Një votë që duhet matur mirë që mos të tallen me ne më 26 qershor

Postuar në 23 Qershor, 2017 15:27

Zgjedhjet e 25 qershorit kanë tanimë vetëm një të panjohur: rezultatin. Koalicionet nuk ishin realitet i kësaj fushate, sikundër paqja PS-PD zhbëri mundësinë e një debati të nevojshëm për ekonominë e këtij vendi. Duket se kriza që ka mbërthyet ekipin politik po imponohet si prioritare përkundrejt kërkesës së qytetarëve për një analizë të asaj që ndodhi këto katër vjet, pa akuza në erë dhe pa fajësime. Thjesht analizë reale dhe një bilanc. Kryeministri Edi Rama, favoriti i zgjedhjeve dhe përgjegjësi kryesor i qeverisjes, i është shmangur deri në fund kësaj teme, herë duke vendosur si kontekst situatën e vështirë që gjeti, e herë duke akuzuar gazetarët se nuk marrin vesh nga kjo punë.

Në çdo rast, sido që ta kthesh, në raport me premtimet e vitit 2013, realizimet janë minimale. Janë të tilla për shumë arsye dhe janë të tilla për të prodhuar një efekt zinxhir në shumë drejtime, efekte që qeveria në vend se t’i trajtojë me një program a projekt, i rimerr si teza të armiqësisë së medias. Shqipëria është vend i drogës, i trafikut, i njerëzve që ikin, sikundër është patjetër një vend që ka përmirësime në aspektin estetik, në një rifreskim të panoramës urbane. Është një vend që ka një draft të reformës në drejtësi, por që në çdo rast nuk jep shpresë se arroganca e sundimtarëve socialistë do të kufizohet, apo se llogaridhënia për lloj lloj vendimesh do të jetë reale. Qeverisja socialiste e Edi Ramës i ngjan atij që tregon përralla jo për të edukuar shijet, apo për të të kënaqur, por për të të vënë në gjumë. Ka përherë diçka me hile në të, ndonëse duhet pranuar se as opozita nuk ka qenë në gjendje t’i bëjë një analizë kritike ecurisë ekonomike të vendit dhe masave për stabilizimin financiar.

Nëse shohim nga Partia Demokratike, kreu i saj, Lulzim Basha thotë se ai është i vetmi që ka një plan konkret. Ai ka premtuar taksën e sheshtë, ndryshimin e tarifës për transaksionet me pronën, masa lehtësuese në bujqësi etj.. Por programi i Bashës kompromentohet nga dy elementë: së pari nga paqartësia që krijon lista e tij dhe situata në PD dhe së dyti nga përmbajtja dhe angazhimet e tij ndaj marrëveshjes së 18 majit. Lulzim Basha dha një goditje të fortë me listën dhe paktin me Ramën, por ai konfirmoi se ndihet më shumë komod kur vepron pa transparencë. Askush nuk e di se cilat kritere u ndoqën për propozimin e ministrave teknikë, ndërkohë që duhet thënë se në raport me Ramën, Basha ka një bilanc të vetin katër vjeçar. Ai pastroi kundërshtarët në parti, imponoi procesin e dekriminalizimit, goditi në imazh PS-në, hapi kanalet e koalicioneve me LSI-në dhe PS-në dhe diti t’i jepte një produkt protestës së Çadrës.

Kjo është një cekje shumë sipërfaqësore e paraqitjes së dy partive kryesore në këtë fushatë, për të cilat askush nuk di ekipin me të cilin kryeministrat kandidatë kanë ndërmend të qeverisin nesër. Nga ana tjetër është krejt e pakuptueshme sesi do të bashkëqeverisë nesër PS-ja me PD-në në kushtet e dy programeve diametralisht të kundërt. Propozimi për taksën e sheshtë është vetëm një që xixëllon dhe këtu duhet një tjetër proces për të rakorduar disa qëndrime.

Mundet fare mirë të pyetet: çfarë oferte është kjo për një qytetar normal që nuk është militant? Patjetër që është një ofertë e gënjeshtrës dhe mashtrimit, njësoj si katër vjet më parë. Një ofertë për të cilën festojnë vetëm partitë politike, por ku qytetari nuk gjen të shprehur asgjë nga hallet e përditshme. E sigurtë është se 25 qershori është një shans për të hedhur një votë që ndëshkon, tani që alternativat nuk ndryhen vetëm te një dyshe që qëllimisht po kërkon ta izolojë sistemin. Nuk është fjala për LSI-në, pjesë e tepsisë treshe, por për forca të tjera, që të paktën mund t’u jepet një shans që të rriten sadopak, për të vënë në krizë këtë ekip të vjetër që thjesht në 26 qershor do tallen me ne të gjithë në ndonjë tavolinë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.