Edhe me 71 mandate, PS-ja nuk do të qeverisë e vetme

Postuar në 07 Qershor, 2017 09:12

Partia Socialiste po bën fushatë duke u kërkuaar votuesve qeverisjen e vendit vetëm. Në disa dalje rresht, kryeministri dhe deputetë të ndryshëm të saj po u flasin njerëzve për “shansin që ta mbajmë vetëm timonin”. Në intervistën e fundit në Top-Story, Edi Rama akuzoi hapur partitë e vogla si plaçkitëse të shtetit, me një praktikë që sipas tij duhet të marrë fund. Më tej akoma ai ka deklaruar se ministrat e rinj të propozuar nga PD-ja, do të jenë në detyrë deri më 26 qershor, nëse PS-ja fiton e vetme 71 mandate. Sondazhet e fundit i japin PS-së 71 mandate, pra i japin shansin që ajo të qeverisë e vetme pa asnjë tjetër. Por pyetja që shtrohet këtu: a do të veprojë kështu vërtet PS-ja dhe Edi Rama? Pra nëse marrin vërtet 71 vota, a do të zgjedhin që të qeverisin vetë?

Gjasat janë që jo dhe elektorati po përjeton një fazë të re gënjeshtre “taktike” të cilën jo rrallë bën sikur e beson.

Nëse hedhim sytë pas do të shohim se në historinë e qeverisjes së vendit nga PS-ja, ajo nuk ka zgjedhur asnjëherë të jetë e vetme në timon. Edhe në vitin 1997 që kishte numrat për të bërë çdo gjë, u kalua në koalicion të gjerë në emër të një stabiliteti, apo pushteti me bazë të gjerë. Arsyeja? Me siguri për të mos marrë përsipër çdo përgjegjësi.  Në vitin 2001 PS-ja ishte nismëtare e manovrës së transferimit të votës, njohur si Dushku, vetëm e vetëm që aleatë të vegjël të saj të fitonin mandate. Në vitin e fundit të qeverises socialiste, ish-kryeministri Fatos Nano ankohej lart e poshtë se ai nuk bënte dot ndryshime në qeveri sepse “nuk kishte numrat”.

Në vitin 2005 PS-ja e re kërkoi sistemin zgjedhor aktual që likujdon partitë e tjera. Në vitin 2009 ajo provoi fitoren e vetme përkundrejt një kundërshtari që rriti në mënyrë të ekzagjeruar koalicionin. Paradoksi I madh I kësaj sjellje është se sistemi i ri zgjedhor parashikon koalicione për maksimalizim votash, ndërkohë që PS-ja bëri të kundërtën.

Në vitin 2013, PS-ja mori një rezultat jo shumë të kënaqshëm, nisur nga bilanci i qeverisjes Berisha kurse sot, pas katër vjetësh pretendon 5 mandate më shumë. Duke ndjekur këtë fill të shkurtër, por edhe mënyrën sesi sot po bëhet fushatë, gjasat janë që PS-ja nuk do të kalojë në qeverisje më vete edhe nëse merr 71 mandate. Shanset janë që ajo të bashkëqeverisë me PD-në edhe sepse kokëçarja e madhe e katër viteve për konçesionet, dekriminalizimin dhe sidomos ngrirja e ndryshimeve në gjyqësor, në një kohë që qeverisja është një proces që kërkon garanci për të nesërmen, është problem më vete. Sali Berisha zhvilloi luftë të madhe vetëm për Prokurorinë kur erdhi në pushtet dhe arriti ta pastronte nga Theodhori Sollaku. Çfarë mund të mendohet për një PS(njerëz të saj) në opozitë që hetohet nga një prokurori që nuk e kontrollon, apo gjykohet nga gjyqtarë me të cilët ka shpllur armiqësi?

Bashkëqeverisja me PD-në është jo vetëm një mënyrë për të kaluar disa reforma dhe për të shitur një stabilitet të përkohshëm, por edhe një rrugë për të mbrojtur veten. Shikoni sesi sot, socialistët mbrohen duke thënë se nuk e arrestuam dot Berishën se nuk kishim gjyqësorin, apo se nuk bëmë dot këtë apo atë, sepse nuk ka na la LSI-ja. Nesër bashkëqeverisja do të jetë në emër të stabilitetit dhe hapjes së negociatave, një gënjeshtër e vockël për ata që me siguri do kenë një fotografi me Edin në mur.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.