Shiritat Veliaj-Rama, a janë premisë për të orientuar votën?

Postuar në 21 Qershor, 2017 11:44

Edi Rama ka marrë pjesë në dy inaugurime këtë fushatë elektorale, atë për sheshin Skëndërbej dhe segmentin e parë të Bulevardit të Ri të Tiranës, të dyja punë të Erion Veliajt të financuara nga qeveria. Përveç larje-lyerjeve për njëri-tjetrin që edhe mund të na ishin kursyer, mesazhi për votuesit ishte i qartë: votë për Edi Ramën që të kemi një Tiranë të zhvilluar dhe për analogji edhe një Shqipëri të zhvilluar. A janë këto investime premisë për t'i besuar një programi zhvillim të Partisë së drejtuar nga zoti Rama dhe të projektuar për Erion Veliajn. 

Populli thotë, më mirë syri sesa nami. Sheshi "Skëndërbej" dhe segmenti i parë i Bulevardit të Tiranës janë si të thuash vitrina e investimeve publike të qeverisë Rama në kuadrin e Rilindjes Urbane, por jo për t'u inaugurar me aq solemnitet siç u festuan. I pari është një ajsberg 16 milionë eurosh ku mbi sipërfaqe është një tapet pllakash dhe nën të një labirint betoni që do të funksionojë si parking nëntokësor. I dyti një investim i nisur nga kryetari paraardhës i Bashkisë, por Erion Veliaj na thotë se duhet t'i jemi mirënjohës Edi Ramës për idetë dhe mbështetjen financiare.

Kryeministri aktual mund ta kishte nxitur edhe më herët këtë projekt kur në krye të bashkisë ishte Lulzim Basha, i cili nisi punimet por qeveria qëllimisht nuk e ndihmoi financiarisht për ta vazhduar projektin sepse interesi primar ishte mesa duket promovimi i zotit Veliaj si njeri i punëve të mëdha. Në këtë pikë as Rama dhe as Veliaj nuk mund të na bëjnë për budallenj, veç faktit që askush nuk është ndalur tek praktikat e këtyre investimeve, si dhe nga kush janë kryer punimet, supervizimet.

Përtej këtij diskutimi a janë premisë këto inagurime që të besojmë se investimet e këtij binomi janë të orientuara drejt. Faktet thonë të kundërvën. Sektori i infrastrukturës është më i dështuari i qeverisë aktuale, të paktën krahasuar me qeverinë e kaluar, e cila harxhoi para në vepra të mëdha të infrastrukturës rrugore. Në 4 vjet qeveria aktuale nuk mbylli dot pak kilometrat e mbetura të autostradës Tiranë-Elbasan, një investim që e afroi Tiranën me Elbasanin për 20 minuta. çuditërisht ky investim gjigand nuk u përkthye në vota për ish-qeverinë Berisha në Qarkun e Elbasanit dhe premisat janë që edhe në këto zgjedhje votuesit e këtij qarku të votojnë për veshjet e kryeministrit Rama dhe jo për atë çfarë nuk bëri dot qeveria e tij me rrugën Tiranë-Elbasan.

Qeveria aktuale në 4 vjet nuk përfundoi dot dy nyjet kryesore të aksit Qëndror jugor, By Pass-in e Fierit dhe atë të Vlorës. Investime të prokuruara që në vitin 2013, por që ende sot janë kantiere duke privuar qytetarët të kenë akses në investimet që kryhen me taksat e tyre dhe që u janë tejkaluar disa herë afatet. Rruga Kardhiq-Delvinë e lënë përgjysëm nga qeveria Berisha nuk mori asnjë financim ndonëse shkurton te ndjeshëm distancën me Sarandën destinacionin më të rëndësishëm turistik të jugut të vendit.

Bilanci i investimeve në sektorin e telekomunikacionit i kësaj qeverie është thuajse zero, pasi paratë u orientuan në projektet e Rilindjes Urbane, të cilat mund të kryheshin nga pushteti lokal që gjeneron jo pak para. Krahasuar me qeverinë e kaluar që ndërtoi rrugën Durrës-Kukës dhe tunelin e Kalimashit, rrugën Tiranë-Elbasan dhe tunelin e Krrabës, rrugën Lushnje-Berat, rrugën Levan-Tepelenë apo rrugën e bregut Vlorë Sarandë, fishkezjarrët e inagurimeve Veliaj-Rama promovojnë një shkëlqim dhe spektakël që nuk justifikon premisat se vota për këtë program është votë për transformimin, por vetëm për makiazhin e qeverisë dhe kuratorëve Rama-Veliaj. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.