800 punë apo 800 ditë në televizor?

Postuar në 23 Qershor, 2017 11:16

Në 2-vjetorin e inagurimit si kryebashkiak i Tiranës, Erion Veliaj tha se ka bërë 800 punë në 800 ditë. Ky bilanc mbetet gjithsesi i diskutueshëm për aq kohë sa lista është ekskluzivitet i bashkisë që mund të quajë punë edhe ndërrimin e letrave në banjot e bashkisë, pamvarësisht se mund të paragjykohet për rendimentin apo impaktin që ka kjo në mbarëvajtjen e punëve të Tiranës. 
E sigurtë është se Erion Veliaj ka dalë 800 ditë në televizor për të na thënë se nje ditë hapi një kanal, shtroi disa metra rrugë, beri xhiro me autobus apo porositi bukë në trajse për fëmijët e kryeqytetit, përveç ahengut që zgjat me ditë për punë të mëdha siç janë parkingjet dhe sheshet mbi to. Nuk është rekord ai që thotë Erion Veliaj, rekordi i tij më i madh dhe rekordi më negativ është se standardizoi suksesin me sponsorizimin në media të profilit si njeriu me mëngë të përveshura që nuk ka vetëm punë, por edhe llafe. 
Bilbil është nga goja për t'u bërë propagandë politike qytetarëve me fushata të financuara nga paratë e taksapaguesve. 
Askush nuk e di faturën e operacionit që i mundëson Veliajt të jetë çdo ditë në media, edhe kur bën mbledhje të sajuara të bashkisë për të lexuar parrullat e tij politike në mbështetje të kryeministrit, për të  cilin nuk e fsheh mirënjohjen (me të drejtë) pasi e mori nga tribuna e një partie si G99 me 0% në zgjedhje dhe e bëri kryetar të bashkisë së Tiranës. Ky është modeli që ndërtoi Veliaj në 800 ditë, i shndërroi mediat në televizione të Bashkisë dhe veten në një Belul progresist të stilit amerikan, që ka mbirë në çdo televizor per të folur per veten dhe jo  vetem.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.