LSI-ja si alibi elektorale e Rilindjes

Postuar në 17 Qershor, 2017 16:04

Fushata elektorale, protagonizmi dhe përfaqësimi i subjekteve në të është sa një shans që të jepet nga partia, pushteti, opozita, aq edhe një garë personale. Një garë që kërkon energji, angazhim, vitalitet, përshtatje, por edhe aftësi retorike, bindjeje, aftësi për t'u shprehur praktikisht për gjërat etj.. Të gjithë elementë që konstituojnë aspektin demagogjik, por edhe vendosin premisën e re për detyrimet e së nesërmes. Që të besohesh sadopak në këtë përballje me qytetarët, të cilët kujtojmë se në përgjithësi i përkasin llojit homo sapiens, me dy veshë, dy sy, një tru aktiv dhe memorie, duhet që të kesh një bilanc. Sepse përndryshe mund të luash një pjesë teatralo - elektorale dhe të shihesh si palaço, në kuptimin tradicional të kësaj fjale, të atij që të bën për të qeshur, jo në kuptimin stigmatizues të saj. Tani është bërë e qartë se alternativë gazmore për dikë që ka një mërzi, ka humor të prishur, nuk është në terezi, është Facebook i Erjon Veliajt, kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Gjen aty gjithçka që duhet për t'u gajasur, mbi të gjitha ke personazhin unik në përpjekjen për të çarë me shikim ambicioz dhe të paduruar xhamin e kamerës dhe aparatit që e filmon apo fotografon. Në sfond janë punët e panumërta, përpjekja për Tiranën tonë të dashur.

Dhe nëse kjo është bërë bajate në monotoninë e vet, tani menusë i shtohet me origjinalitetin e vet, Sajmir Tahiri. Ky, edhe për shkak të pozicionit që ka, nuk flet për punë që janë bërë, punë të cilat po e bëjnë edhe malin e Dajtit të duket një shaka lilipute e natyrës së paqtë tironse, por për punë që mund të bëhen vetëm nga PS-ja. Pra në këtë vend ka një pjesë popullsie që është PS-ja me të vetët dhe një tjetër që u varet goja nga çudia sesi ja bëjnë këta të parët që rendin kaq shpejt.

Shikoni çfarë thotë sot Tahiri në një takim me banorë të Njësisë nr. 2(Në parantezë po kujtojmë se nga sa mbajmë mend në njësinë nr. 2 nuk është identifikuar asnjë parcelë me kanabis deri më sot, çka e bën këtë zonë të jetë mbrapa kanabo - dynjasë së bashkëthemeluar nga Tahiri):

Nëqoftëse ka një parti dhe një qeveri që mund të mbyllë në katër vitet e ardhshme  çdo histori me pronat, me titujt e pronësisë, me çertifikatat e pronësisë, me hipotekat, me legalizimet është vetëm qeveria e Partisë Socialiste”.

Iku kjo u harrua që tani. Pak më poshtë fjalët kundërthonë atë që u tha më sipër e që shyqyr që i harruam:

Sot nuk na duhet më të votojmë për “flamujt” e partive. Sot nuk duhet më të votosh me tifozllik. Sot nuk i duhet më njeriu të shkojë qorrazi mbas një partie apo një tjetre. Sot shqiptarët duhet të votojnë për hallet e tyre, për ata që do punojnë t’i zgjidhin këto halle. Sot duhet të votojnë shqiptari për shqiptarin dhe të gjithë bashkë për Shqipërinë. Ky është basti ynë në datën 25”. Në datë 25 ka vetëm një alternativë. Ndaj miqtë e mi shkoni bindni këdo njihni. Flisni me këdo njihni. Kapini përdore dhe më datë 25 të shkojmë të gjithë bashkë te kutia e votimit, sepse më datë 25 ka vetëm një alternativë dhe kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë”.

Po të tregohemi keqdashës do themi se Tahiri po na paralajmëron se vizioni i PS-së është ai me një parti në këtë vend. Por në fakt këtu nuk bëhet fjalë për vizion; s’kemi pse t’i ngarkojmë këtë barrë mendjes së ish-ministrit të Brendshëm. Këtu bëhet fjalë për një tog fjalish që thuhen në erë, në funksion të bindjes se fiton ai që punon dhe se ai që punon është PS-ja, numri 2.

Më qartë, këtë ide të ngatërruar e ka shprehur sot kryeministri kur thotë në Kamëz se “më 25 qershor vendoset fati i flamurit kuqezi”. Pse u vendoska fati i flamurit më 25 qershor? Çfarë e përligj vallë këtë dramatizim elektoral të kotë, kur dihet fare mirë se 26 qershori, cilidoqoftë rezultati, do të jetë një ditë e zakonshme në jetën e çdo qytetari normal? Dhe nisur nga ato që na thotë Tahiri më sipër mundet edhe të pyesim: çfarë e pengoi PS-në të zgjidhë ato çështje si prona, legalizimet, me hipotekat? Asgjë nuk e pengoi. As aleati problematik që nuk doli asnjëherë kundër ndarjes së mijëra çertifikatave të legalizimit, miratoi reformën e dështuar territoriale dhe pranoi dixhitalizimin e shërbimeve të hipotekës. Natyrisht mund të thuhet se duhej më shumë kohë, por jo se për të bërë Shqipërin bahçe me lule, PS-në, këtë Nënëmadhe të Punës së Ndershme, e ka ndaluar maskarai i radhës në pushtet.

Kjo është fushatë mbi gënjeshtrën, e cila konfirmohet si e tillë se përfaqësuesit socialistë po i shmnangen me çdo kusht një bilanci. Ata nuk po parashtrojnë një plan për politikat e tyre në të ardhmen, por thjesht po karikojnë emocionalisht elektoratin përmes avantazhit që ofron spektakli vizual i kryeministrit dhe pushtetit.

Kjo “varfëri” provon se 44 muajt e ardhshëm do të jenë thjesht vazhdim i kësaj që pamë nga 2013 e më pas, asgjë më shumë. Përndryshe do të dëshmonim një tjetër përgjegjësi për Fjalën në fushatë dhe shmangie të termave absolutistë si “e vetmja alternativë”, apo “flamuri kuqezi”, paralel këto paradoksalisht me nëntesktin e një bashkëqeverisjeje me PD-në. Si do të mund të bashkëjetonte kjo bashkëqeverisje? Ka vetëm një përgjigje: Vota kundër e cila do faktorizojë matematikën parlamentare, të cilës sot socialistët po kërkojnë t’i shmangen pse sot vlen më shumë alibia e stërkëmbshave për 44 muaj(interesant përkimi me 44 vjet të regjimit të Enver Hoxhës) që prodhuan kaq probleme edhe në planin moral në përfaqësimin politik.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.