“Në zgjedhje u hodh para e madhe, ndikuan në rezultat”

Postuar në 30 Qershor, 2017 21:06

Presidenti në ikje, Bujar Nishani thotë se dyshimet për blerje të zgjedhjeve nuk janë hamendje, por se ka prova zyrtare për ndikimin që ky fenomen ka patur në rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit. Një deklaratë e tillë mund t’i vijë në ndihmë Lulzim Bashës që në një kontekst të tillë nuk mund të quhet humbës. Paradoksi është se vetë Partia Demokratike që humbi zgjedhjet pranon se ato nuk ndikuan në rezultat, ndonëse Nishani flet për të dhëna zyrtare

“Informacionet e mia zyrtare, serioze tregojnë që është përdorur resurs i madh financiar për të blerë votat. Në të gjithë territorin shqiptar. Nuk ka diskutim. Në mandatet dhe në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve. Për sa kohë ndikon në mandate, mandatet përbëjnë rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve” – tha Nishani.

E deklaruar publikisht nga presidenti kjo duhet të vërë në lëvizje organet hetimore madje, kreu i shtetit mund të kishte dalë me një qëndrim zyrtar dhe jo  të artikulonte diçka të tillë nga një studio televizive. Edhe OSBE-ODIHR në raportin paraprak nuk e mohoi fenomenin e shitblerjes së votës, por misioni ndërkombëtar është vëzhgues dhe jo faktmbledhës. Këtë gjë  duhet ta kishte bërë Task Forca e ngritur nga kryeministria me marrëveshjen e dy liderëve. Pyetjes pse nuk ka denoncime Nishani i përgjigjet duke ngritur dyshime mbi rolin e policisë  në këto zgjedhje.

 “Fakti që nuk ka pasur në raport me fenomenin, në gjykimin tim, nuk ka pasur minimumin e reagimit dhe goditjes së këtij fenomeni në përqindje, as minimumin në gjykimin tim, tregon që ose është toleruar nga institucionet e zbatimit të ligjit ky fenomen, ose kanë qenë të paaftë për ta identifikuar e për ta goditur. Fenomeni i shitblerjes së votës po kthehet në një kulturë shoqërore për fatin e keq dhe që po thellohet” – tha Nishani.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.