Basha bën qingjin e butë, i ankohet ODIHR-it për vjedhjen e zgjedhjeve

Postuar në 05 Korrik, 2017 16:50

Partia Demokratike e Shqipërisë përcolli një njoftim mbi takimin e kryetarit të ngritë të saj, Lulzim Basha dhe drejtuesve të lartë të misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR, kryesuar nga Ambasadori Peter Teljer. Në këtë takim Basha theksoi se zgjedhjet u vodhën, duke ngritur një pretendim që vetë Partia Demokratike nuk e mbron dot.

“Problemi i blerjes masive të votave u shtri në të gjithë vendin me përmasa masive dhe organizim sistematik në zona urbane dhe rurale,  shoqëruar nga mbledhja e kartave të identitetit. Përvec angazhimit në shitblerje votash të strukturave partiake të PS dhe partive të tjera qeveritare u aktivizuan po ashtu bandat kriminale që vepronin pa asnjë pengesë dhe në disa raste me ndihmën e strukturave shtetërore, si dhe vetë strukturat shtetërore”-thuhet në deklaratë. Në të tilla kushte një opozitë normale nuk do t’i njihte zgjedhjet, siç veproi Edi Rama në 2009 kur kontestoi rezultatin dhe kërkoi hapjen e kutive. Por edhe pse i quan fundin e zgjedhjeve Basha pranoi rezultatin dhe për këtë arsye po përgatit edhe një palë zgjedhje në parti për të rikonfirmuar veten.

Kryetari i PD shkon më tutje në denoncimin e tij për përdorimin e administratës dhe të mirave publike në zgjedhje, ndonëse PD doli garante me ministrat teknikë për procesin.

“Në ndihmë të tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve u përdor edhe shumëfishimi i  listës së përfituesve të ndihmës ekonomike në këmbim të votës, punësimet masive në administratë dhe ente publike etj. Një rol të vecantë në shtrirjen masive të shitblerjes së votave ka luajtur paraja e përfituar nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike nga bandat kriminale me lidhje dhe mbështetje qeveritare”-vuri në pah Basha.

Akoma më qesharake është alibia që ngre Partia Demokratike pse nuk i çoi në Gjykatë provat që ka për shitblerje të votave. Njoftimi thotë se “Spaho dhe Bylykbashi sollën shembuj konkretë të konstatimit dhe të hapave ligjorë që kishin ndërmarrë në Elbasan dhe në Durrës në rastet e kapura të blerjes së votës, hapa që nuk sollën asnjë rezultat, pasi në rastin e parë policia nuk ndërmori asnjë veprim dhe në rastin e dytë, banditët e detyruan të tërhiqej qytetarin që ishte gati të dëshmonte”.

Kjo mesa duket ka dekurajuar PD-në të mos i drejtohet gjykatës për të zbardhur mekanizmin e blerjes së zgjedhjeve, siç ajo pretendon. E çuditshme si një parti ka vendosur t’i falë një krim të tillë elektoral Edi Ramës kur thotë se është dëshmitare e këtij krimi. Përderisa nuk e denoncon atëherë është bashkëautore me një qëllim të vetëm, t’i qëndrojë marrëveshjes së 18 Majit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.