"Perceptimi është se pushteti dhe opozita në Shqipëri blejnë veten"

Postuar në 28 Qershor, 2017 19:19

Perceptimi i krijuar në këto zgjedhje është se pati shitblerje masive të votës. Partitë që humbën zgjedhjet si LSI e PD akuzojnë palën fituese se përdori para masive për të blerë vullnetin e qytetarëve. Për aq kohë sa mbetet në nivel perceptimi, jemi të prirur të dyshojmë se humbësit po justifikojnë humbjen.

Shitblerja e votës u kategorizua si krim zgjedhor në ndryshimet e Kodit Penal dhe u sanksionuar dënimi me burg. Që akuzat të bëhen të besueshme partitë që akuzojnë duhet të çojnë provat në Gjykatë dhe kësisoj barra e diskretitimit i mbetet kundërshtarët nëse vërtetohet se ka operuar me këtë mënyrë. LSI nuk ka bërë ende një lëvizje të tillë dhe as Partia Demokratike. Kryetarët e dy partive folën për blerje masive të votës nga Edi Rama, por nuk thanë se kanë ndërmend që autorët e këtij krimi t'i çojnë në Gjykatë. Dy janë arsyet, ose LSI dhe PD kanë operuar edhe vetë me këto metoda, ose ka një marrëveshje me Edi Ramën për të mos e bërë pis me akuza të këtij lloji.

Një përgjigje të vlefshme për këto akuza dha raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein. "Unë e kam dëgjuar këtë dhe di që tashmë ka ligj më të fortë në Shqipëri që dënon shitblerjen e votës. Nuk kam prova të shitberjes së votës, por nëse ka prova për këtë, ato duhen të paraqiten para Gjykatës. Për mua shtitblerja e votës është një çështje nderi. Ata që blejnë votën dhe që e shesin atë, nuk kanë nder dhe shkatërrojnë vendin e tyre. Dhe nëse kjo vazhdon, atëherë mirupafshim. Kjo është një çështje e shoqërisë dhe shoqëria civile duhet veçanërisht të punojë kundra këtyre fenomeneve derisa ato të zvogëlohen dhe të dënohen nga të gjithë"-deklaroi Fleckenstein në një intervistë për ABC News. 

Gjithësekush duhet ta provojë nderin në Gjykatë sipas standardeve që kërkon Europa dhe deri tani këtë nuk e ka bërë askush. As ata që fituan pushtetin dhe as ata që kaluan ose qëndruan në opozitë. E njëjta gjë i kërkohej edhe Edi Ramës në vitin 2009 kur bërtiste dhe bllokonte bulevardin me thirrjet "Hap kutitë ose largohu", por as ai nuk e bëri. Ndoshta Shqipëria është i vetmi vend ku edhe pushteti edhe opozita është e blerë, të paktën në nivel perceptimi. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.