Modelet e sundimit autoritar mund ta shpopullojnë Ballkanin

Postuar në 07 Korrik, 2017 17:38
Oliver Jens Schmitt

Në një samit në Selanik në vitin 2003 BE u kishte premtuar të ashtuquajturave shtete të Ballkanit perëndimor anëtarësim në aleancën europiane të shteteve. Si cak kohor përmendej viti shumë i diskutueshëm 2014. 100 vjet pas atentatit serb ndaj trashëgimtarit të fronit austro-hungarez, i cili ndezi Luftën e Parë Botërore, rajoni pritej të paqësohej përfundimisht. Por, shumë kriza të tjera larguan vëmendjen nga Ballkani perëndimor, i cili përfshinë ato pjesë të ish-Jugosllavisë, të cilat nuk janë pranuar në BE, si dhe Shqipërinë, e cila, me sa duket, për arsye më shumë praktike është përfshirë në këtë nocion.

Ndërkohë një kurorë e shteteve të Ballkanit anëtare të BE-së përthekon rajonin: Sllovenia dhe Kroacia (anëtare të BE-së nga viti 2004 përkatësisht 2013), Rumania dhe Bullgaria (nga viti 2007) dhe Greqia (nga viti 1981). Elementi i dytë kryesor i sistemit euroatlantik, NATO-ja, e ka zgjeruar madje ndikimin e vet duke pranuar Shqipërinë (2009) dhe Malin e Zi (2017), përkundër rezistencës së ashpër ruse.

Megjithatë, nëse shikojmë hartën, Ballkani perëndimor duket si një zonë e errët në mes të territorit të BE-së dhe NATO-s. Dezinteresimi i BE-së e ka hapur këtë rajon për ndikime të tjera. Rusia, Turqia, Arabia Saudite dhe shtete të tjera islamike, kohëve të fundit edhe Kina, por përpiqen ta plotësojnë boshllëkun strategjik. Ndërsa Rusia dhe Turqia instrumentalizojnë traditën imperiale dhe solidaritetin religjioz me ortodoksët e Ballkanit përkatësisht myslimanët e Ballkanit, Kina në këtë zonë ekonomikisht të dobët sheh pikën fundore të strategjisë së saj të Rrugës së Mëndafshit, e cila përfshinë edhe Greqinë me ekonomi të rrënuar.

Ky ndikim para portave të saj duhet ta shqetësojë BE-në; po ashtu Ballkani është bërë veçanërisht i rëndësishëm në kuptimin strategjik si zonë transitore për migrantë dhe refugjatë para së gjithash në vitin 2015. BE e di se ajo nuk është e vetmja që i cakton rregullat në Ballkan, se shumë politikanë që sundojnë në mënyrë autoritare në rajon me shkathtësi po e manipulojnë Brukselin në raport me Moskën, Ankaranë dhe akterë të tjerë dhe kështu ata po krijojnë hapësirë manovruese për vete.

Për këtë shkak qeveria gjermane më 2014 ka nisur të ashtuquajturin Proces i Berlinit, i cili bartet nga Austria, Franca dhe Italia. Synohet që të nxitet zhvillimi i Ballkanit Perëndimor në fushat e ekonomisë, infrastrukturës, shkencës dhe arsimit dhe rajoni të stabilizohet me synimim zyrtar të anëtarësimit të plotë në BE. Faktikisht të gjithë pjesëmarrësit janë të vetëdijshëm se shtetet përkatëse për një kohë të gjatë nuk do të jetë në gjendje për një hap të tillë. BE mbase nuk do ta përsëris gabimin si në rastin e Bullgarisë dhe Rumanisë dhe premtimet e thjeshta për reforma t’i marrë si të mirëqena.

E qartë është po ashtu se ndërkohë po dominon pragmatizmi. Duke i pasur parasysh edhe çështjet e migracionit, stabiliteti konsiderohet më i rëndësishëm se më herët dhe çështjet klasike si sundimi i ligjit, liria e mediave dhe të drejtat civile kanë humbur rëndësinë. Të mbështetësh politikanë të pushtetshëm, të cilët shërbejnë si garant të stabilitetit, por në brendi mund të qeverisin të papenguar dhe në mënyrë autoritare, nuk është strategji e re e akterëve euroatlantikë. Kështu ka funksionuar gjatë politika e tyre në Kosovë. Duket se tani ky model po zgjerohet në mbarë rajonin.

Kjo nxit shumë pyetje. Sepse Aleksandër Vuçiqi, njeriu i pushtetshëm i Serbisë, nuk është vetëm në krye të një regjimi autoritar; edhe në kryeqytetet perëndimore me qejf harrohet se ai në vitet ’90 ka qenë njëri nga propagandistët më të rëndësishëm të ultranacionalizmit serb. Ai tani bëhet sikur është penduar dhe meqë kanë nevojë për të, kjo bën jehonë edhe në diplomacinë perëndimore dhe në botën mediale perëndimore.

Sidomos Gjermania po llogarit në Serbinë dhe po e shpërblen bash atë shtet, i cili nga fundi i shekullit ’20 i ka mbuluar shumicën e atyre shteteve me luftëra, të cilat në procesin e Berlinit pritet të shtyhen të bashkëpunojnë ngushtë me Serbinë.

Për të kompensuar këtë dhe për ta qetësuar elementin shqiptar, i cili është më dinamiku në një rajon që po plaket, kryeqytetet perëndimore po përpiqen ta afrojnë kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili së fundi u rizgjodh me një shumicë të madhe. Nga Rama pritet që si udhëheqës i «shtetit amë» të mbrojë interesat e shqiptarëve të shpërndarë në shtetet e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Por, si Vuçiqi edhe Rama nuk është demokrat i pastër. Ai po ashtu vazhdimisht duhet të arsyetohet kundër supozimeve se nuk po vepron në mënyrë energjike kundër mbjelljes dhe shitjes së drogës, një biznes që po lulëzon.

Me qasjen etnizuese rreth dyshes Vuçiq-Rama BE ka krijuar grupe klienteliste. Kjo është problematike sidomos në rastin e shqiptarëve. Në Prishtinë janë të shqetësuar dhe të zemëruar që Serbia dhe Shqipëria po i rregullojnë çështjet e Kosovës, pa e konsultuar Kosovën. Edhe ndërhyrja e Ramës në politikën e brendshme të Maqedonisë, ku i bashkoi partitë shqiptare në një aleancë, nuk është joproblematike. Si Vuçiqi ashtu edhe Rama nuk ngurrojnë të lëshohen në parulla dhe aksione nacionaliste. Kush i mbështet ata në mënyrë të njëanshme, mund të blejë stabilitet, por me çmim të lartë.

Sepse kështu as Serbia, as Shqipëria nuk do të zhvillohen si shoqëri të lira e demokratike, të cilat me ndërgjegje të pastër mund të pranohen në BE. Nëse vazhdohet me mbështetjen e njëanshme të modeleve autoritare politike, atëherë Serbia dhe Shqipëria dhe shtetet e tjera do të shndërrohen në rezervate politike të shpopulluara para portave të BE-së. Ikja sidomos e personave të kualifikuar është që tani tepër e lartë.

Pragmatizmi i BE-së është deri diku pasojë e dëshpërimit që edhe pas një çerek shekulli të diplomacisë intensive, ndërmjetësimit ndërkombëtar në Bosnjë dhe Kosovë dhe donacioneve jashtëzakonisht të mëdha rajoni është në një gjendje të nderë në aspektin politik dhe ekonomik. Përballë këtij sfondi të zymtë duhet të përmendet një shembull, i cili, përkundër të gjitha vështirësve, shquhet pozitivisht.

Maqedonia, një vend me dy milionë banorë dhe me një popullsi etnikisht mjaft të përzier, qëmoti konsiderohet si shtet kyç i Ballkanit, më pak për shkak të fuqisë ekonomike dhe më shumë për shkak të pozitës gjeostrategjike. Pas konfliktit disamujor partia nacionaliste VMRO e ish-kryeministrit autoritar dhe të përkrahur nga Rusia, Nikolla Gruevski, ia ka dorëzuar pushtetin një koalicioni të përbërë nga socialistët dhe partitë shqiptare. Kësisoj pas zgjedhjeve demokratike u arrit ndërrimi i pushtetit.

BE kishte punuar në këtë drejtim; por vendimtar ishte ndikimi i SHBA-së, ndërsa Rusia mbeti duarthatë. Gruevski është përpjekur së paku dy herë të provokojë konflikte ndëretnike, së fundi me rastin e sulmit të përkrahësve të tij ndaj parlamentit në fund të prillit 2017. Por, qytetarët, maqedonas dhe shqiptarë, qëndruan të qetë dhe nuk pranuan të urrejnë të tjerët. Më parë kundër qeverisë së Gruevskit ishte krijuar një levizje masive paqësore e qytetarëve, të cilët në tubime i lidhnin flamujt maqedonas dhe shqiptar. Ndonëse ende ekzistojnë forca nacionaliste, dëshira e njerëzve në Maqedoni për të jetuar në qetësi me gjasë është më e madhe.

Zhvillimi i Maqedonisë nuk varet vetëm nga harmonia e brendshme ndëretnike, të cilën qeveria e re e përfaqëson më fuqishëm se ajo e mëparshmja. Shtetet fqinje, para së gjithash anëtaret e BE-së Greqia dhe Bullgaria, kanë ndikim të madh. Greqia për shkak se qe më shumë se 25 vjet bllokon pranimin e Maqedonisë në NATO dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE për shkak të konfliktit mbi emrin e shtetit. Bullgaria, ndërkaq, e pranon Maqedoninë si shtet, por shumë bullgarë i shohin maqedonasit si pjesë të kombit bullgar.

Qeveria e Zaevit po përpiqet të ulë tensionet, siç sinjalizojnë vizitat në Athinë dhe Sofje. Sidomos Greqia do të duhej të çlirohej nga ngurtësia e saj në politikën rajonale dhe të bëhet akter konstruktiv. BE do të duhej ta përkrahte dukshëm këtë shtendosje në Ballkanin jugor dhe shoqërinë civile maqedonase. Kështu ajo do t’i jepte fund edhe lojërave për ndryshimin e kufijve. Maqedonia tregon se Ballkani nuk duhet t’u dorëzohet njerëzve të pushtetshëm, nëse synohet të zhvillohet demokracia.

Oliver Jens Schmitt është profesor i historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës.

Ky tekst u botua në gazetën "Neue Zürcher Zeitung"

Marrë nga:http://dialogplus.ch/modelet-e-sundimit-autoritar-mund-ta-shnderrojne-ba...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.