Fundi i të enjteve parlamentare?

Postuar në 07 Korrik, 2017 09:10

Intervista e djeshme e kryeministrit Edi Rama për emisionin Top-Story ka konfirmuar lajmin se Gramoz Ruçi do të jetë kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë. Po kështu Rama është kujdesur të qartësojë edhe se LSI-ja në fillim dhe pastaj PD-ja, do të jenë opozitë. Në ekuacion nuk figuron PDIU-ja e cila me gjasë do të jetë pjesë e qeverisë.

Zgjedhja e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit të Shqipërisë në një moment kur vendi afrohet më shumë me BE-në dhe kur pritet hapja e negociatave të anëtarësimit, është disi e papritur dhe shpërfill taktin diplomatik. Dihet mirë sa konservator është perëndimi, por edhe diplomacia në përgjithësi kur vjen puna te përshkrimi i cv-së politike të dikujt. Ruçi ka qenë ministër i Brendshëm në periudhën e fundit të regjimit komunist dhe ai qysh atëherë nuk ka patur më funksione shtetërore. Por në një mënyrë instrumentale dhe me një politikë banale, ajo që quhet e djathtë ka përdorur emrin e tij si tabelë qitjeje. Por kjo nuk ka shkuar  më tej sesa ai teatri i zakonshëm i armikut të domosdoshëm.

Sot Ruçi vjen në detyrën e kryetarit të Kuvendit si një zgjedhje e Ramës për të vendosur rendin në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Për ta konvertuar atë në një ekran të madh të disiplinës së Grupit Parlamentar socialist. Me LSI-në në opozitë dhe PD-në që nuk e di se çfarë do të bëjë, është e qartë se Ramës i duhet të ketë një sallë kinemaje parlamentare, kur pasi fiken dritat të gjithë pushojnë. Kuptohet metaforikisht dhe fjala këtu është sidomos për t’I hequr deputetit Sali Berisha lirinë për të thënë çfarë të dojë, si si dhe sa të dojë dhe kur të dojë. Pamjet e parlamentit të shkuar të fjalimeve të pafundme, toleruar nga “dobësia e Ilir Metës për Doktorin” po shkojnë drejt fundit dhe këtë kryeministri e paralajmëroi edhe në fjalën e tij në takimin me deputetët e zgjedhur të PS-së.

Është domethënëse që për këtë rol zgjidhet Gramoz Ruçi, një njeri shihet si rrufepritës i akuzave dhe sulmeve nga çdo person politik, ndërkohë që kryeministri me gjasë do të fitojë rehatinë e shmangies së të enjteve denoncuese dhe skandaloze, të cilat duket se i ka përjetuar si viktimë e agresioneve verbale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.