Konfuzioni në administratë, Komisioneri garanton monitorim të fushatës

Postuar në 09 Qershor, 2017 20:13

Shkarkimet dhe pezullimet nëpunësve civilë për përfshirje në fushatë kanë krijuar konfuzion në administratën publike.  Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil që është duke monitoruar sjelljen e nëpunësve civilë gjatë fushatës zgjedhore, sqaron se detyrimi i tyre për të mos marrë pjesë në veprimtari politike është vetëm brenda orarit zyrtar

“Ata kanë të drejtë të marrin pjesë në veprimtari të subjekteve zgjedhore, të dëgjojnë të gjitha alternativat e ofruara gjatë fushatës zgjedhore, apo të marrin pjesë në subjektet politike në të cilat janë të anëtarësuar, por gjithmonë jashtë orarit zyrtar dhe duke u treguar të kujdesshëm që të vetëpërmbahen në shprehjen e bindjeve apo preferencave të tyre politike në ambiente publike”-thuhet në deklaratën e Komisioneres, Pranvera Strakosha.

Sipas saj, një moment i dytë që duhet të kihet parasysh është detyrimi ligjor që kanë nëpunësit civilë për të njoftuar institucionin në rastin e kandidimit në zgjedhjet politike.Pas kësaj, njësitë e administrimit të burimeve njerëzore, në institucionet e pavarura dhe në njësitë e qeverisjes vendore, si dhe Departamenti i Administratës Publike për institucionet e administratës shtetërore, kanë të drejtë të konstatojnë rrethanat e pezullimit dhe të vendosin për pezullimin ose jo të punonjësit nga shërbimi civil.

Strakosha thotë se Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, është angazhuar me të gjitha kapacitetet e tij, për të siguruar një standard të ri në administrimin e shërbimit civil gjatë periudhave zgjedhore, duke mos lejuar përdorimin e nëpunësve civilë për nevoja elektorale dhe për të siguruar vijimësinë e punës në shërbim të qytetarëve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.