Akti i parë i qeverisë së re, trajton OSHEE-në si tepsinë e Ardian Çelës

Postuar në 28 Qershor, 2017 14:08

Pa kaluar as 24 orë nga mbyllja zyrtare e numërimit të votave dhe konfirmimit të PS si mazhorancë e vetme, nis ndarja e tepsisë nga timonieri fitues i zgjedhjeve, i cili kërkoi votën për të çliruar vendin nga një sistem që e shikonte qeverisjen si ndarje përfitimesh.

Por akti i parë i qeverisë së re është pikërisht rikthimi tek ai model, kujdesi për ndarjen sa më shpejt të drejtorive dhe enteve me akses dhe risk të lartë në paratë publike. Me një ngut të pakptueshëm timonierët e rinj bënë kalimin e një Enti Shtetëror në duart e ish-drejtorit socialist që drejtoi kompaninë para marrëveshjes politike të 18 Majit dhë që pas lirimit nga detyra u angazhua publikisht në fushatën elektorale të Partisë Socialiste.

Kështu Këshilli Mbikëqyrës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) mori sot vendimin për lirimin e Haki Mustafës nga detyra e administratorit të shoqërisë OSHEE, i emëruar pas marrëveshjes së 18 Majit si propozim i Partisë Demokratike. Po me vendim të Këshillit Mbikëqyrës, në detyrën e administratorit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike  u emërua ish-drejtori, Adrian Çela. 

Rikonfigurimi i drejtorive që i ishin lënë PD-së duhej bërë njëherësh dhe në bllok, në përfundim të një pakti që prodhoi nevoja për garanci të opozitës në zgjedhje. Zgjedhjet mbaruan dhe u çertifikuan nga ndërkombëtarët si me standarde të pranueshme dhe kësisoj edhe rehabilitimi i drejtimit të disa institucioneve duhej bërë sipas një modeli që nuk ka si prioritet emra të veçantë apo figura preferenciale të kryeministrit. Na u premtua një model ndryshe, të paktën sa i takon transparencës. 

Rikthimi vetëm i Çelës në krye të një Enti Shtetëror krijon dyshime të arsyeshme për motivet e një emërimi të tillë kur ende nuk është konstituuar ekzekutivi i ri. Aq më tepër pse duhet të zgjidhet i njëjti person, që ka qenë i kallëzuar penalisht ka Kontrolli i Lartë i Shtetit për abuzime me detyrën. 

Emërimi pa transparencë dhe i ngutshëm i Çelës lë të kuptohet se Edi Rama do të operojë pak a shumë me të njëjtit njerëz në administrimin e “tepsisë” së pushtetit nëse do ta quajmë kështu, ndonëse më këtë lajtmotiv udhëhoqi fushatën që çoi në fitoren e plotfuqishme të Partisë Socialiste.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.