Vettingu si kano(a)çe për stacionin BE

Postuar në 22 Dhjetor, 2016 17:51

Edi po feston. I shkoi gripi që e kishte zënë para disa ditësh. Po del fotografi, po këndon, po bërtet, po jep leksione, është optimist, po bën llogaritë, po hedh kunja. Vettingu kaloi, Kushtetuesja hapi rrugën e çlirimit. Pallati i Drejtësisë do pastrohet, me siguri nga të korruptuarit, për të rilindur edhe ai siç lindi qeverisja. Apo ndoshta për t’u dhënë me konçesion prurësit më të parë, me kundërvleftë disa punësime miqsh e shokësh.

Do të jetë koha ajo që do të caktojë nëse vendimi i sotshëm i Gjykatës Kushtetuese – legjitim dhe i paapelueshëm – do të sjellë të mira. Do të jetë koha ajo që do të provojë nëse përralla me gogolin Sali që bllokon integrimin, është e vërtetë. Nëse ajo si çdo përrallë ka një fund të mirë, ku “qerosi si përherë e gjen rrugën e fitores”.

Për të gjithë njerëzit që njohin punët e shtetit ndoshta ngjan e çuditshme sesi një kryeministër gëzon e përplas këmbët pse siç na ka thënë deri më sot duke na shkelur syrin, do mendojë të fusë në burg Saliun. Apo do shantazhojë Ilir Metën.

Ndoshta kjo ka një tjetër shpjegim: Edi po gëzon sepse po rregullon hallet e veta. Punët që ka bërë, dosjet që i janë krijuar. Ai ka një vizion të vetin për vettingun dhe gjykatat: ato duhet të mos jenë këto që janë. Mundet edhe që gjykatësit të zgjidhen me konkurs, ça rëndësie ka. Këto nuk bëjnë. Bëjnë ato që do të vijnë nesër.

Ku po feston Edi do pyesni ju? Natyrisht aty ku gjen rehatinë, ku ka butonat fshij, mos e publiko, bllokoje, çregjistroje, përjashtoje. Në pultin e komandimit universal, aty ku njeriu shfaqet me karakter: Në Facebook, me një tufë miqsh.

Ja satusi i parë, që i referohet “kazanit”:

“Sipas mediave Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD kundër Vetingut! E vonuan po s'e ndalën dot Tani koha për të nisur zbatimin sa më parë! Të fillojmë spastrimin në Pallatin e Drejtësisë dhe të marrim datën për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE”.

Vettingu pra na qenka si ajo kanaçja e televizorëve të dikurshëm që vendosej për të kapur stacione të huaja.

Lexoni statusin e dytë, ku Partizani i Panjohur bëhet i njohur për Shqipërinë Europiane.

Në Kuvend për çlirimin e Vetingut dhe çeljen e negociatave, gjatë interpelancës së kërkuar me urgjencë nga zoti Nardi&zoti Vangjeli&zoti Beni, kryetarë partish pa parti, në garën e tyre me zotin Sali kush hedh më shumë baltë, duke shpifur e gënjyer më shumë për këtë qeveri”.

I treti, status prej kodoshi, të cilin kryeministri e personifikon kaq natyrshëm:

Qenka helmuar Shqupi me Gjykatën Kushtetuese! Mos, jo kështu të dashur kolegë, Vetingu do ju ndajë nga shoqëria e keqe e të korruptuarve”.

Vettingu nuk do festuar për inat të dikujt. Nga kryeministri pritet një fjalë, një mesazh për qytetarët, një sqarim si e pse vetting do na çlirojë, se pse ai do të sjellë drejtësinë, se çfarë angazhimi merr qeveria dhe PS-ja. Aq më tepër ka rëndësi ka tani sjellja prej kryeministri kur vettingu është marketuar si gjueti shtrigash, me të keqen e njohur, duke përftuar një legjitimitet inflacionar.

Kjo na duhet. Garancia institucionale e një qeverie, e një kryeministri, i cili mendon se çdo kritikë, akuzë, apo opozicion, ka arsye personale.

Simptoma të afrimit të fundit, padyshim, vetëm se sistemi mundëson një shkëmbim programesh, në vend të ikjes dhe pështymave nga pas. Sepse është shumë e qartë: ky menaxhim i personalizuar i një standardi kushtetues nuk sjell asgjë të mirë. As për Edin dhe gargarën e tij qeverisëse.

Shaptilografisti 

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Jam kurioz te di sa e ka rrogen ai/ajo qe merret me Facebook-un e ketij palluqes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.