Blerja e votës, thjesht akuza, apo do të kërkohet edhe hetim?

Postuar në 30 Qershor, 2017 12:37

Zgjedhjet parlamentare përfunduan dhe tanimë ato janë pranuar nga të gjitha palët e përfshira. Megjithatë, dy subjekte kryesore, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë deklaruar se në zgjedhje pati blerje masive të votave, duke shtuar se paratë e kanabisit janë përdoru gjerësisht në fushatë dhe ditën e votimit. Këtë akuzë e bëri edhe aleati i PS-së, Paskal Milo.

Si bazë referuese për këtë aspekt do të jetë raporti final i OSBE-ODIHR, ndërkohë që partitë shqiptare janë të legjitimuara të vijojnë me pretendimet e tyre.

Aktualisht skena parlamentare është ndërlikuar shumë dhe në varësi të interesave të saj do të shihet nëse vullneti politik për të sqaruar dukurinë e blerjes së votave është real apo i gënjeshtërt. Kështu rikonfirmimi i Lulzim Bashës në PD ka dy perspektiva: ose ai hyn në bashkëqeverisje me Edi Ramën, në forma nga më të ndryshmet, ose qëndron në opozitë. Nëse Basha largohet, atëherë skena sqarohet dhe PD-ja do të rimarrë pa ambiguitet rolin e opozitës.

Në këto kushte, është detyrim ndaj të gjithëve që opozita e re, pra PD-ja me LSI-në, të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore dhe institucionale për të hedhur dritë mbi pretendimin për blerje votash. Hetimi parlamentar është mundësia kryesore dhe ai është një instrument që mund të sqarojë shumëçka nëse realizohet seriozisht. Opozita ka tashmë edhe presidentin dhe blerja e votës trajtohet me dispozita penale. Mbetet pra në detyrën e opozitës së re që të nisë këtë proces që do të asgjësonte mundësinë e bashkëqeverisjes me PS-në, lojërat e Bashës me të dhe të sjellë ristabilizimin e skenës politike në atributet e natyrshme të secilës palë.

Krahas kësaj është edhe reforma zgjedhore që merr shumë rëndësi aktualisht. Por që të bëhen këto do të duhet që politika të lërë mënjanë karagjozllëkun e zakonshëm dhe të provojë serizoitet në këtë proces. Përndryshe akuzat dhe denoncimet në hava as që pinë ujë dhe do të harrohen për pak kohë. PD-ja nisi disa hetime parlamentare në katër vitet e shkuara dhe nuk konkludoi me asnjë, çka lë dyshimin se këto kanë qenë pazare të pastra. Është fat për vendin që PD-ja mbërriti në këtë pikë pasi është kjo krizë ekzistence që do imponojë seriozitetin e munguar dhe do të sfidojë disa interesa që janë bërë pengesë për jetësimin e një opozite të vërtetë. Në të kundërt, misioni i kësaj partie ka përfunduar dhe është çështje kohe derisa ajo të dalë nga vendimmarrja.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.