A mund të drejtojë Lulzim Basha një Republikë të Re?

Postuar në 21 Qershor, 2017 18:40

Kushdo që do të kishte përballë një qeveri si ajo e Edi Ramës dhe Ilir Metës, produkt i një koalicioni të diskretituar dhe pa asnjë shtyllë morali për të qëndruar në këmbë do ta kishte të sigurtë fitoren në zgjedhjet e 25 qershorin. Por ky nuk është rasti i Lulzim Bashës, sfidantit të opozitës për kryeministër.Kryetari i Partisë Demokratike sipas të gjitha parashikimeve mbetet parti e dytë dhe basti i këtyre zgjedhjeve nuk është nëse fiton ose jo opozita, por a e kap Edi Rama numrin 71 për të qeverisur i vetëm apo do të detyrohet të martohet me parti të vogla për t’i dhënë vazhdimësi pushtetit të tij.

Pyetja është thelbësore dhe shumë domethënëse. Pse Lulzim Basha nuk e udhëheq dot Partinë Demokratike në një fitore të sigurtë përballë një qeverie me shumë probleme në kontrollin e territorit, kultivimin e drogës, konçesione të dyshimta, mungesë transparence, protagonisëm dhe arrogancë të theksuar?

Përgjigjet mund të jenë disa. Në 4 vjet opozita e drejtuar prej tij nuk u shkoi deri në fund shumë çështjeve që kishin të bënin me keqqeverisjen e vendit dhe abuzimet me paratë publike. Partia Demokratike u mjaftua me betejën për ligjin e dekriminalizimit dhe paditjen në prokurori të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, por me një dosje të pamjaftueshme për ta çuar përpara drejtësisë.

Opozita nuk i shkoi deri në fund lidhjeve të Sajmir Tahirit me elementë kriminale dhe përgjegjësive të tij për rritjen e sipërfaqeve të mbjella me drogë dhe rasteve të trafikut të narkotikëve.Lulzim Basha është një lider që nuk duket të ngjallë besim tek qytetarët, me pak fjalë është i pabesueshëm. Kjo jo vetëm për shkak të bilancit të tij katastrofik si kryetar i Bashkisë së Tiranës, por edhe të aktit të fundit politik që lidhet me protestën në çadrën para kryeministrisë.

Me kthesën 360 gradë Lulzim Basha zhgënjeu jo vetëm mbështetësit e opozitës, por edhe të pakënaqurit ose elektoratin gri që mund të ndëshkonte me votë qeverinë Rama-Meta, nisur edhe nga fryma denoncuese e çadrës së opozitës. Përshtypja që la marrëveshja se ai mund të qeverisë me Edi Ramën pas zgjedhjeve të 25 Qershorit përforcoi dyshimet se ai mund të tradhëtojë lehtësisht mbështetësit e tij dhe shkelë mbi premtimet, duke vërtetuar se gjithçka thotë është vetëm retorikë politikë dhe jo bindje apo parim që ai beson.

Edhe fushata elekrorale e zotit Basha është i ngjan asaj të një lideri manekin që përsërit në mënyrë ortodokse skenarin e mësuar përmendsh. Është për t’u vlerësuar që Partia Demokratike ka një ofertë që bazohet në uljen e taksave, por argumenti se është hartuar me këshillimin e ekspertëve të CDU-së së kancelares Merkel nuk e bën atë automatikisht një plan të suksesshëm.

Ajo që i mungon zotit Basha dhe që e bën të ngjashëm me kundërshtarin e tij është se në këtë fushatë nuk ka prezantuar një ekip që mund të ishte qeveria e tij në hije. Ne nuk e dimë se me këtë do të qeverisë zoti Basha, lista e kandidatëve për deputetë dhe emrat e ministrave teknike ishin zgjedhje personale të minutës së fundit. Një rekord i keq për një politikan që kërkon votën për t’u bërë kryeministër.

Së fundmi ka dhe një flirt në distancë mes tij dhe Ilir Metës për të bashkëqeverisur pas zgjedhjeve edhe pse para pak ditësh sulmoi ashpër Lëvizjen Socialiste për Integrim si parti Shushunjash. Të gjitha këto ngrenë shumë pikëpyetje mbi Lulzim Bashën dhe mundësinë që ai të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.