Një marrëveshje që nuk vlen më për PD-në

Postuar në 26 Qershor, 2017 11:22

Tashmë është e qartë që PS-ja dhe Edi Rama janë fitues të zgjedhjeve me një pjesëmarrje nga më të ulëtat në historinë e pluralizmit. Por ky nuk është më lajm. Shqiptarët që votuan e dhanë votën për atë parti që kanë zakon ta votojnë që nga 1946 për arsye që mund të hulumtohen vetëm në dhomën e rrëfimit të priftit. Sot lajm është se çfarë do të bëjë PD-ja, kjo krijesë e shkalafitur elektorale e cila mori grushtin e rëndë që nisi në marrëveshjen e 18 majit. Edi Rama ka folur shpesh në fushatë për bashkëqeverisje, se ai do të ketë kontakte me demokratët për hir të reformave. Është e qartë se atij nuk i duhen më demokratët në këtë drejtim. Ato pak ligje që kanë mbetur nuk janë më çështje problematike. 

Sot Shqipëria ka nevojë që të rithemelojë opozitën e vet politike, një opozitë që nuk bën sikur kundërshton pushtetin, një opozitë që e nisi rrugën me pseudokauza si ajo Doshi -Meta dhe vetëm në fund u kujtua që të zbulonte një program. 
Mund të pyetet qysh sot: A do të vazhdojë Lulzim Basha marrëveshjen e 18 majit me Ramën? A do të vazhdojë të deligjitmojë PD-në si opozitë për ta transformuar në shtojcë të pushtetit? 

Interesi i vendit kërkon sot opozitë të fortë, reale dhe ajo nuk mund të lindë pa zgjedhje në PD si parti e dytë në vend dhe pa një analizë të vërtetë. Bashkëqeverisja në këto kushte, apo çdo lojë e nënkuptuar si zakonisht e një pakti me Edi Ramën, thjesht do ta shkërmoqë përfundimisht një parti si PD-ja. Të kihet parasysh se është e vërtetë se skema parlamentare i jep PS shumicën e mjaftueshme, por nëse përballë qëndrojnë rreth gjysma e Kuvendit, është e qartë se socialistët nuk do ta kenë të lehtë. Janë një tërësi instrumentesh të pashfrytëzuar, që nga hetimet parlamentare, mocionet me debat, interpelancat etj., që mund të vihen në lëvizje. Një opozitë e vërtetë në të cilën Lulzim Basha vështirë se mund të figurojë tanimë, do të mobilizonte një numër njerëzish që të dilnin në zgjedhje. Jemi përpara një pushteti që do të bëjë patjetër shumë gabime. 

 

Comments

Submitted by I Vemendshmi (not verified) on

Me ne fund mbyllet cikli "Katovica", Shqiperia me e suksesshmja ne kete drejtim. Ja ku kemi perseri "Partine e Riunifikuar te Punes , e Re".

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.