Të paktën mos lini fëmijët në takime me këtë lloj (propagande)kulture

Postuar në 01 Maj, 2017 17:14

Në fshatin Shepër të Zagories është restauruar lapidari që përkujton themelimin e Brigadës së VIII sulmuese”. Kështu nis raportimin e “ngjarjes kulturore”, Top-Channel i cili informon se në qarkun Gjirokastër janë restauruar plot...4 lapidarë.

Me këtë rast ka folur edhe kreu i Qarkut, por edhe ministrja e Kulturës që është kandidate në këtë qark për PS-në. Tha ndër të tjera ministrja:

Mbledhim këtu tre breza, më vjen mirë që këtu kemi edhe fëmijët, edhe veteranët, një mundësi shumë e mirë jo vetëm për të shkëmbyer ngjarjet historike. Por mendoj se është një mundësi e mirë për të kthyer vëmendjen për të rikthyer vëmendjen në një nga zonat me potencial të madh turistik”.

Ministrja e Kulturës shikon pra te restaurimi i lapidarëve që përkujtojnë një periudhë që mbetet ende për t’u shkruar një moment propagandimi edhe ndaj fëmijëve. Të cilët njësoj si brezat para ’90-ës na sugjerohet se duhet të edukohen bashkë me partinë në pushtet sipas normave të partisë në pushtet. Ndoshta mungojnë edhe rojet e nderit në kësi rastesh për të nderuar këtë ministre kulture, e cila në ndryshim nga aktiviteti si përkthyese, tashmë ka zbuluar se është zelltare e madhe e një trashëgimie që bart shumë plagë në këtë vend. Në këtë krenari bashkohet edhe televizioni kombëtar kur raporton se “4 lapidarë në memorie të 4 brigadave sulmuese të themeluara në nivel qarku pritet të restaurohen në prag të ditës së Dëshmorëve, më 5 maj, ndërkohë që qindra objekte të tjerë gjenden në inventarin e bashkive dhe njësive të vogla administrative”.

Çfarë përkujtohet me këto lapidarë të cilët gjithsesi janë shenjues të një kohe? Prania e ministres dhe e pushtetit e bën këtë katalog simbolesh të trashëguar nga pushteti i Enver Hoxhës, një kapital poizitv në sytë e banorëve, por kjo mbetet diçka e rremë, politike, propagandistike, pse jo e rrezikshme për cektësinë dhe malinjitetin me të cilin përcillen akte të tilla.

Zona në fjalë ka edhe të tjera pasuri, ajo mund të rivitalizohet për turizëm me të tjera drejtime zhvillimi. Dhe këtu nuk duket të jetë vetëm çështja votash kjo punë, por edhe vokacioni, bindjeje për një status që këta “figli di papa” kanë për veten. E në mungesë të një perspektive në një vend ku plaçkitja po kthehet në ekonomi, sugjerimi i një ikonografie të këtillë shitet si pasuri, si memorie, si histori pozitive, e në fund si aspekt edukativ. Mbajini larg fëmijët nga takime ku marrin pjesë njerëz si kjo ministrja e Kulturës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.