Ku i blejnë domatet këta të mëdhenjtë?

Postuar në 21 Qershor, 2017 10:20

Këto dy ditë u publikua një investigim i Fiks Fare(http://www.respublica.al/2017/06/20/lushnje-beratstimulant%C3%AB-dhe-hor...) për atë që ndodh në fushat bujqësore të Lushnjes dhe Beratit, prej nga ku vijnë disa ushqime në tryezën tonë. Ngjyrosje, hormone, përdoren pa kriter. Dhe në fund edhe dollia e fermerit që po fliste pa e ditur se po regjistrohej: Unë fëmijëve të mi nuk u jap as domate, as shalqi.

Ndërkohë fëmijët tanë po i hanë këto domate dhe shalqi dhe teksa të gjithë përpiqen të rrëmojnë tregun për të gjetur ndonjë gjë të hajrit, na del ky zanat i fermerëve kriminelë që na dëshmon se inteligjenca e jetës na qenka strehuar në fusha. Sigurisht që edhe në kushte ideale, ai që jeton në fshat, me natyrën dhe tokën, ushqehet më mirë, merr ajër më të mirë. Por nuk po kërkon kush këtë. Po kërkohet një minimum garancie se ne nuk po helmojmë me duart tona fëmijët. Dhe ky është rasti i disatë që del si pjesa e radhës e atij serialit horror që fshihet në atë që fusim në gojë çdo ditë.

Pa marrë përsipër të gjykojmë nëse kjo që pamë është e vërtetë apo jo, se situata e përgjithshme është kështu apo ashtu, pasi këto do të duhet të zbardhen nga autoritetet, sërish ankthi dhe pasiguria ekziston. Mosbesimi tek institucionet shqiptare është i madh, institucione që janë memece apo ndryshojnë variantet sipas urdhërit të shefit si në rastin e miellit, edhe në atë të importit të pulave, edhe në këtë që ndodh me prodhimet bujqësore. Njeriu rri dhe shikon lajmet dhe pyet: Pse duhet të raportohet në media fillimisht një gjë e tillë? Pse me bukën nuk ka një standardizim, por tolerohet pesha e ulët, mashtrimi me të etj.?

Këshillat janë që të mos blihen produkte blegtorale në rrugë, jashtë kushteve frigoferike, por kush na siguron se ato që shiten në dyqan janë të sigurta? AKU-ja dhe autoritetet e tjera që presin median se mos nxjerr ndonjë gjë? E mira e kësaj pune është se deri më tani MInistria e Bujqësisë, e me të edhe qeveria, nuk e quan këtë baltë, as raportim nga kazani. Dhe kjo sepse u djeg miza nën kësulë. E dinë shumë mirë se çfarë lënë të kalojë në treg.

Ky është rasti që bujqësia për të cilën kjo qeveri, por edhe ajo para saj, krenohej shumë, të jetë pjesë kryesore e programeve dhe debatit. Këtu nuk po flasim për të hyrë në hollësi të kultivimit, por për ushqimin dhe sigurinë e tij. Janë tema që në botë merren shumë seriozisht. Koha kur shqiptarët mund ta shtynin ditën me fara luledielli, dy ullinj dhe një dopio raki është pak demode tani, ndaj kërkohet më shumë. Do të duhej që ata që sot përgjigjen për politikat e bujqësisë të kishin folur, edhe në fushatë. Se nuk është jashtë trendit të thuash që për sigurinë ushqimore do të bëjmë këtë e do bëjmë atë, do ndërhyhet këtu apo aty. Kuptohet pa konçesion.

Produkti bujqësor hyn në treg nën çertifikimin e shtetit dhe ndaj llogaria shkon drejt autoriteteve, qeverisë, e cila sot edhe pse drejtohet nga të gjithë, as që kujtohet të thotë dy fjalë. Patjetër që po bëjnë politikë të madhe, politikën e vënies së veshit në dispozicion të diplomatit të radhës. Të paktën të na thonë edhe neve, të na thotë kryeministri që është i pari i punës: Ku i ble domatet që të shkojmë edhe ne t’i blejmë të sigurtë?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.