Sistemi PS plus…

Postuar në 02 Korrik, 2017 09:28

Kryeministri Edi Rama njofton se në muajin korrik do të nisë një tur dëgjesash për ta bërë bashkë me popullin atë të cilës i ka gjetur edhe një emër: Platforma e Bashkëqeverisjes. Fjalët e bukura nuk mungojnë për këto raste që janë efektive në të paraqiturit si punë e madhe që merren kallëp nga populli shpresëplotë. 

Një aspekt i rëndësishëm i këtij turi dëgjesash, do të jetë mbledhja e të dhënave për punën e zyrave të administratës shtetërore.
Për këtë qëllim do të përdoret edhe mbledhja e informacionit online nga njerëzit e zakonshëm, lidhur me zyrat e shërbimeve për publikun dhe punonjësit e drejtuesit e tyre.
Në këtë fazë ky informacion do të mblidhet përmes kësaj faqeje, apo faqeve online të udhëheqësve tanë në çdo qark.
Ndërsa më pas, kur Platforma e Bashkëqeverisjes me njerëzit, SHQIPËRIA QË DUAM, të jetë gati bashkë me Qeverinë e Re, një seksion i veçantë i saj do t’i shërbejë posaçërisht çdo qytetari; për të tërhequr vëmendjen e qeverisë për punën e zyrave të shtetit në çdo pikë të vendit apo vënë alarmin në qeveri, për raste konkrete të abuzimit me detyrën ose sjelljes së padenjë të nëpunësve të shtetit me njerëzit.
Pas këtij turi 30 ditor, të gjitha të dhënat e mbledhura për institucionet dhe zyrat e shtetit, do të analizohen imtësisht qark për qark.
Mbi bazën e tyre do të përgatitet një raport ku do pasqyrohet cilësia e punës, niveli i shërbimit dhe reputacionit publik të çdo dege të administratës shtetërore e të çdo drejtuesi përkatës.
Ky raport do të jetë në tryezën e Qeverisë së Re që në ditën e parë të punës, si një nga dokumentat bazë që do t’i shërbejnë operacionit të çuarjes së tepsisë për skrap”.
 
Dikush mund ta marrë për keqdashje, por ky tekstth që prezantohet si parim përgjegjësie i ka të gjitha cilësitë e konfeksionimit propagandistik të para viteve ’90 që aq shumë mundohej të nguliste idenë e pushtetit popullor. Dhe sa më shumë përmendet populli aq më tepër atomizohet mundësia për të presuar realisht dhe pozitivisht mbi qeverinë. 
Ka aty nga të gjitha huqet e para ’90-ës: ka nga letra anonime si formë, ka nga kontrolli punëtor, ka edhe nga ato format e “delegimit” të pushtetit te mençuria e popullit me të cilin luftohet reaksioni, që në këtë rast mishërohet te tepsia. 

Nuk ka sjellje më korruptuese për publikun sesa kur atij ja mjegullon kuptimin për interesin e vet. Edi Rama është këtu dukuria e korruptimit të mjedisit publik përmes qëndrimit 20 vjet në karrige në një sistem që çuditërisht atë nuk e paska  korruptuar, ndonëse ai në fakt ka korruptuar për shkak të shumë arsyeve edhe qëllimet e veta fisnike, nëse ato i ka patur ndonjëherë. Këtu në lojë është besimi i njerëzve që përdoret në keqbesim. Kryeministri aktual është një politikan që në këtë katundin ku shkëlqen si beu me borsalinë në rrugët me llucë, ka ditur t’i mbushë mendjen njerëzisë se fjala e tij, ajo që është kaq e gjatë, është Ngjarje. Dhe një teknikë për ta realizuar këtë është t’i drejtohet formalisht popullit dhe kategorive të tij.

I mbani mend letrat e tij për socialistët e bulevardit? Ato ishin paraprirë nga ato esetë e rrëmbyera të viteve ’90 në revistën “Përpjekja” që të japin përshtypjen e çlirimit të dikujt që e ka përjetuar pamundësinë për të qenë në një post vendimmarrës si krizë konvulsive e lirisë në gjendje konstipacioni. Më tej kemi Dialogun me Shqipërinë. Më tej kemi letrat ndaj popullit opozitar, më tej ndaj Berishës. Sot në këtë vazhdë kemi një përpjekje për Platformën e Bashkëqeverisjes.

Por zotëria që na ka premtuar shtet nuk mundet ta bazojë këtë përpjekje që e paguajmë me para të gjithë në formën e politikave që miratohen pa na pyetur, në voluntarizmin e popullit dhe qytetarëve që ftohen të japin mendime e të denoncojnë online. Jo pas fushatës ku je votuar. Sidomos jo pas fushatës. 
Ndodh kjo formë e manipulimit për të likujduar mundësinë e llogaridhënies duke anashkaluar kështu referimin institucional ndaj kryeministrit që sot po ndërton artifcialisht një raport epistolar me popullin, i cili shfaqet në formën e komenteve. Agoraja është këtu unike si shpikje shqiptare ku like është votë dhe miratim. Çfarë mbetet jashtë këtij "diskursi" statusesh dhe batutash është pra baltë kazani. 

Në këtë kuptim, ata qytetarët që sot kanë dalë të protestojnë në Tiranë për të moslejuar që një park të bëhet shesh ndërtimi, duhet të drejtohen në Facebook e kryeministrit, të flasin aty për Platformën e Bashkëqeverisjes. Me protesta nuk zgjidhet gjë në Shqipërinë që Duam, me ato merret Policia. Ky është kurth retorik ndaj instrumenteve të demokracisë nën presionin malinj të fitores elektorale. Njësoj si termat gjobë që po rishfaqen, njësoj si mbulimi i aksioneve për ujin dhe rritjen e çmimit të tij nën petkun e shpërdorimit nga vapa e madhe, a thua nuk ka bërë vapë herë të tjera. Kjo është kambanë alarmi serioze, kur një njeri në pushtet po godet dhe çmonton edhe disa atribute të mbetura, qofshin këto teorike, të sistemit, si protesta dhe përballja, duke konvertuar në show çdo iniciativë, duke kënaqur miletin me mençuri estrade, për të heshtur për ato projekte ku në fakt janë edhe interesat.  

Kujtoni sjelljen e këtij pushteti për ligjin e mbetjeve sesi fitoi me procedurë kohën e nevojshme për të ulur nervat dhe duke nxjerrë në protestë edhe sipërmarrësit. Diçka qesharake, por njëkohësisht serioze sa kohë funksionon. Ajo që quhet demokraci parlamentare është seriozisht në rrezik, jo pse ka ndonjë projekt, por sepse fusha është bosh. Çfarë d.m.th sistem bipolar me një opozitë si kjo? Asgjë më shumë sesa PS+. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.