Në emër të ndryshimit

Postuar në 29 Maj, 2017 21:53

Reagimi i emrave që u lanë jashtë listës së Partisë Demokratike vërtetoi inkoherencën e tyre në raport me politikën si instrument në shërbim të demokracisë dhe shfrytëzimit për ofiqe personale. Pyetja themelore është pse Jozefina Topalli, Arben Imami apo Majlinda Bregu folën pasi u lanë jashtë listës dhe nuk e bënë këtë gjë pas ardhjes në krye të patisë të Lulzim Bashës. Heshtja është miratim, dobësi, apo llogari dhe s’ka pse të merret si e mirëkuptuar për njerëz që u futën në politikë njësoj si Lulzim Basha, nga dora dhe dera e Sali Berishës.

Argumentat që u artikuluan nga Topalli e Imami qëndrojnë. Duke nisur që nga mënyra sesi Basha e mori partinë apo sesi e drejtoi dhe e drejton atë nën hijen e Sali Berishës. Mirëpo koha dhe rrethanat kur nxirren në publik kompromentojnë arsyet dhe qëllimet politike për të cilat thuhen.

Nuk ka një përgjigje nga akuzuesit e Bashës se cila është ambicja e tyre politike, përveçse një keqardhje publike për kantandisjen e PD-së. Shumëkush nuk gabon nëse thotë se si Topalli, Imami apo Bregu nuk do kishin thënë të njëjtën gjë nëse do ishin përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike.

Atëherë kujt i shërben ky denoncim përveçse hakmarrjes politike për të luftuar kryetarin që u hoqi mundësinë e një karrigeje në parlament. Argumentat nuk bindin se kemi të bëjmë me një përpjekje për të demokratizuar Partinë Demokratike për aq kohë sa denoncimet janë pa emra konkrete si për klientët e kryetarit apo dhe procedurat e shkelura prej tij.

Basha në një përgjigje indirekte tha se nuk mund të shkonte me të njëjtin ekip të 2012-ës në zgjedhjet e 2017-ës dhe se ndryshimi fillon nga vetja.

Nëse është kështu, Lulzim Basha duhet të ishte transparent deri në fund. Për çfarë arsye hoqi nga lista Jozefina Topallin apo Arben Imamin dhe la në listë Genc Pollon apo Eduard Halimin, për të mos sjellë si referencë Sali Berishën që përfiton nga statusi i kryetarit historik të partisë.

Përgjigjia është shumë e thjeshtë, Basha ndoqi rrugën e shkurtër që kanë ndjekur paraardhësit e tij. Mbajti ata që i ka ushtarë dhe eleminoi “kundërshtarët” me një të rënë të lapsit dhe për këtë e ndihmuan edhe vetë ata që i kapi lapsi këtë radhë. Sepse nuk bënë asnjë ditë politikë, dhe po ashtu si Basha shijuan ofiqet e politikës nën hijen e babait të partisë, deri sa mësuan një ditë se nuk do jenë më deputetë. Sa për ndryshimin që thotë Basha, ai duhet të kishte nisur me “ndarjen politike” nga Sali Berisha. Ndryshimi i vetëm është se Basha zgjodhi njerëzit e tij.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.