Zgjedhje me mesazh kryesor (mos)Pjesëmarrjen

Postuar në 25 Qershor, 2017 23:15

Këto zgjedhje do të mbahen mennd më shumë për një aspekt tjetër që prevalon mbi rezultatin final, pjesëmarrja, është mesazhi kryesor i këtij procesi zgjedhor që ka të gjitha karakteristikat e një anomalie politike. Pa garë të vërtetë, pa programe, me vetëm 3-4 identitete në fushatë, procesi filtroi mesazhin më konstruktiv të vetin: refuzimin.

Pjesëmarrja është e ulët, madje ndër më të ulëtat ndonjëherë dhe nga kjo premisë mund të nënvizohen disa momente. Lojërat me shifra prezence dhe emigrantësh, apo me numrat absolutë, janë alibi. 

Së pari llogaritë brenda qarqeve bëhen më intriguese, pasi pjesëmarrja ndikon drejtpërdrejtë në aplikimin e formulës së Hondit që iu poftis Shqipërisë vetëm për llogari politike të dy-tre njerëzve. 

Së dyti, refuzimi deshifron dështimin e mesazheve politike që u përcollën në fushatë nga dy forcat kryesore, PS-ja dhe PD-ja.

Partia Socialiste u angazhua për të transformuar një arritje të përbashkët, si reforma në drejtësi dhe vettingu, në një dhuratë ekskluzive të saj për popullin shqiptar. Edhe në qoftë kështu, elektorati nuk reagoi duke e lexuar reformën në drejtësi si korrigjues të dështimeve dhe mashtrimeve me qeverisjen. Më tej akoma, PS-ja, specifikisht kryeministri preferoi të fliste më së pari për shtetbërje e pak nacionalizëm sesa për mirëqenien e qytetarit. Sigurisht që kjo do të prodhonte indiferencë aq më tepër kur hyhet në fushatë me një devizë gati teknike, si administrata dhe reformimi i saj.

Nga ana e vet, PD-ja pati disa propozime reale, të cilat janë të realizueshme sepse janë çështje vullneti, por partia në fjalë muajt e fundit humbi busullën e orientimit të vet si opozitë e këtij vendi. Loja politike e Lulzim Bashës shpërndau mendime ambigue mbi lidhjen me PS-në, periudhën paszgjedhore, që bashkuar me pakënaqësinë e listave për deputetë mund të kenë ndëshkuar keq këtë forcë politike.

Në këto kushte establishmenti ka marrë një sinjal shumë të qartë dhe është lajm i mirë që e ka marrë këtë me PS-në në pushtet, me të cilën nuk funksionon alibia e Saliut që ka faj për çdo gjë. Politikat e partive kryesore patjetër që kanë gjëra të drejta dhe janë të orientuara nga zgjidhjet sociale, por këtu jemi në kushtet kur politikat janë katandisur si nene statutore të cilat janë aty si një mekanizëm formal dhe shënim kartoteke. Politika prodhon ndryshimin me fjalë, por jo vetëm me fjalë. Duhen edhe disa punë dhe koha ka ardhur që ekipet drejtuese të kuptojnë se vendimmarrjet për një grup klientësh po prodhojnë pakënaqësi. Dhe pakënaqësia është një hap nga destabiliteti dhe delegjitmimi i lidershipit. Vendet fqinje japin shembuj të mirë në këtë drejtim.

Dhe duke iu referuar këtyre vendeve është e udhës të mbahet mend mësimi se rruga e shkurtër të nxjerr për gjatë. Pra programet radikale nuk duhet të gjejnë zbatim. Për fat në Shqipëri nuk ka ende të tilla. LIBRA dhe SFIDA, apo edhe Zgjidhja, luajnë më tepër me moralin e munguar dhe kritikën ndaj politikave oligarkike të ndjekura nga një e majtë që ka tradhëtuar çdo gjë të identitetit të vet.

Nuk do të ndihmonte askënd që në këtë rast të fliste për fitore, pasi është shumë e dukshme, se askush nuk ka fituar, përveç shqiptarëve që përcollën një mesazh kuptimplotë. Kuptohet pasi klasa politike aktuale i shtyu në buzë të varfërisë dhe poshtërimit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.