte të fuqizonte bashkëpunimin në disa fusha. Duhet thënë se partneriteti strategjik që Shqipëria vendos me disa vende, si me Italinë, Greqinë, Francën etj., përbën një tërësi aktesh formale që pak gjë japin të kuptohet në praktikë.

Edhe në rastin e Turqisë, katër vjet ikën, por asgjë konkrete nuk u pa të vinte nga Turqia, as invetsime serioze, as ndihmë ekonomike. Pati një vijimësi marrëdhëniesh të nisura më parë, por të alternuara me miqësinë personale. Edi Rama i lëshoi Erdoganit ndërtimin e xhamisë në Tiranë, diçka jo e vogël në planin simbolik. Por ai nuk pranoi të largonte investimet e Gulen nga Shqipëria, pavarësisht thirrjes dhe kërkesës së Erdogan në Tiranë. E megjithatë miqësia nuk u cenua. Madje u përforcua dhe një shenjë besimi për këtë është caktimi si ambasador në Turqi i një njeriu pa lidhje me diplomacinë, z. Gazheli që drejtonte agjencinë kundër pastrimit të parave.

Piruetat në diplomaci të qeverisjes së z. Rama, vështirë se mund të ndahen për një moment nga pasja në konteskt e asit turk, si kartë presioni dhe mundësi taktike. Polemikat me Greqinë, më saktë hapja e një fronti me Athinën nuk mund të mendohen pa këtë mbështetje të heshtur dhe të hapur. As edhe liria për të lëvizur në hapësirën shqiptare, sidomos për të vepruar në Maqedoni me rastin e Kumanovës.

Edi Rama provoi të lëvizte drejt Perëndimit dhe BE-së me disa takime me Merkelin, me Italinë. Ai ndryshoi disa ligje për të thithur investime serioze, por ironia e fatit e dënoi që për projektin më të madh infrastrukturor, rrugën e Arbrit të kërkonte ndihmë nga Kina, edhe ajo e refuzuar në fund.

Tani është e qartë se Nisma e Berlinit po favorizon Serbinë dhe Vuçiçin që në Bruksel shihet si njjë pikë e cila mund të mbajë Rusinë larg duke siguruar një rajon të paqetë. Për këto arsye, z. Rama duket se nuk ka patur rrugë tjetër për të rritur pazarin, veç mikut Erdogan, nga i cili nuk ka marrë para dhe investime, por ka marrë ndihmën e prezencës dhe të faktit se Shqipëria ka një alternativë.

Në intervistën për televizionin grek “Skai”, Rama tha se “nuk është sekret që ne gjithashtu kemi vendosur një partneritet strategjik me Turqinë. Nuk është sekret që jam një mik i mirë me Presidentin (Erdoğan). Nuk është sekret që kemi marrëdhënie të mira. Por, e gjithë kjo ka ndodhur në një kohë kur ne ishim në opozitë dhe nuk kishim asnjë kontakt me askënd në palën turke”. Çka do të thotë se lëvizja e PS-së për marrëveshjen e Detit me Greqinë dhe rrëzimi i saj, minimalisht është pritur shumë mirë në Turqi.

E njëjta skemë po përsëritet edhe tani.  Dy ditë para zgjedhjeve presidenti Erdogan kërkoi përmes Top-Channel, në një intervistë krejt të pazakontë, që shqiptarët të votonin Edi Ramën. Ai madje u kujdes që të deklaronte se Turqia nuk mbështet bashkimin e shqiptarëve në një shtet, pohim ky që eliminon kompleksin e madh që shoqëron prezencën turke në sytë e vendeve fqinj. Kjo është ndihmë shumë bujare për një kryeministër të një vendi të vogël.

Pak javë pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017 Edi Rama kryeministër viziton Turqinë, ku pritet si i përkedhelur mes drejtuesve ballkanikë. Turqia nuk është më ajo e katër viteve më parë. Erdogan është larguar shumë nga kontakti me Europën. PE-ja madje kërkoi ndërprerjen e negociatave. Ai ka një marrëdhënie të tensionuar me Gjermaninë dhe Austrinë dhe ka shtypur një grusht shteti pas të cilit vendosi në fuqi një kushtetutë që e siguron si sundimtar në Turqi.

Por kësaj radhe z. Rama po u thotë shqiptarëve se nga Turqia ka gjetur paratë për aeroportin e Vlorës dhe linjat ajrore shqiptare. Kjo deklaratë vjen vetëm dy ditë para samitit të Triestes, në të cilin Rama preferon të mos shkojë për të bërë dekorin e të përkëdhelurit të ri të Merkelit, Vuçiç. Mediat folën për mungesë projektesh, edhe ministri i Jashtëm Bushati, foli për traktate dhe zona rajonale. Ai u ankua se me BE-në është problemi i lëvrimit të fondeve, duke ngritur kështu zërin e pakënaqësisë ndaj presionit verbal europian(http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=359132).

Nuk mund të mendohet se po shkohet drejt një kursi përplasjeje me BE-në, por loja e fjalëve dhe imazhit nuk pi më ujë. Duhen para dhe këtu duhet sjellë në vëmendje ajo që thoshte pak javë më parë Gjukanovic: Para, të tjerat janë llafe.

Turqia nuk është më e njëjta as për SHBA-në. Ajo ka axhendë strategjike të kundërt me SHBA ndaj kurdëve, të cilët pak vite më parë qeveria e z. Rama u dërgoi armë. Por në raport me SHBA-në z. Rama bëri lëshimin e madh me muxhahedinët, ndërkohë që në një lëvizje të papritur, por që përputhej në kohë me afrimin turko-iranian për çështjen siriane, kërkoi përmes ministrit Bushati, forcimin e marrëdhënieve me Teheranit. Po kështu ai po hap rrugë për një reformë në drejtësi ku amerikanët kanë fjalën e tyre kryesore dhe me një biznesmen si Trump në krye, punët mund të shikohen më mirë në kuadër të pragmatizmit.

Ndonëse kërkon të ndriçohet mirë se çfarë e lidh z. Rama me presidentin turk, miqësia me të është pikërisht ajo “alternativa” për të cilën ai foli pak ditë më parë në një televizion francez. Reale apo për taktikë, kjo ka pak rëndësi. Në fund të fundit njësoj si Berisha, edhe ai po kupton se me BE-në duhet hyrë në Pazar dhe kjo është diplomacia e vetme efektive. Se çfarë passjell marrëdhënia me Turqinë, mbetet për t’u parë, pasi me lëvrimin e parave vijnë detyrime të tjera. Por në Tiranë, BE-ja nuk është më ajo që ka qenë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.