A mund të bëjë moral ky njeri?

Postuar në 13 Qershor, 2017 09:44

Ka një anomali që qarkullohet si gjë normale. Të emëruarit e dinë veten për të zgjedhur dhe sillen si të tillë. P.sh Sajmir Tahiri, i emëruar si kryetar i PS-së së Tiranës, pretendon se në Shqipëri nuk ka sy dhe veshë të shohin dhe dëgjojnë bëmat e Republikës së Kanabisit, ku ai ishte kryemagazinier. Dhe në këtë dritë të rehabilitimit që i jep heshtja e shefit të vet, Tahiri lëshohet në një fushatë elektorale, të cilën e ndërton çuditërisht mbi terma moralë. 
"Një eksperiencë si ajo e Ilir Metës nuk doja kurrë ta kisha. Unë besoj që i kemi dhënë LSI-së në 4 vjet hapësirën e nevojshme për të treguar që mund të bënte ndryshe. I kemi dhënë mundësinë që të tregonte se mund, realisht të kthehet, në një parti normale që ka hallin e njerëzve, jo hallin e familjes. 
i kemi dhënë mundësinë LSI-së që të vërtetonte përballë njerëzve dhe përballë kujtdo se mund të kthehet në një parti që ka merakun që ky vend të bëhet më i mirë, të ketë më pak korrupsion, të ketë ekonomi më të fortë, të ketë punësim për të gjithë, jo vetëm për ata që marrin teserën e partisë. E fatkeqësisht kjo nuk ndodhi. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi dhe kjo është arsyeja pse ne shkojmë vetëm në zgjedhje. Dhe kjo është arsyeja pse ne nuk duam të fitojmë me partiçka
”, u shpreh Saimir Tahiri. 

Kjo është pështymë në fytyrën e publikut nga një ish-ministër që u përfol për çdo gjë. Për përgjime, për drogë, për lidhje me krimin. Një ish-ministër që humbte zërin në komisione parlamentare dhe të cilin e hoqën një ditë të bukur pa e pyetur hiç. Mund të kthehemi dhe ta pyesim: ke ndonjë gjë në dorë ti z. kryetar që t’i japësh shansin dikujt? Me siguri që jo, sa kohë që edhe sheshin ku flet ta lejojnë të tjerë. 
Një njeri që duhet hetuar dhe ndjekur penalisht edhe për gënjeshtrat me raportet e Guardia di Finanza për drogën, sot bilbilon se ka bërë punë, se nuk është njësoj etj..

"Ne nuk jemi njëlloj miqtë e mi. Ne nuk jemi njëlloj. Nuk janë njëlloj ata që punojnë me ata që nuk punojnë. Nuk janë njëlloj ata që mendojnë të bëjnë diçka për vendin, për qytetarët, me ata që punojnë vetëm për familjet e tyre. Nuk mund të jetë njëlloj Luli me Saliun që kanë hallin të legalizojnë shtëpinë a partinë e vetë, me ne që mendojmë të legalizojmë çdo shtëpi e çdo pallat e t’i japim certifikatën e pronësisë çdo njeriu që ka një të drejtë të ketë pronën. Nuk mund të jetë njëlloj ai që ka merakun të fusë djalin apo vajzën në punë, ne që punojmë që të hapim vende pune, me ata që kanë merakun që të jenë në punë vetë, dhe puna e atyre është gjithmonë kalaqafë popullit”, shtoi Tahiri. 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.