Eksperimentimi i kulturës së kompromisit në Ballkanin Perëndimor

Postuar në 19 Qershor, 2017 13:16

Njësoj si në Maqedoni dhe në Kosovë situata pazszgjedhore dikton negociimin e koalicioneve jo të natyrshme për të krijuar qeverinë e re. Kandidati kryesor që po aktualizohet si emër për kryeministër është Ramush Haradinaj, përfaqësues i një koalicioni parazgjedhor mes PDK-së së Hashim Thaçit, AAK-së së vet dhe Nisma të Fatmir Limajt.

Si do të krijojë qeverinë Haradinaj me një Vetëvendosje që ka dhënë goditje të fortë në zgjedhje?

Gazeta “Zëri” shkruan sot se qeveria e re me rezultatet e nxjerra do të thotë aftëi për kompromis. Dhe ky kompromis kalojnë nga një ofertë për partitë serbe.

Së fundmi Haradinaj duket se është vënë para një pozite mes “dy zjarreve” politike. Ose ta formojë Qeverinë vetëm me minoritetet dhe dy-tre deputetë nga krahu tjetër, duke lënë tërësisht në “varësi” të Beogradit Qeverinë e Kosovës, ose ta bëjë ndonjë koalicion paszgjedhor me LAA-në si koalicion apo vetëm LDK-në, duke përgjysmuar postet në ekzekutiv. Kështu të paktën kanë vlerësuar njohësit e proceseve politike në vend. E në mesin e dy këtyre opsioneve analistët kosovarë thonë se zgjidhja më e keqe do të ishte që Qeveria e Kosovës të varej nga disponimi i Listës Serbe. Megjithatë vetë kandidati për kryeministër nga PAN-i, Ramush Haradinaj, është i bindur se do të arrijë ta krijojë Qeverinë shumë shpejt, pa ndonjë sfidë, pazar apo sacrificë”, shkruan gazeta.

Siç shihet opsioni i një koalicioni me Vetëvendosjen nuk përflitet, ndërkohë që ai me pakicën serbe hyn në ekuacion si i mundshëm. Kjo presupozon se edhe pakicat serbe duan të jenë në qeveri, edhe pse u intereson, por edhe pse Beogradit I duhet një këmbë në stabilitetin politik të Prishtinës. Që këtej edhe përralla morale ballkanike e sajuar në Beograd se në Kosovë fituan kriminelët e luftës, bie, për të ecur përpara me laps.

Nuk dihet si do ta zgjidhë këtë situatë z. Haradinaj që ka kaluar jo pak sfida, por një gjë po bëhet e sigurtë: në Ballkan skena politike po humbet kufijtë tradiconalë ideologjikë kur vjen pun ate qeverisja. Konservatorët dhe të militarizuarit nuk e kanë për gjë të bashkëjetojnë me liberalë e ca më tutje me parti të etnive armike. Arsyeja është e thjeshtë: nacionalizmi dhe retorika janë malli i dyqanit politik, paratë dhe përfitimet janë tjetër gjë. Këtë duhet të shohë edhe elektorati në mënyrë që të mos verbohet njësoj si ata indigjenët me pasqyrat e kolonizatorëve. Analogjia nuk është e pakët me rastin e Maqedonisë, një shtet në të cilin u eksperimentua Kompromisi më i pazakontë. Gruevski bashkëqeveriste me shqiptarët, madje me ata të dalë nga lufta “që shkatërroi perandori”, siç tha Ali Ahmeti. Dhe kalonte kaq mirë me ta, saqë kjo çoi edhe në rënie të votave shqiptare për partitë shqiptare të cilave u pa torba shumë gjëra. Puna e solli që Gruevski nuk po I pëlqente më Perëndimit dhe duhej gjetur një mënyrë për ta hequr dhe u gjet pika e dobët: partitë shqiptare. Të cilat në moment të fundit devijuan drejt një kompromisi gjoja parimor me Zaevin, që nga ana e vet ndau shpejt e shpejt postet dhe tashmë çdo përrallë për platformën dhe gjuhën është çështje e së shkuarës.

Shenja xixëlluese të kësaj ka edhe në Serbi, por me tone të tjera. Caktimi si kryeministre i një femre gay është risi dhe si të thuash goditi mu në zemër protestat e disa serbëve kundër autoritarizmit të Aleksandër Vuçic. Si vallë mund të jesh autoritar – term që asociohet ta zëmë me Orban – dhe të bësh këtë përzgjedhje kaq jortodokse?

Për të qetësuar shpirtrat Vuçic me atë mënyrë si prej djali të mirë e gjeti formulën: Brnabic do të jetë drejtuesja e trenit, Daçiç timonieri. Llafe pa kuptim për të mbyllur një muhabet të bezdisshëm derisa njerëzit të mësohen.

Në këtë kuadër koalicionet e shkartisura kaq shumë janë një mënyrë cinike, krijuar sa nga vota aq edhe nga lojërat e diplomatëve perëndimorë për të vënë nën mëkatin e bashkëqeverisjes të gjithë aktorët, që përndryshe mund ta mbajnë skenën të ndarë në kriza pa kuptim. Le të shohim sesi Gruevski tani po bën thirrje dhe po interpreton armiqësinë e partisë së tij me shqiptarët si një kurth nga LSDM-ja dhe mediat. Ai e ka harruar edhe Sorosin, i cili shërbeu aq muaj me emrin e tij. Arsyeja? Nuk ka asnjë llogari që VMRO-ja të fitojë e vetme.

Aspekti që e sheh praninë e pakicave në qeveri si subversive apo kompromentuese po bie. Jehona e kësaj tretësire politike që I ngjan një gjelle të nxjerrë nga frigoriferi vjen edhe në Shqipëri. Madje erdhi si me magji. Po shohim një fushatë ku bashkëqeverisja nuk përjashtohet më. Simbolikisht, kufijtë që deri me dje gjeneronin repertorin polarizues, nuk ekzistojnë, mjafton të shohim se në një listë figuron Dashamir Tahiri dhe Vangjel Dule.

Se çfarë do të ndodhë në Kosovë mbetet ende për t’u parë, njësoj si në Shqipëri, por që kjo lehtësi e sapozbuluar për të qepur gjthfarë koalicionesh është sa reale aq edhe eksperimentale, kjo nuk do mend për t’u kuptuar. Fundja BE-ja po kërkon një Ballkan të qetë dhe një mënyrë efikase është: të gjithë në qeveri. Kuptohet me përgjegjësinë e standardeve të një vendi që aspiron integrimin.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.