“Zgjedhjet u blenë”. Kryetari i ngrirë nuk zë në gojë as Ramën dhe as Metën. Asnjë fjalë edhe për Pazarin e 18 majit

Postuar në 06 Korrik, 2017 12:38

Lulzim Bashës i erdhi zëri. Shoku i parë kaloi. PD-ja humbi, por ai jo edhe aq. Mirë do të ishte që të mos mbërrinte deri këtu, por ndodh. Ditë pas dite, demokratët duhet të mësohen se pa kryetar nuk rrihet. Ideja tjetër më mashtruese, ajo nga e cila vuan gjithë shoqëria jonë në mënyrën e të menduarit, është se pa kryetarin aktual, vjen shkatërrimi. Dhe këtu nis të ngatërrohen punët. Dorëheqja si standard dhe përmbi të gjithë detyrim i një dështaku, konvertohet në kompromis me domosdoshmërinë për të vijuar përpara. Zgjedhjet e ndershme i lënë vendin apelit për bashkim.

Kështu e kemi ngrënë karremin përherë dhe kështu do të vazhdojmë për një nevojë politike që duket se ka të bëjë me cilësitë vegjetative dhe korruptive tonat si shoqëri.

Lulit – fundja kështu i flasin thuajse zyrtarisht – i erdhi zëri sepse mori bekimin e Berishës. Të cilin do dojë edhe ca kohë ta spostojë, ndonëse pa ia prekur interesat. I erdhi zëri sepse Luli nuk ka humbur në fakt, ai thjesht ka një moment të vështirë. Ai duhet të flasë, të ulërasë sa ka në kokë, të çirret, të trashë zërin dhe të bëjë sikur derti I tij është Shqipëria dhe demokratët. Teatër bajat I një aktori të dështuar, i domosdoshëm kur duhet të mbrosh disa interesa.

Sot në Kavajë, i ngriri Lulzim Basha, nis të përrallisë për bandat që i vodhën zgjedhjet dhe se përkundrejt tyre ai qëndroi i vetmi si i moralshëm.

Është ora për të marrë të gjithë përgjegjësitë e mia për të gjithë vendimmarrjen, për të gjykuar bashkë me ju, a bëmë gjithçka që mundëm?”, tha ai në takimin elektoral në Kavajë.

Po si mund të realizohet ky gjykim kur gara në parti është vënë në diskutim? Sigurisht që ky është qëllimi i kësaj që po ndodh. Përndryshe, njeriu që flet për moral dhe sot akuzon se e kanë kërdisur bandat, duhet ta dijë se ato kanë një kokë dhe kjo kokë kërkon një emër. Jo, Lulzimi i ngrirë, nuk vendos emra. Ai nuk e përmend Edi Ramën, as Ilir Metën madje. Thjesht banda, organizat në hava që vijnë vërdallë lart e poshtë. Dhe mbi të gjitha sot, kërkon votën e demokratëve të prekur nga vjedhja e votës, por nuk e denoncon marrëveshjen me atë që nënkuptohet se urdhëron bandat, as distancohet prej saj. Arsyeja fare banale: Lulzimi është një lider i një lloji të ri. Ai nuk e krijon perspektivën përmes ideve apo vullnetit, apo qoftë edhe talentit organizativ, por duke u shtrirë sa në prehrin e Edi Ramës, aq edhe në të Sali Berishës. Ndoshta po i shkruan sms edhe Ilir Metës, duke i mashtruar të gjithë sy më sy me idenë se ai fle gjumë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.