Pastrim, por edhe llogari

Postuar në 29 Maj, 2017 23:55

Dita e sotme ishte e rëndësishme sa i përket stabilitetit të ekipit drejtues të PD-së. Hamendësimet e shumta të ardhura nga një takim lokali, disa tërheqje kandidatësh, apo edhe spekullimet mbi një lojë të dyfishtë të Berishës, në finale nuk imponuan asgjë në vendimmarrjen e kryetarit Lulzim Basha.

Duhet të nënvizojmë disa momente të cilat parashihen që sot si rrugë eventuale të zhvillimit politik apo ngaqë shpjegojnë këto që ndodhën.

Së pari, dita e sotme provoi se Sali Berisha nuk bëri atë gabimin që iu kërkua nga rrethanat e tensionuara dhe hamendësimet shumta. Hamendësime të cilat provuan sesa pak informacion kanë ata që rëndom cilësohen si enturazh i kreut të PD-së. Në një mesazh në Facebook, Berisha sqaroi se:

“...largimi im esht pakthim. PD ka sot lidershipin e vet qe me vendosmeri do ta çoje ate drejte fitores se sigurte me 25 qershor dhe do te arkivoje ne analet e zeza te historise narkoregjimin e Edvin Kristaq Rames.Fitore!S.B”.  

Kthim përgjigjeje dhe jo mesazh më vete, çka do të thotë se Sali Berisha sot ishte vetëm deputeti Sali Berisha. Edhe sikur ky qëndrim të burojë nga kushtëzimet etiko-politike që nuk lejojnë sabotimin e lidershipit nga një ish-kryetar, kjo është pikë për Bashën.

Së dyti, pastrimi në bllok i disa personazheve zgjidh në favor të Bashës dhe ekipit të tij dilemat e nesërme të koalicioneve paszgjedhore. Të kthehemi pas në kohë e të kujtojmë se në kohën e debateve për reformën në drejtësi, u përfolën se kishte së paku 5 deputetë të PD-së që ishin gati jo vetëm të votonin draftin e ambasadës amerikane dhe Ramës, por edhe të jepnin votë pro për një qeveri pa LSI-në. Në këtë kuadër, pastrimi është akt i domosdoshëm për një kryetar të dobët, por edhe nën goditje.

Së treti, le të shohim sesi po e bën fushatën kryeministri dhe LSI-ja që sot ka në koalicion PDIU-në dhe PDS-në. Të dy thonë se do të dalin forcë e parë, çka do të thotë se në momentin e tanishëm kalicioni nuk ka vullnet për t’u përsëritur. Kryeministri Edi Rama shkon më tej kur kërkon vota te demokratët dhe flet për nevojën e një fitoreje me 71 mandate, pa nevojën e tjetërkujt në prehër. Ky është një kufi maksimal, zhbërjen e të cilit nesër, Basha apo LSI mund ta konsiderojnë si fitore. Pse? Sepse variantet e aleancave pa një fitore me 71 mandate dhe pa deputetë që shitblihen(kuptohet jo të gjithë, pasi Basha pastroi edhe për llogari personale) rriten shumë dhe PD-ja hyn në ekuacion. Qoftë me LSI-në, qoftë duke kushtëzuar emrin e Edi Ramës si kryeministër.

Së katërti, PD-ja flet për fitore, shoqëruar me termin “largim të narkoqeverisë”. Deri diku kjo është arritur me Pazarin e 18 majit. Mjafton që ky kryeministër të mos jetë më dhe do të shohim nesër një fitore të deklaruar.

Në finale do të jetë matematika e pushtetit dhe kushtëzimet që burojnë prej saj ato që do të përcaktojnë rrjedhën dhe jo qejfmbetjet, apo predikimet morale për procedurë. As edhe gjoha historia e PD-së e cila në fakt pas viti 1997 lidhet vetëm me një njeri. Sepse ato nuk vlejnë kur kërkohen nga njerëz që njëherë të vetme nuk u kujtuan për to. Në këtë pikëpamje, vlen ai rregulli që ata që janë në lojë, bëjnë edhe lojën me letra që nuk ua sheh dot. Ndaj nuk mbetet veçse thënia lapidare e madhështorit Ilir Beqja: Suksese në jetë!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.