Rënia e Italisë - një vend në agoni

Postuar në 01 Qershor, 2017 13:35
Ernesto Galli della Loggia

Kam lindur italian por disa herë më vjen të pyes, nëse do të vdes i tillë. Një paradoks i pakuptimtë? Jo edhe aq nga momenti që dyshoj se nuk jam i vetmi në brezin tim, që ka ka parë dritën gjatë ose afër luftës, që në mënyrë pak a shumë të ndërgjegjshme shtroj këtë pyetje. Nëse hedh sytë vërdallë dhe nëse kuptoj atë që shoh, nëse kuptoj mirë diskutimet që dëgjoj, më duket se janë shumë italianët që ndjejnë përditë të rritet brenda tyre një ndjenjë çatdhesimi dhe tëhuajëzimi. Që shohin sesi çdo ditë zhduken vende dhe figura deri më dje familjare, të zbehen parime dhe institucione, idealet nga më të ndryshmet që na përkasin të humbasin sensin, të bjerren dhe të shuhen. Në një botë që ndryshon nën një ritëm përthithës Italia duket se i është drejtuar një perëndimi të ngadaltë. Dekadenca e saj qartësohet për çdo ditë dhe na mbërthen…

Sot duket e pabesueshme që gjysmë shekulli më parë, pas një sprinti spektakolar të nisur menjëherë pas shkatërrimit të luftës fashiste, Italia ia doli të jetë mes gjashtë apo shtatë ekonomive kryesore në botë, mes shoqërive më të përparuara të planetit. Si ishte e mundur një gjë e tillë? Përgjigja që mua si historian më vjen të jap thotë shumë, ndonëse jopopullore në këto kohë, ajo nuk është më pak e vërtetë.

Në analizë të fundit kjo gjë ishte e mundur falë politikës. Falë zgjedhjeve politike të 100 viteve të fundit nga klasat drejtuese të formacioneve nga më të ndryshmet, të gjitha ama aderuese të idesë që me t’u bashkuar më në fund në një shtet të vetëm, gadishulli italik kishte diçka qartësisht të vetën për të thënë apo për të bërë në bashkësinë e kombeve. Ndoshta ishin të gjithë viktima të një iluzioni. Por është e po kaq e vërtetë se nëse nuk beson në një ide, pa një besim të verbër që çon në vetëgënjim, është ndoshta e pamundur të kryesh diçka të madhe. Një vend i varfër me një mizerje të trashëguar, i privuar nga lëndët e para, banuar nga një popullsi analfabete, u thirr në këtë mënyrë në skenë që të prodhonte thuajse nga hiçi shkolla dhe universitete moderne, industri të rëndë, energji, porte, telegraf dhe hekurudha, një flotë tregëtare, e ndoshta edhe një ushtri të denjë për një emër të tillë.

Këtë rrugë e hapën së pari po ata që realizuan bashkimin. Cavour dhe të tjerët, liberalët që në fund të fundit edhe kaq liberalë nuk ishin(ndoshta në një vend të varfër është thuajse e pamundur të jesh me të vërtetë i tillë). Infrastruktura e parë, proteksionizmi, format e para të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, ishin të gjitha vepër e tyre. Menjëherë më pas erdhi shekulli i ri dhe shpërtheu Nëntëqindja jonë e jashtëzakonshme. E jashtëzakonshme jo vetëm për rezultatet që pasuan, por sepse në dimensionin e ri të masave në politikë, arritëm – dhe mbetëm për gjithë kohën ndoshta deri dje – me kultura politike aspak origjinale e të cilat për karakteristikat e veta nuk duket të kenë patur shumë të përbashkëta me politika të ngjashme në ndonjë vend tjetër, përtej denominacionit zyrtar.

Jo vetëm, por socializmi, popullarizmi katolik, nacionalfashizmi, komunizmi gramshian, demokracia gobettian – aksioniste, këto përfaqësojnë të gjitha aspekte të tjera unike. Është fakt që p.sh këto kultura politike, që kanë qenë madje zemra e jetës publike italiane, kanë frymëzuar shumëçka– më shumë: kanë përligjur ekzistencën e tyre – duke nisur nga një kritikë e ashpër ndaj Bashkimit, pra ndaj vetë mënyrës sesi lindi shteti ku ato rivalizonin apo ishin thirrur për të qeverisur.

Në të gjitha kulturat politike të Italisë së Novecento-s pa dallim, sjellja polemizuese ndaj të shkuarës së bashkimit pati të njëjtin motivim: mungesën e “masave popullore” në ato zhvillime(për faj kuptohet të ndërgjegjes së verbër klasore të liberalëve…). Që këtej  vjen edhe objektivi i përbashkët themelor që është ndjekur nga të gjitha këto kultura politike kur ka ardhur radha e tyre: “Të sjellin masat në Shtet”.

Të gjitha janë paraprirë nga i njëjti qëllim: të bëhet më në fund një Itali e popullit, pas Italisë së njerëzve me ndikim dhe Italisë së “zotërinjve”. E një populli të nënkuptuar ndryshe në varësi të atij që kishte ofruar diçka në raste nevoje, siç mund të merret me mend: por gjithësesi e popullit.

Përmes kësaj rruge populizmi u kthye në shtratin ku nisi të rrjedhë lumi i Noveçento-s(por jo vetëm) politike italiane. Për të cilën thuajse instinktivisht të gjithë kemi menduar dhe vazhdojmë të mendojmë mjaftueshëm keq. Por, nëse lejohet të thuhet, sot më pak se dikur. Sepse në fund ai populizëm(që ka pak të bëjë me atë të cilin sot e quajmë me të njëjtin emër) nuk ishte gjë tjetër veç një frymëzim i përgjithshëm moral, jo për t’u përçmuar, një dëshirë për të rrëzuar barriera antike dhe arrogancën klasore, një vullnet, qoftë edhe konfuz disa herë, për të përmirësuar kushtet e jetës të shumicës dhe për të promovuar ngritjen e shtresave të reja sociale, për të kënaqur ekzigjencat, edhe ato më elementare, për një kohë të gjatë të mohuara, për të sjellë pjesët më të harruara të vendit tonë në të njëjtin nivel me të tjera(…)

Në zemër të populizmit qëndron sugjestioni që buron nga ideja e popullit, konceptuar si një diçka e përgjithshme dhe e padiferencuar që në vetvete të kontribuonte për të kapërcyer ndarjet, çdo konflikt, duke krijuar kështu premisat e një lloj harmonie sociale origjinale. Pikërisht për këtë arsye populizmi e ka shumë të vështirë që të mos mirëpresë zërin dhe kërkesat e çdo grupi social me njëfarë përbërjeje dhe që të dijë të prezantojë kërkesa të këtilla në mënyrën e përshtatshme. Një disponibilitet që është i destinuar të përpuqet me të paktën dy karaktere të shoqërisë italiane: intoleranca e saj bazike për kontrastet e forta, për lojën me shumën zero, në të cilën fitohet ose humbet pa të drejtë ankimi dhe nga ana tjetër struktura e saj në substancë korporative, bazuar në varietetin dhe shumëllojshmërinë e grupeve të interesave të organizuar në mënyra të ndryshme. Si për të shtuar forcën e prirjeve të tilla është edhe kufizimi që në Republikën e Parë përfaqësohej nga prezenca e një partie opozitare si ajo Komuniste, një sukses eventual i të cilës në zgjedhje, do të krijonte një krizë ndërkombëtare që do të ishte e papërballueshme për vendin.

Pikërisht për mos lejuar fitoren e komunistëve, forcave qeveritare u duhej çdo herë që të përfaqësohej me më të mirën në zgjedhje: dhe për këtë qëllim ishte pra konveniente që të mos hidhej poshtë paraprakisht asnjë kërkesë, të legjitimohej çdo pretendim, të kënaqej në kufijtë e të mundshmes(dhe të të pamundshmes) çdo kërkesë.

Te ne pra, pas vitit 1945 gjërat sa vinin dhe komplikoheshin sepse orientimi populist, i përbashkët për të gjitha kulturat politike të vendit në fakt ishte konfiguruar si një garë mes populizmave të kundërt. Me një efekt të qartë të mbingarkesës jorealiste të kërkesave në drejtim të sistemit politik. Në këtë mënyrë solidariteti populist, kënaqja e interesave korporative, politkat shtetërore të reja dhe të vjetra në emër të Mirëqenies Sociale, kishin krijuar përqark demokracisë italiane në përzierje me partikularizmat e sistemit politik, një burg të vërtetë çeliku. Hekurat e të cilit, duke u shtuar dhe forcuar përherë e më shumë – çka ishte natyrale me vetë rritjen “demokratike” të vendit – prodhonin rritje të vazhdueshme të kostove të sistemit. Të cilave në një moment të caktuar e më pas mund t’u bëhej ballë vetëm përmes borxheve. Natyrisht edhe ky një borxh përherë në rritje.

Ndaj shumë gjëra do të duhet të ndryshoheshin në vitet ’80. Kur kohët nuk ishin ende kaq të vështira, kur burimet nuk ishin ende kaq të pakësuara dhe kur aktorët politikë kishin ende kapacitetin për organizimin e mendimeve me një faarë kthjelltësie dhe thellësie. Por mungoi ajo që është përcaktuese në momentet kyçe, si në politikë, ashtu edhe në fusha të tjera: kurajua e bashkuar me fantazinë. E vetmja gjë për të cilën në fund klasa drejtuese italiane ishte e aftë, ishte të kërkonte ndihmën e një padroni të huaj për të mbajtur nën kontroll atë që po dilte jashtë kontrolli. Kjo precipitoi në strehimin nën mantelin e Europës me një nxitim që ngjante thuajse me frazën “të shpëtojë kush të mundë”, kur fillimisht rënia e perandorisë sovjetike dhe më vonë hetimet e Mani Pulite, zhbënë të gjithë strukturën ideale dhe organizative të sistemit të partive, pra të pushtetit të vërtetë të Italisë Republikane.

Që nga ajo kohë ky pushtet i vjetër – që kishte qenë gjithësesi pushteti themelues i republikës dhe drejtimit të saj – nuk u zëvendësua dhe askush tjetër nuk i ka zënë vendin. Aq sa për 20 vjet vendi është privuar nga një drejtim efektiv, pra nga një grup, nga një parti, një personalitet, që ushqen një farë vizioni të përgjithshëm, që ka besim në ndonjë ide të vërtetë, që zotëron një kapacitet minimal drejtimi të gjërave, institucioneve dhe njerëzve. Edhe për këtë është e vështirë që të mo demoralizohesh.

"Corriere della Sera" 

Përkthimi: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.