Një optikë tjetër - nga jashtë - për rezultatin e 25 qershorit

Postuar në 03 Korrik, 2017 11:02

Gazeta greke “Ta Nea”, e afërt me të majtën dhe socialistët e PASOK, i linte vend në datën 1 korrik një shkrimi të një autori të quajtur Telemak Kocias, që prezantohet si shkrimtar i lindur në Vrisera të Gjirokastrës. Autori në fjalë që ka gjetur një dritare jo të vogël në shtyptin grek, e titullon shkrimin e vet: Quo Vadis Albania?

Pasi bën një përshkrim të shkurtër të zhvillimeve politike në Shqipëri gjatë këtyre 25 viteve, Kocias, duke shfaqur besimin te roli i ish-PPSh-së në menaxhimin e pluralizmit, del tek situata aktuale. Sipas tij, Shqipëria po shkon drejt një monarkie dhe kjo jo vetëm falë ligjit elektoral që nuk i mundëson votuesit shqiptar të zgjedhë kandidatët, por edhe për shkak të karizmës dhe cilësive të Edi Ramës. 

Fjalët e Kocias:

Shqipëria po drejtohet drejt monarkisë, jo vetëm për shkak të ligjit elektoral, por kryesisht si pasojë e personalitetit të Edi Ramës, që është lideri karizmatik absolut në vend. Ai është inteligjent, i pacipë dhe personi më i përshtatshëm për të bashkuar kristianët dhe myslimanët. Si një i krishterë ortodoks, ai është njëkohësisht jeniçeri më i mirë i politikës turke në Ballkan, që përkedhel veshët e të gjithë nacionalistëve dhe populistëve të çdo lloji, mbyll sytë ndaj kultivuesve të hashashit që e kanë kthyer Shqipërinë në Kolumbinë e Europës me paratë e të cilëve blihet vota”.

Një vështrim që merr këtu një farë rëndësie për shkak të rëndësisë që ka gazeta në fjalë te lexuesi grek. Autori shtyhet më tej kur parashikon se çdo nismë për të ringritur partitë e minoritetit janë të destinuara të dështojnë, për shkak të ligjit elektoral dhe manovrave që parti politike në Greqi kanë bërë me minoritetin.

Çështja këtu është se fuqia politike e Edi Ramës dhe sfondi mbështetës për të nga Erdogan, po mbivlerësohen duke veshur atribute ideologjike që nuk ekzistojnë gjëkundi si bindje. Ne pamë në intervistën e djeshme me France 24, se kryeministri shqiptar, kur u pyet se çfarë do të bëjë Shqipëria nëse BE-ja largohet, ai nuk nxitoi të deklaronte bashkimin me Kosovën, por foli për alternativa të tjera. Nga kjo pikëpamje, ajo që autori në fjalë e cilëson si vizion, në fakt është sjellje tipike e një politikani të një vendi të vogël për të cilin gjilpëra e busullës nuk është e thënë të orientohet nga veriu.

Sigurisht që Edi Rama mund ta drejtojë vendin drejt në monarkie, aktualisht ai e ka fuqinë politike që ta nxisë një proces të tillë. Cilësimet fetare që kujtohen më sipër jo vetëm që dëshmojnë për një frikë që perceptohet nga aventurizmi i pambarimtë i një vendi të dështuar si Shqipëria, por edhe për një sens analize që e shohin bashkimin e shqiptarëve nën okelion e një kurore. Vetëm se ajo që harrohet këtu është se PS-ja e tij të cilës i mvishen kaq shumë pushtete në fakt ka marrë vetëm 20% të votave të të gjithë shqiptarëve, që ndoshta në çështje kaq madhore edhe zgjohen. Më tej akoma, është jo pa rëndësi të theksohet se perceptimi për Ramën si njeri i Erdoganit, është tanimë diçka e përgjithshme, që kalon me qetësi vetëm në Shqipëri. Dhe kjo patjetër që do të ketë pasoja edhe në marrëdhënie me të tretë.

http://www.tanea.gr/opinions/all-opinions/article/5456516/quo-vadis-alba...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.