Rama nën akuzë: I kapur nga biznesmenët e Berishës

Postuar në 22 Qershor, 2017 12:20

Është folur gjithmonë për lidhjet preferenciale të kryeministrit Edi Rama me biznesmenë që kanë qenë klientë të qeverisë së kaluar, por tani akuza vjen publikisht  nga ish-bashkëkryetari i koalicionit Ilir Meta. Mesa duket ky i fundit ka vendosur të luftojë me çdo mjet dhe fakt ish-aleatin e tij pas sulmeve ndaj LSI-së. Ilir Meta tha në Berat se Edi Rama u vu në shërbim të 6 personave që Sali Berisha i konçensionoi për shërbimet publike. 
"Në katër vjet ai jo vetëm që nuk u kujdes për Shqipërinë dhe për shqiptarët, por u ktheu kurrizin socialistëve sapo mori votat dhe u vu në shërbim të 6 oligarkëve, të cilët drejtonin e qeverinë e Sali Berishës me vendimet që merrnin dhe që impononin. Dhe vetëm për këta të 6 dhe krerët e Rilindjes, Shqipëria ishte një El Dorado në katër vjet"-deklaroi Meta. Akuza është konkrete por Meta nuk përmendi emra.

I pyetur në emisionin Opinion për të folur në terma konkretë Ilir Meta dha këtë përgjigje. "Po të shikoni listën e koncesioneve do ta kuptoni se kush janë. Z. Rama për fat të keq edhe z. Basha, ndonëse edhe ai flet ndonjëherë kundër oligarkisë, nuk arrijnë dot të ndjekin dhe të zhvillojnë politika transparente në interes të gjerë të publikut. Përmenda rastin e koncesioneve sepse kemi të bëjmë me burime natyrore të vendit, me shërbimet publike, pasuritë tokësore e nëntokësore, sa e ka akuzuar z. Rama dikur z. Berisha për koncesionet dhe për një pjesë ka pasur të drejtë, por më pas ka bërë vetë një hata me koncesione që nuk kanë asnjë lloj produktiviteti në vlerësimin tim"-theksoi Meta. Konçesionet janë pika më e errët e qeverisë aktuale, e cila kishte premtuar anullim të kontratave klienteliste dhe abuzive, por pas 4 vjetësh asgjë nuk ndryshoi. Komisioni i Ekonomisë bëri një përpjekje 2 vjet më parë për të adresuar shqetësimin për të paktën 3 kontrata konçesionare të qeverisë së kaluar, përfitues i të cilave ishte biznesmeni Sëmir Mane. 
Nga shqyrtimi dhe vlerësimi i të gjithë kontratave koncesionare ka rezultuar se gjatë procedurës për dhënie koncesionesh nuk është respektuar ligji për mbrojtjen e konkurrencës. Autoriteti u ka rekomanduar ministrive përkatëse të linjës rishikimin e kontratës koncesionare për shërbimin e kontrollit teknik të automjeteve, shërbimin e skanimit të kontenierëve, shërbimin e tarifës për pullat fiskale”, thuhej në relacionin e raportit të këtij institucioni. https://sot.com.al/politike/braçe-kundër-monopoleve-të-berishës-dhe-samir-manes-kërkohet-rrëzimi-i-koncesioneve-të. 
Kjo tentativë nuk u mor asnjëherë seriozisht dhe vetë kryeministri në përgjigjet që ka dhënë pse nuk mbajti premtimin e anullimin të koncesionit të skanimit deklaroi se qeveria u tërhoq dhe pranoi rinegocimin pasi do të përballen me gjoba të mëdha në Arbitrazh. Ky argument zbulon një tjetër anë të errët të ish-opozitës Socialiste që denonconte konçesionet dhe premtonte anullimin e tyre pa patur një ekspertizë juridike mbi mundësitë e anullimit të kontratave. Ose versioni më i keq është ta ketë ditur por ta ketë përdorur si karem për të luftuar kundërshtarin.

Fakte treguan se biznesmeni Samir Mane, i cili akuzohej si klient i Berishës në disa konçesione u konçesionua edhe nga qeveria Rama në nxjerrjen e kromit në Bulqizë. Një vit më parë qeveria Rama vendosi, të shtyjë me 10 vjet afatin e kontratës koncesionare të kompanisë ACR Holding për shfrytëzimin e minerës së kromit në Bulqizë, vendburimi më i madh i kromit në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhenjtë në botë.
Kontrata e mëparshme koncesionare përfundonte në vitin 2031, kohë kur miniera duhej t’i kthehej shtetit shqiptar, ndërsa tani ajo do të shfrytëzohet nga konçesionari deri në vitin 2041.
Argumenti i qeverisë ishte se koncesionari ka marrë përsipër të investojë 15 milionë euro mbi planin e mëparshëm të investimeve, ndaj ky premtim është shpërblyer me zgjatjen me 10 vjet të kohëzgjatjes së konçesionit. Ky është një nga shembujt që vërteton pjesërisht akuzat e Ilir Metës, i cili ka përgjegjësinë se nuk i denoncoi këto lidhje më herët. Burime nga Ministria e Financave thanë për Respublica se Grupe të fuqishme financiare kanë patur ndikim mbi qeverinë dhe kanë penguar nisma apo projekte që do të lehtësonin shërbimet mbi biznesin dhe kanë goditur tregun. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.